Kosova
Jeni nisur, me makinë, për pushime në vendlindje: Çfarë duhet të dini?
Pushimet verore janë në vlugun e tyre. Në tekstin më poshtë gjeni informata konkrete rreth alternativave tjera të udhëtimit drejt vendlindjes, pos atij me aeroplan
Për diasporën pa dyshim që koha e pushimeve verore është një periudhë shumë e pëlqyer, si një mundësi për të udhëtuar drejt vendlindjes. Pos fluturimeve me aeroplan, që në këtë periudhë të vitit çmimet dinë të jenë në ekstremet e tyre, një alternativë tjetër që shfrytezohet shumë nga mërgimtarët është edhe rruga tokësore.
Për një rrugëtim të tillë, tashmë mërgimtarët tanë nga Evropa, e posaçërisht ata nga Zvicra, kanë mundësi të shumta, e duke udhëtuar për shumë vjet me radhë, secili nga ta ka krijuar tashmë trasenë e parapëlqyer, e cila është më e shkurta ose më e mira.
Duke qenë se në të shumtën e rasteve duhet kaluar nëpër Serbi, pas pavarësisë së Kosovës më 2008, qarkullimi nëpër këtë shtet ishte vështirësuar paksa, sidomos për ata qytetarë që kishin vetëm pasaporta të Kosovës. Por, pas një marrëveshjeje për qarkullim të lirë mes Serbisë dhe Kosovës, qytetarët kosovarë duhet të pajisen me një lloj vërtetimi nga autoritetet kufitare serbe, pasi që Serbia nuk e njeh ende pasaportën e Kosovës.
Jeni nisur për në vendlindje me makinë: Cilën rrugë do ta zgjedhni?
Por cilat janë trasetë që shfrytëzohen më shpesh për në vendlindje nga diaspora jonë e Zvicrës? Mjafton një kërkim i thjeshtë në Google Maps dhe të dalin menjëherë 3 rezultate, të cilat ndiqen nga shumë bashkëatdhetarë tanë në Zvicër.
Sipas Google, rruga më e shpejtë dhe më e shkurtët llogaritet ajo Gjermani-Austri-Slloveni-Kroaci-Serbi dhe në fund në Kosovë. Gjatësia e këaj rruge është 1680 kilometra, e nëse ngitet sipas rregullave, koha që merr kjo rrugë është 17 orë e 45 minuta.
Me 1796 kilometra është një rrugë tjetër përmes së cilës vihet në vendlindje. Edhe kjo fillon përmes Gjermanisë, pastaj kalohet në Austri, Hungari, më pas nëpër Serbi dhe në fund Kosovë. Edhe këtu kohëzgjatja është pothuajse e njejtë, me vetëm gjysëm ore më shumë.
Një mundësi tjetër, e që pëlqehet shumë është edhe ajo nga Italia, ku përmes tunelit të Gothardit në Zvicër, kalohet fillimisht në pjesën italisht folëse të Zvicrës nga më pas hyhet në shtetin italian, për të vazhduar me Slloveni-Kroaci-Serbi dhe në fund Kosovë. 1730 kilometra është gjatësia e këtij rrugëtimi, me kohë prapë pothuajse të ngashme me dy të tjerat.
Rrugës nëpër Serbi, llogaritni edhe “trajtime shtesë”
Për të gjithë ata që kanë vendosur ose që duan të marrin njërën nga trasetë e lartëpërmedura për në vendlindje, e që të gjitha kalojnë nëpër Serbi, tashmë siç është bërë ”traditë” duhet llogaritur në disa trajtime shtesë atje. Fillimisht duhet llogaritur në kolona të gjata automjetesh, sidomos në kufirin Kroaci-Serbi.
Pas kësaj, ata të cilët kanë pasaporta kosovare, pas identifikimit me vetëm letërnjoftimet, duhet që më pas të pajisen edhe me një vërtetim që mundëson kalimin nëpër Serbi, afati i të cilit tashmë zgjat 2 muaj. E si pasojë e neglizhencës së palëve kufitare apo edhe mbingarkesës, shpesh duhet pritur në radhë edhe për të hyrë në Kosovë, pritje këto që shpesh dijnë të shkojnë deri ne 5 orë.
Për t`i shmangur pritjet e mundshme, pothuasje në të tri rrugët e lartëshënuara preferohet që të shfrytëzohen pika më të vogla kufitare, ku qarkullimi dhe kontrollet janë më të thjeshta.
Përmes Italisë dhe Adriatikut, në Shqipëri
Një mundësi tjetër për të injoruar kalimin nëpër Serbi, është po ashtu ku përmes Italisë e më pas Kroacisë, kalohet nëpër një pjesë të vogël në territorin boshnjak, duke vazhduar më pas me Malin e Zi e më pas në Kosovë, që mund të bëhet përmes Shqipërisë, apo edhe përmes Rozhajës. Për dallim nga 3 trasetë tjera, kjo është paksa më e gjatë si në kilometra ashtu dhe në kohë.
Pos mundësive tërësisht tokësore, ka mundësi edhe për kombinime tokë-det. Tashmë janë disa rrugë që bashkatdhetarët tanë mund t`i shfrytëzojnë për në vendlindje. Përmes porteve detare si nga Ankona, Bari apo edhe ndonjë tjetër, diaspora nga Zvicra me anë të tragetit, me një udhëtim disa orësh, gjendet në anën tjetër të detit, pra në bregdetin shqiptar. Nëse trageti zbarkon në Durrës, rruga detare drejt vendlindjes mund të kalohet në maksimum 4 orë.
Ndryshe, ne dëgjojmë nga shumë bashkatdhetarë tanë se si mburren për kohëzgjatjen e udhëtimit të tyre për në Kosovë, herë 13 e herë 14 orë. Për këtë arsye është bërë shpesh herë apel që të respektohen rregullat e parapara, për t`u kursyer nga dënimet shpesh herë të larta, apo edhe nga më e keqja, nga ndonjë aksident vdekjeprurës.
Duke qenë gjithmonë në shërbim të diasporës, albinfo.ch me anë të këtyre informatave, është përpjekur të japë një pasqyrë për alternativat e tjera të udhëtimit, pos atij me aeroplan. Duke ju uruar ngasje të këndshme, pa pritje të gjata e pa ndonjë komplikim tjetër gjatë udhëtimit, ne vetëm iu themi RRUGË TË MBARË PËR NË VENDLINDJE.
Kujdes nga ndihmësit e rrejshëm nëpër rrugët e Ballkanit!
Shoqata më e madhe e evropiane automobilave, ADAC u ka bërë thirrje anëtarëve të vet në Ballkan që të jenë vigjilentë kur udhëtojnë jashtë vendit: Një problem është “se në Serbi, Hungari, Bullgari, Kroaci, Slloveni, Sllovaki, Lituani dhe Poloni janë aktivë “ndihmës” të rremë nëpër rrugë”, thuhet në apelin e ADAC. Tashmë është bërë publike edhe në Serbi se të ashtuquajturit “piratët e rrugës” po mashtrojnë shoferët e huaj nëpër rrugët në Serbi. Disa shoferë gjermanë të cilët kaluan nëpër Serbi duke u kthyer nga pushimet, u ankuan në mediat lokale se ata nuk kaluan mirë kur makina e tyre u prish në rrugë. Megjithëse ata kërkuan ndihmë në rrugë, si anëtarë të ADAC, një mashtrues u erdhi në ndihmë dhe i dërgoi te një mekanik që u kishte marrë sasi të madhe parash për ta riparuar automjetin e tyre. Kjo është arsyeja pse gazeta gjermane “Welt” ka paralajmëruar të gjithë shoferët të jenë të kujdesshëm veçanërisht kur kalojnë nëpër Serbi.
Kaq paguhet për tarifat rrugore nëpër shtetet e Europës
Kush udhëton me veturën e tij ose ndonjë automjet tjetër drejt Europës, duhet të përllogarisë edhe taksat rrugore për përdorimin e autostradave, tuneleve ose urave.
Në cilat shtete duhet të paguhen tarifa rrugore dhe sa të larta janë ato, mund ta mësoni në vijim me shtetet të renditura sipas alfabetit (burimi: ADAC, Albinfo dhe ÖAMTC):
Zvicër
Në Zvicër ka mundësi vetëm për vinjetë vjetore: rreth 38 euro, e cila vlen për 14 muaj. Në rast se nuk ka vinjetë të ngjitur në automjet, gjoba arrin deri 200 euro.
Austria
Në Austri vlen sistemi i vinjetave. Automjetet deri 3.5 tonë duhet të paguajnë: Vinjeta 10 ditore: 9 Euro; Vinjeta dy mujore: 26,20 Euro; Vinjeta vjetore: 87,30 Euro. Gjoba: Nga 120 euro dero 300 euro
Sllovenia
Gjithashtu edhe në Slloveni vlen sistemi i vinjetave. Automjetet deri 3.5 tonë duhet të paguajnë: Vinjeta 7 ditore: 15 Euro; Vinjeta 1 mujore: 30 Euro; Vinjeta vjetore: 110 Euro. Gjoba: 300 deri 800 Euro, me pagesë të menjëhershme 150 euro
Kroacia
Sistem të ngjashëm ka edhe Kroacia ku pagesa bëhet në fillim ose në fund të autostradës. Ka pagesa shtesë për urat, tunelet.
Hungaria
Në Hungari vlen një rregull strikt i vinjetave. Çmimi për automjete deri 3.5 tonë është: Vinjeta 10 ditore: rreth 9,50 Euro; Vinjeta mujore: rreth 10 Euro; Vinjeta vjetore: rreth 137 Euro. Gjobat: nga 50 euro e përpjetë
Italia
Në Itali sundon ligji i pagesës sipas përdorimit të kilometrave. Në fillim tërhiqet bileta, në fund paguhet. Çmimi është 6 cent për kilometër. Gjithashtu ka pagesa ekstra për tunele, ura. Qendra historike e Romës nuk lejohet për automjete.
Kosova
Në Kosovë as vendësit dhe as të huajt nuk duhet të paguajnë taksë rrugore. Përjashtim bën Sigurimit Kufitar. Kosova aktualisht nuk është pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër, pasi neni 4.2 i Kushtetutës së Këshillit të Byrove thekson se një byro e cila synon të anëtarësohet në Këshillin e Byrove, duhet të jetë byroja e një shteti i cili është i njohur ndërkombëtarisht dhe është i anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Motoristët e mjeteve kosovare të cilët dëshirojnë t’i kalojnë kufijtë, si dhe motoristët të cilët dëshirojnë të hyjnë në Kosovë, duhet të pajisen me sigurim kufitar.
Çka mbulon sigurimi kufitar?
Sigurimi kufitar i mbulon të gjitha dëmet ndaj palëve të treta, të cilat shkaktohen nga pronarët e mjeteve motorike me tabela të huaja që kanë sigurim të vlefshëm kufitar. Ky sigurim nuk i mbulon dëmet e shkaktuara në automjetin e shkaktarit të dëmit, dëmet e shkaktuara nga personat e panjohur (N/N ose godit dhe ik), dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, si dhe dëmet e shkaktuara nga vetë poseduesi i këtij sigurimi, vetërrokullisja, kafshët në rrugë etj.
Kujdes duhet të keni në rastet kur keni veturën tuaj të siguruar kasko. Shumica e sigurimeve në Zvicër nuk mbulojnë sigurimin kasko në Kosovë. Përjashtim bëjnë vetëm Axa-Winterthur dhe Zürich Versicherung, të cilat në bazë të parimit kulancë e mbulojnë edhe Kosovën, por kujdes: nuk janë të obliguar ligjërisht.
Serbia
Në Serbia ka disa pika pagesore dhe atë për veturat deri 3.5 tonë vlen: Sid drejt Beograd: rreth 3 Euro
Beograd-Nish-Leskovc: rreth 8,50 Euro
Maqedonia
Mbi autostradat M1, M3 dhe M4 paguhet në hyrje ose dalje të autostradës. Çmimi është 5 cent për kilometër.
mes Kumanovës dhe Miladinovci: 2×1 euro për automjete të vogla, deri 2X4 euro për automjete të mëdha.
mes Miladinovci dhe Shkupit: 2×0.80 cent për automjete të vogla deri 2×2.50 euro për automjete të mëdha ;; mes Shkupit dhe Velesit: 120 denarë (rreth 2 euro) për vetura ; mes Shkupit dhe Tetovës: 80 denarë (rreth 1.4 euro) për vetura ; mes Tetovës dhe Gostivarit: 60 denarë (rreth 1 euro) për vetura
Së shpejti nga Shkupi deri në Gjevgjeli do ketë pesë pika pagese me çmim rreth 5 euro për vetura dhe rreth 20 euro për kamionë.
Shqipëria
A duhet të paguhen në Shqipëri tarifë rrugore? Ende jo. Tuneli i Kalimashit është i vetmi aks rrugor që duhet të paguar. Qytetarët e Kosovë që kalojnë duhet të paguajnë tarifën prej 660 lekë (5 euro).
Aksidentet e makinave jashtë vendit, me pasoja më të rënda
Këshillat e mëposhtme duhet të ndiqen. Si rregull, është e këshillueshme që të telefononi policinë. Në rast të viktimave, kjo është edhe një domosdoshmëri, sidomos kur pala tjetër nuk bashkëpunon.
Për dëmin e pronës dhe çdo mosmarrëveshje në lidhje me atë si ndodhi aksidenti, “Raporti Evropian, Aksidenti” është gjithashtu zakonisht i mjaftueshëm në vend të një raporti të policisë. Kjo duhet të plotësohet dhe të nënshkruhet nga të gjithë pjesëmarrësit e aksidentit.
Në çdo rast, aksidenti duhet të bëhet i ditur menjëherë dhe në mënyrë sa më të detajuar, sipas radhitjes së mëposhtme të informacionit: emrin dhe adresën e palës tjetër dhe palët e tjera të përfshira, emrin dhe adresën e dëshmitarëve, emrin dhe adresën e siguruesit të palës tjetër, numrin e kartës dhe sigurimit të gjelbër. E rëndësishme: Asnjëherë mos e pranoni përgjegjësinë në vendin e aksidentit. Këtë e vendos gjykata.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra Një familje kosovare përshkruan një udhëtim të tmerrshëm nëpër Kroaci dhe Serbi, duke bërë thirrje për...
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra