Integrimi
Jeton Kryeziu, avokati që “mundi” futbollistin
Si i ri kishte qenë në dilemë t`i linte studimet, për të vazhduar me futboll. Sot, Jeton Kryeziu është avokat, në krye të një zyre avokatie në Lozanë, me tetë të punësuar
Ka qenë vetëm 1 vjeç kur në vitin 1983 prindërit e tij kanë emigruar në Zvicër. Është rritur e shkolluar në pjesën frankofone të Zvicrës. Pas shkollës obligative, gjimnazin e ka ndjekur në Yverdon-les-Bains. Kurse fakultetin juridik në Universitetin e Fribourgut. Më pas ka punuar 6 muaj në gjykatën e rrethinës Yerdon-les-Bains. Në tetor të vitit 2008 ka bërë praktikën e avokaturës në Lausanne, në zyrën e z. Elie ELKAIM dhe ndërkohë ka punuar si avokat. Në prillin e vitit 2011 ka hapur zyrën KDT Avocats me dy avokatë tjerë dhe pastaj kjo zyrë është rritur gradualisht. Sot KDT Avocats punon me tetë punëtorë, mes tyre katër janë avokatë dhe pjesa tjetër punojnë në sekretariat.
Kush është Jeton Kryeziu dhe si e përshkruan ai veten.
Jeton Kryeziu është nje djalë nga Suhareka që si fëmijë është munduar t’ju shkojë prindërve “për qejfi” e të mos i deshpërojë. Tani është një emigrant që, edhe si fëmijë, është kujdesur të mos të dalë prej “standardit” të ngritur nga shoqëria në Zvicër. Mirëpo me kohë ka mësuar që nuk ka e as nuk duhet ndjekur asnjë standard, dhe nuk ka nevojë të “bëhet si ky, apo si këta”, por as të mos shqetësohet nga diferencat që mund të shfaqen. “Sepse shteti mikpritës i do diferencat tona, qoftë në kulturë, në tradita apo bashkim familjar”, tregon avokati i njohur që pas mbarimit të shkollës së mesme, ishte në dilemë të vendoste për futbollin apo studimet.
Albinfo.ch: Kur keni filluar të punoni si avokat, cila ka qenë puna juaj e parë?
Jeton Kryeziu: Në stazh të avokaturës në 2008. Dosja e parë ka qenë në lidhje me realizimin (shitjen për të marrë të hollat që i takonin një klientit tim) e një objektit në fushën e ndërtimtarisë.
Albinfo.ch: Cilat janë fushat e drejtësisë në të cilat ju angazhoheni?
Jeton Kryeziu: Janë të ndryshme, si për shembull, drejtësia civile, domethënë drejtësia familjare (divorcim, e drejta e femijëve, trashëgimi), kontratat (shit-blerje, mosrealizimi ose keqrealizimi i një kontrate), por ashtu edhe ligji për ndërtimtari dhe firmat që kanë kontratë direkte me pronarin e shtepisë apo që punojnë me “nën-mandate”, domethënë prej një firme kryesore.
Këshillojmë shumë firma lidhur me problemet juridike të përditshme (kontrata me partnerë, kontratat e punës të punëtorëve, ejt.). Por edhe u përgjigjemi pyetjeve për pronën intelektuale, si p. sh. përdorimin e logos, apo të ndonjë punimi tjetër. Gjithashtu, trajtojmë shumë raste administrative, të cilat nënkuptojnë martesat, rastet për lejeqëndrim në Zvicër, por edhe në lidhje me ndërtime ose rastet në komunikacion. Punojmë gjithashtu shumë në lëmin penal.
Albinfo.ch: Çfare përvoje keni krijuar si jurist dhe sa dallon sistemi i drejtësisë këtu me atë të Kosovës apo a mund të bëjmë një krahasim?
Jeton Kryeziu: Pas nje vizite me afër 50 avokatë dhe praktikantë zviceranë në Kosovë në vitin 2015, për 4 ditë takuam shumë avokatë, gjykatës, prokurorë, por edhe ambasadoren e Zvicrës. Dallimi kryesor ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës eshtë zbatimi i ligjeve, dhe zbatimi i vendimeve. Këto veshtirësi e kanë burimin në (pa)varësinë e gjykatës, cila në disa raste është e detyruar të vendosë për palën më të “fuqishme”.
Albinfo.ch: Cili është profili i kancelarisë KDBT Avocats që ju drejtoni?
Jeton Kryeziu: Zyra jonë e ka në fokus kryesor klientin, e jo shifrën e realizuar gjatë një vitit. Avokatët në zyrën tonë janë nga prindër që kanë punuar si punëtorë të thjeshtë. E njohim vlerën e një frangu, por edhe jemi të vetëdishëm për rëndësinë që kanë problemet juridike për klientët.
Albinfo.ch: Çfarë përvoje keni me bashkatdhetarët tanë apo me shqiptarët?
Jeton Kryeziu: Mund të them; shumë të madhe. 50 % të klientëve të mi janë shqiptarë.
Albinfo.ch: Ku janë ata më shumë të prekur nga ligji apo e drejta e tyre?
Jeton Kryeziu: Mund të them lirisht në shumë fusha të ndryshme. Kemi shumë raste familjare, por gjithashtu edhe në lëmin komercial, sepse çdo ditë po shtohet numri I shqiptarëve që hapin ose udhëheqin biznese të ndryshme. Gjithashtu ka edhe shumë raste në lëmin penal.
Albinfo.ch: Çfarë do të thotë të drejtosh një zyrë që është në shërbimin apo mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Cilat janë përgjegjësitë?
Jeton Kryeziu: Konsultimi i një avokati është hapi i parë ku caktohet situata juridike e klientit, domethënë, analizohen të drejtat dhe detyrat e tij. Hapi i dytë verifikon a i ka ushtruar të gjitha të drejtat. A ka të drejta të shkelura e kështu me radhë. Hapi i tretë dhe i fundit është të merret një vendim se si duhet vepruar duke marrë për bazë dy hapat e parë. Për të marrë një vendim, analizohen shanset për të fituar procedurën, apo për të arrituar në një situatë më të favorshme. Ka raste ku e këshillojmë klientin që mos të marrë masa tjera, apo të mos kundërshtojë një vendim, sepse duke pasur parasysh koston e procedurës dhe të avokatit, sigurisht që do të dalë në humbje. Eshtë detyrë e jona të informojmë klientin dhe ta këshillojmë atë.
Albinfo.ch: A ka shkelje të të drejtave dhe nëse po, deri në çfarë mase?
Jeton Kryeziu: Po, ka shkelje të të drejtave. Janë disa “shkelje” që figurojnë në ligj, në bazë të disa principeve apo statistikave, por ka edhe në vendime. Ato në ligj, janë p. sh. sigurimet e automjeteve, të cilët janë më të shtrenjta për klientë të vendeve tjera dhe çmimet dallojnë varësisht prej prejardhjes. Këto dallime mundohen të shpjegohen në bazë të statistikave. Një tjetër pabarazi të ligjit kemi tek paraburgimi, ndër 3 motivet për të mbajtur një person në paraburgim, është kur ndodh një vepër penale dhe para gjykimit “rreziku i ikjes apo arratisjes” është evident. Në disa raste, ky motiv lejon që të futet një i huaj në paraburgim sepse ekziston rreziku i ikjes. Mirëpo për një zviceran që ka marrë pjesë në atë vepër, si p. sh. në një vjedhje bashkë me të huajin, ky rrezik nuk ekziston, dhe ai do të lihet i lirë sepse konsiderohet që zvicerani nuk përbën rrezik per ikje. Në aplikim të ligjit tani, më ka ndodhur shpesh të kem raste me bashkatdhetarë tanë që vijnë në Zvicër me lejeqendrim të Italisë apo të shteteve tjera të zonës Schengen. Këta, janë dënuar nga prokuroria për qendrim dhe punë të pa autorizuar. Ne kemi kundërshtuar këto vendime duke dëshmuar që kanë të drejtë të vizitojnë familjarët në Zvicër gjatë nje periudhe të kufizuar, dhe gjithmonë kemi fituar.
Albinfo.ch: A është e shtrenjtë puna e avokatit apo cila është rruga më e mirë që duhet të ndjekë një qytetar në mënyrë që të mos ketë shpenzime të mëdha?
Jeton Kryeziu: Puna e avokatit nuk është e lirë. Pa hyrë në detaje, si çdo çmim i tregut, fiksohet në bazë të shpenzimeve (zyra, arsimimi i vazhduar, punëtorët, etj.). Megjithatë, Zvicra ka një sistem shumë të mirë për persona që nuk kanë mundësi të paguajnë punën e avokatit. Ekziston „Ndihma gjyqësore“. Kjo ndihmë kërkohet përmes avokatit që konsulton klientin. Personalisht, gjithmonë ia propozoj klientëve të rinj. Ndryshe, situata financiare nuk duhet të jetë pengesë për asnjë qytetar për ushtrimin e të drejtave të tij. Ky princip është bazë e një shteti ligjor, sepse përndryshe vetëm njerëzit e pasur do të kishin mundësi të mbroheshin në gjykatë dhe të ushtronin të drejtat e tyre.
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriJeton Kryeziu
- Prejardhja:Kosovë
- Vendi ku vepron:Lozanë
- Profesioni:Avokat
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
Jeta në Zvicër
-
Rritja e taksave turistike e planifikuar për Crans-Montana nxit zemërimin e pronarëve Resorti Valais i Crans-Montana planifikon të rrisë taksat turistike nga 3 në 5 franga për natë...
-
Policia ndalon trafikun në tunelin Gotthard për shkak të borës
-
Bora pengon qarkullimin rrugor në Alpe
-
Çmimet e ndërtimit janë ende në rritje, por jo në Ticino
-
A janë zviceranët dorështrënguar?