Kosova
Joe Biden në Gjermani
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i cili është edhe pak muaj në post, ka nisur një tur lamtumire. Pasi iu desh ta shtyjë vizitën e planifikuar për shkak të uraganit Milton, Biden viziton Gjermaninë të premten, përcjell albinfo.ch.
Si i pari president i SHBA-së që pas George H. W. Bush, Biden do të nderohet nga presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, me Kryqin e Madh të Urdhërit Federal të Meritës. “Me këtë medalje presidenti gjerman vlerëson meritat e presidentit Biden për miqësinë gjermano-amerikane dhe aleancën transatlantike, për të cilën Biden ka influencuar ndjeshëm në më shumë se pesë dekada dhe e ka forcuar atë”, komunikoi Presidenca në Berlin përpara vizitës së parashikuar për në fillim të tetorit.
Biden i ka pasur për zemër marrëdhëniet mes SHBA-së, Europës dhe SHBA-së e Gjermanisë në veçanti. Me mbylljen e presidencës së tij merr fund edhe një epokë.
“Unë mendoj se atë mund ta cilësosh edhe si presidentin e fundit transatlantik”, thotë për DW Michelle Egan, profesoreshë në American University në Uashington dhe eksperte për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Europës. “Kjo ka të bëjë me punën e tij shumëvjeçare në NATO, në Konferencën e Sigurisë në Mynih dhe në Komisionin për Politikën e Jashtme në senatin e SHBA-së, gjë që i ka bërë të mundur atij të njohë shumë krerë europianë shtetesh, përpara se ai të bëhej president.
Përse është Biden një personalitet i madh transatlantik
Biden ka lindur më 1942. Ai u rrit në një vend, që ndihmoi Gjermaninë të rindërtohej pas Luftës së Dytë Botërore. Pas ndërtimit të Murit të Berlinit më 1961 ai mundi të shohë, se si Gjermania Perëndimore u bë një partnere e rëndësishme e SHBA-së gjatë Luftës së Ftohtë.
“Biden është që nga viti 1972 në politikë dhe ai fitoi përvojë në politikën e jashtme përmes përjetimeve nga Lufta e Ftohtë”, thotë për DW Peter Sparding, zëvendëspresidenti i Center for the Study of the Presidency and Congress. “Gjermania praktikisht ishte në epiqendër të këtij konflikti”.
Si zëvendëspresident gjatë presidencës së Barack Obama-s përvoja e Biden në politikën e jashtme kishte një rëndësi të madhe.
“Obama kishte përvojë shumë të kufizuar me politikën e jashtme” kur kandidoi për postin e presidentit, thotë Egan. “Kjo ishte arsyeja, që Biden mori detyrën e zëvendëspresidentit. Biden kishte lidhje dhe njohuritë e duhura”.
Obama ka qenë mjaft i preferuar në Europë, sepse ai rindërtoi raportet transatlantike pas presidencës së George W. Bush, nënvizon më tej Egan – e ishte Biden ai, që kishte një lidhje emocionale me Europën, e jo Obama.
SHBA dhe Gjermania: Shumë të përbashkëta
Edhe sot, gjatë presidencës së Bidenit, Gjermania vazhdon të jetë një partnere e rëndësishme e SHBA-së. Të dy vendet janë ndër mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës në luftën kundër Rusisë. Po ashtu si SHBA edhe Gjermania bëjnë pjesë në vendet, që në konfliktin aktual në Lindjen e Mesme, theksojnë më me forcë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
Egan tërheq vëmendjen, se të dy vendet krahas pozicioneve të ngjashme në skenën ndërkombëtare i bashkojnë edhe sfidat e brendshme të ngjashme. “Si SHBA edhe Gjermania po përjetojnë aktualisht një përçarje politike”, thotë ekspertja e çështjeve transatlantike, Michelle Egan.
Në SHBA demokratët dhe Republikanët përfaqësojnë dy kampe të ndara qartazi ideologjikisht, të cilët shpesh përballen ashpër e madje edhe e luftojnë njeri-tjetrin. Në Gjermani, thotë Egan, forcimi i populistëve të djathtë dhe i partisë pjesërisht ekstreme të djathtë AfD (Alternativa për Gjermaninë) është një shenjë për përçarjen politike të popullsisë.
“Një paralele e dytë, sipas mendimit tim, është tema e kufijve dhe kontrolleve kufitare”, vëren Egan. “Gjermania pavarësisht lirisë së lëvizjes brenda hapësirës Shengen dhe BE-së ka rihapur temën e kontrolleve në kufi”.
Pasi një migrant në Solingen në gusht 2024 vrau me thikë tre vetë, Gjermania ashpërsoi politikën e saj të migracionit. Këtu bën pjesë edhe aplikimi i kontrolleve në të gjitha pikat kufitare gjermane – edhe në kufijtë me shtetet e tjera të BE-së. Ky hap ishte i diskutueshëm në Gjermani.
Edhe në SHBA kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris gjatë fushatës elektorale herë pas here ngec kur është fjala për politikën e migracionit dhe të sigurisë në kufijtë e SHBA-së me Meksikën. Biden këtë temë në fillim të presidencës së tij e kishte deklaruar si ‘fushën e detyrave të Harris, tani kundërshtari Donald Trump kritikon, se imigranttët ilegalë janë përgjegjës për një pjesë të madhe të problemeve në SHBA.
SHBA po u drejtohet parnerëve të tjerë
Biden do të konsiderohet edhe si personalitet i fundit i madh transatlantik, sepse Gjermania në politikën e jashtme të SHBA-së do të luajë një rol më pak të rëndësishem se në të kaluarën. Po ashtu ajo nuk do të mund të mbështetet kaq fort si deri më sot tek SHBA-ja si një mbrojtëse e sigurisë europiane, thekson Peter Sparding.
“Marrëdhëniet gjermano-amerikane në të ardhmen do të jenë ndryshe, pavarësisht se kush do të drejtojë presidencën në të ardhmen”, thotë Sparding. “SHBA po orientohen drejt hapësirës së Indo-Paqësorit dhe reagojnë edhe ndaj Kinës si një konkurrencë që duhet vlerësuar me seriozitet. Nga ana e SHBA-së pritet që vende si Gjermania të marrin më shumë përgjegjësi në Europë dhe përreth Europës”. /DW
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra