Bota

Jakup Krasniqi drejt Hagës, reagimet në Kosovë

Kanë qenë të shumta reagimet për bastisjen nga EULEX-i në shtëpinë e Jakup Krasniqit

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, do të niset drejt Hagës për në Gjykatën Speciale.

Dërgesa e tij në Hagë po ndodhë pas intervistimit 10 orësh në shtëpinë e tij nga Policia e EULEX-it, njoftojnë mediat kosovare, përcjell albinfo.ch.

Avokati i Jakup Krasniqit, Valon Hasani, ka thënë se Gjykata Speciale i ka konfirmuar aktakuzën e ngritur ndaj klientit të tij.

“E konfirmuan se është konfirmuar aktakuza kundër tij. Dhe pritet shumë shpejt të caktohet seanca para Dhomave të Specializuara”.

“Procedura ka zgjatur për shkak se ka qenë operacioni i bastisjes. Dyshohet për vepra të cilat nuk janë të  specifikuara, por janë në kuadrin e veprave që bien nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara”.

“Urdhërarresti për Krasniqin u bë i njoftuar vetëm sot. Ia dorëzuan urdhërarrestin dhe urdhrin për bastisje”.

Sekretar i Nismës, Bilall Sherifi, thotë se është paradoksale ajo çka po ndodh në Prishtinë me bastisjen e shtëpisë së Jakup Krasniqit nga Policia e EULEX-it.

“Zëdhënësi i Milosheviqit është zgjedhur kryetar i Kuvendit, i cili kërcënon të gjithë ata serbë që po denoncojnë varrezat masive të shqiptarëve, kurse zëdhënësi i UÇK-së ftohet, arrestohet, bastiset gjoja për krime të luftës”.

Sherifi tha se bastisja që ndodhi këtë të mërkurë ka qenë traumatike për familjarët e Krasniqit.

“Sot konsiderojmë që skenat që po i shohim janë të panevojshme, por gjithsesi traumtaike për familjen Krasniqi. Ai ka qenë i gatshëm t’i përgjigjet drejtësisë, siç ka bërë në të kaluarën. Nisma beson fuqishëm në luftën e drejtë për liri dhe pavarësi. Jemi të bindur që askush s’mund ta njollosë veprën e tij. UÇK-ja është arritja më e madhe e kombit shqiptar dhe këtë askush s’mund ta mohojë”.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një konferencë për media pas arrestimit të kryetarit të Këshillit të kësaj partie, Jakup Krasniqit, ka thënë që ishte e panevojshme bastisja që iu bë familjes Krasniqi.

“Ka qenë të panevojshme skena të tilla. Ne besojmë që një bastisje e tillë nëse ka qenë e nevojshme për drejtësinë ka mundur të bëhet krejt ndryshe, pa pasur nevojë të shkohet në 6 të mëngjesit, pa pasur nevojë të traumatizojë, por thjesht duke njohur personalitetin e Krasniqit, gjithë kjo ka mundur të bëhet në mënyrë tjetër”.

“E kuptoj se si ndihet familja Krasniqi, sepse kemi kaluar në situata të tilla dhe ne sot bashkë ndjejmë me ta”.

“Në situata të tilla vlerësohen personalitetet, njerëzit dhe sjellja e tyre, përgjegjshmëria e tyre ndaj proceseve. Krasniqi sot, unë besoj nuk ka personalitet në kombin shqiptar në mesin e të gjallëve, nuk ka sot as Kosova as Shqipëria që është personifikim i lirisë, i shtetit të Kosovës”, tha Limaj.