Kosova

Jessen-Petersen i pikëlluar me vdekjen e mikut të tij, ish-kryeministrit Rexhepi

Në telegram, Jessen-Petersen ka shprehur pikëllimin e tij të thellë për ndarjen nga jeta të Bajram Rexhepit, duke vlerësuar lartë cilësitë njerëzore dhe politike të tij

Vdekja e kryeministri të parë të Kosovës, Bajram Rexhepi përveç që ka pikëlluar familjen, bashkëpunëtorët dhe bashkëluftëtarët në Kosovë, është ndjerë edhe tek bashkësia ndërkombëtare. Me një telegrami ngushëllues ka reaguar ish i dërguari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Soren Jessen-Petersen, i cili thotë se ai ka humbur një mik ndërsa Kosova një politikan besnik e të përkushtuar për vendin e tij.

Përmes një telegrami dërguar kryeministrit Isa Mustafa, Soren Jessen-Petersen, i ka shprehur ngushëllime Qeverisë, popullit të Kosovës dhe familjes Rexhepi, për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.

Në telegram, Jessen-Petersen ka shprehur pikëllimin e tij të thellë për ndarjen nga jeta të Bajram Rexhepit, duke vlerësuar lartë cilësitë njerëzore dhe politike të tij.

“I dashur Kryeministër, me pikëllim të thellë mësova se miku im Bajram Rexhepi është ndarë nga jeta. Bajrami ishte kryeministri i parë me të cilin kam punuar si përfaqësues special në Kosovë. Kam kujtime të mira gjatë punës me një njeri dhe politikan aq të mirë, të përkushtuar dhe dashamirës”, shkruan Jessen-Petersen.

Vdekja e tij, sipas danezit Jessen-Petersen, është humbje për Kosovën, për familjen dhe miqtë e tij.

“Dëshiroj t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta, përmes jush, për Qeverinë dhe popullin e Kosovës si dhe për Familjen Rexhepi”, ka shkruar ish i dërguari special, Soren Jessen-Petersen.