Muzikë
Jeton Kadriu, DJ resident në njërin ndër klubet më të mëdhenj në Evropë
DJ Dark Child, emri artistik me të cilin Jeton Kadriu tashmë njihet për publikun e gjerë, është shqiptari që me muzikën e tij po argëton jo vetëm rininë shqiptare, por edhe atë evropiane
Ai lindi në qytetin e Gostivarit, ku kaloi një pjesë të bukur të jetës së tij, para se të shpërngulej në Zvicër, aty ku jeton dhe punon që nga viti 2015. Studimet i ka përfunduar në Universitetin Shtetëror të Tetovës.
“Nuk kam pasur gjithçka që dua, por nuk më ka munguar asgjë”, shprehet Jetoni, teksa tregon për fëmijërinë dhe jetën në qytetin e lindjes para se të shpërngulej në Zvicër. Ai për albinfo.ch thotë se prindërit kanë luajtur rol kyç në zhvillimin e tij, si personal, ashtu edhe profesional, e për këtë ai është shumë falënderues.
Nga ëndrra për t’u bërë futbollist i shquar, te zbulimi i pasionit për muzikën
Pasioni i parë për Jetonin nuk ka qenë muzika, por sporti. Kështu, ai që në fëmijëri ka ëndërruar fushat e blerta dhe të bëhet futbollist. Planet i ndryshuan pas një lëndimi që pësoi, duke i ndalur kështu ëndrrën në gjysmë.
“Është interesant fakti se plani i jetës sime nuk ishte të bëhem DJ, por futbollist i shquar. Mirëpo kjo nuk ndodhi dhe ja ku jam sot si një DJ i mirënjohur. Pasioni im për muzikë ka lindur që nga koha e gjimnazit, në vitin 2008, kur në një ekskursion me shkollën në Turqi kam pasur rastin të bëj muzikë për shoqërinë time. Kështu, unë nuk kam qenë fare në dijeni për talentin që kam deri në atë moment. Mund të them se ka qenë si dashuri me shikim të parë, pasi sapo kam parë pajisjet për DJ më kanë bërë për vete, edhe pse nuk e kisha as idenë më të vogël se si funksionojnë apo sa kushtojnë”, shprehet ai për albinfo.ch.
Ambientimi dhe jeta në Zvicër
Shpërngulja nga vendlindja mund të themi se për shumë njerëz është një proces jo i lehtë, duke marrë parasysh ambientimin me gjuhën, kulturën dhe traditën e vendit tjetër. Por, përkundrazi për Jetonin, siç duket, kjo periudhë nuk ka qenë aq e vështirë.
“Në Zvicër kam ardhur në vitin 2015 dhe ambientimi këtu nuk ka qenë i vështirë për mua, pasi ky shtet ka qenë gjithmonë qëllimi im. Që nga ardhja ime këtu jam ndier si në shtëpi. Fillimisht kam jetuar në Luzern, ku kam punuar me menaxhmentin, i cili më ka prenotuar në klube në qytete të ndryshme të Zvicrës, po ashtu edhe në Gjermani e Austri. Më pas që nga 2017-ta deri në fund të vitit 2021 në Cyrih, sepse që atëherë kam filluar punën në ‘‘Rinora 4’’ për të mos u ndalur kurrë sot e asaj dite. Ndërsa në fillim të vitit 2022 jam kthyer në Luzern për të bashkëjetuar me bashkëshorten time”, thotë ai.
Nga ana tjetër, fillimi i një karriere në një vend të huaj është mjaft sfidues e kështu ka qenë edhe për DJ Dark Child.
“Çdo fillestar, pa marrë parasysh profesionin, në fillim e ka të vështirë dhe arsyet janë të shumta. Në njërën anë nuk i kam pasur mundësitë financiare të blej pajisjet profesionale që më pëlqenin, prandaj më është dashur të punoj me muaj që të pajisem me gjërat e nevojshme, këtu dua ta përmend dhuratën e parë që e kam marrë nga nëna ime, një laptop me të cilin kam punuar në fillimet e mia dhe të cilin do ta ruaj gjithmonë. Në anën tjetër, jam ballafaquar me nënvlerësim, urrejtje dhe përqeshje nga njerëz të tjerë. Të paktë kanë qenë ata që besonin në mua se një ditë do të “shpërthej”. Kështu përveç që duhej të luftoja për një vend pune, duhej t’i luftoja edhe shumë paragjykime’’, tregon DJ shqiptar.
Ndarja e skenës me yjet botërore
Pas punës së pandalshme dhe mundit të madh që Jeton Kadriu i ka dedikuar profesionit të tij, sigurisht se suksesi është i garantuar dhe kështu ndodhi, pasi ai sot është një ndër DJ-t më të kërkuar.
Vlen të përmendet se ai ka ndarë skenën me yjet botërore, si: Tyga, The Game, Wiz Khalifa, Migos, G4shi, Lil Jon etj.
Dj Dark Child ka pasur disa bashkëpunime me artistë shqiptarë si Elita Zyberi, Bardhi dhe këngëtarin e mirënjohur Butrint Imerin, të cilin e ka shoqëruar në turne për më shumë se dy vjet.
‘‘Rinora 4”, shtëpia e dytë e DJ Dark Child
Tani Jeton Kadriu ka krijuar një bagazh profesional dhe është DJ resident në një nga klubet më të famshme në Europë “Rinora 4“, aty ku ai ndihet shumë i lumtur dhe si në shtëpinë e tij të dytë.
„Rinora 4 është simbol i klubeve të natës jo vetëm në Zvicër, po kudo në Evropë, kjo dihet nga fakti se merret shembull nga të gjithë. Për mua është ëndërr dhe privilegj që jam aty, sepse është ëndërr e çdo artisti shqiptar të shkelë vetëm një herë në atë skenë, që unë e bëj çdo të premte dhe të shtunë. Mund të them se „Rinora 4“ është si një fabrikë, e cila punon jashtëzakonisht shumë çdo ditë, në mënyrë që vikendi të jetë i përkryer“, shprehet i lumtur ai.
Sa u përket vendeve shqiptare, ai e shijon më shumë jetën e natës në Kosovë.
Çka i duhet një DJ-i që të jetë i suksesshëm?
Sigurisht se suksesi në punë nuk vjen rastësisht, ka disa hapa për ta arritur dhe Dj Dark Child tregon rrugën që ka ndjekur.
‘‘Fillimisht kërkohet durim, sepse sot ka aq shumë konkurrencë sa që është vështirë të depërtosh në treg. Nese ke durim, pastaj kalon në tipare të tjera, siç janë: profesionalist në punë, i përpiktë, i fokusuar, super social, i drejtpërdrejtë dhe mbi të gjitha të jesh në hap me trendet, atë që pëlqen publiku më shumë“, thotë ai.
Planet për të ardhmen
Të arrish të kesh sukses ndoshta nuk është diçka shumë e vështirë aq sa të mbetesh në trend dhe i kërkuar nga publiku për vite me radhë, prandaj shumë të famshëm nuk ndalen asnjëherë së punuari e kërkuari për idealen.
Jeton Kadriu nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq, ka edhe shumë plane e projekte për të ardhmen. Por duke qenë se ai është person shumë familjar, pasi sezoni i ngjeshur verore përfundoi, fillimisht do tu kushtojë kohë njerëzve të tij të dashur, duke u rikthyer më pas me gjëra të reja.
Ndër të tjera tregon se një nga DJ-t e preferuar të tij është DJ Snake, një bashkëpunim me të cilin do të ishte ëndërr e realizuar.
‘‘Së pari në plan është muaji i mjaltit, pastaj shohim (qesh). Ka shumë projekte që janë të përfunduara dhe persin për t’i lansuar. Në vitin 2023 do të punoj në studio, por gjithashtu jam i hapur gjithmonë për bashkëpunime“, shton për fund DJ Dark Child.
Bashkëpunimi me yjet botërore dhe ëndrra e Jetonit
Vlen të përmendet se ai ka ndarë skenën me yjet botërore, si: Tyga, The Game, Wiz Khalifa, Migos, G4shi, Lil Jon etj. Ndërsa një nga DJ-t e preferuar të tij është DJ Snake, një bashkëpunim me të cilin do të ishte ëndërr e realizuar.
Gresa Mehmeti
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriJeton Kadriu
- Prejardhja:Gostivar - Maqedoni
- Vendi ku vepron:Luzern - Zvicër
- Profesioni:DJ
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit? Certifikimi kërkohet për shitjen e shumë mallrave zvicerane në BE. Pa një marrëveshje të re, ekziston...
-
Gripi sezonal, në rritje në Zvicër
-
Rrezik i lartë nga orteku, linja hekurudhore Oberalp ende e ndërprerë
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
Synohet ulja e shpejtësisë në autostradat zvicerane