Zhvillim

Ja si “i zbrazin xhepat” mërgimtarët në Kosovë

Të rinjtë më tepër shpenzojnë në lokale, ndërsa personat më të moshuar, investojnë në patundshmëri dhe objekte banimi

Ardhja e mërgimtarëve në Kosovë për pushime sjell me vete një ringjallje financiare. Dyqanet, qoftë ato në sektorin e shërbimeve, por edhe dyqane të vogla dhe qendra tregtare, kanë zgjatur orarin e tyre të punës deri vonë pas mesnate.
Ndërkaq, nëpër rrugë shihen teksa qarkullojnë vetura me regjistrime nga shtete të ndryshme të botës.
Disa nga mërgimtarët, tregojnë se gjatë një viti kursejnë para që të shpenzojnë për pushime në Kosovë, por edhe për t’i ndihmuar familjarët etyre.
Një nga ta është Besarta Haliti nga Gjilani, e cila jeton tash e 18 vite në Gjermani. Besarta tregon se shumën më të madhe të parave e shpenzon nëpër lokale të ndryshme.
“Unë gjatë një viti e kam vetëm këtë pushim, kështu që dal dhe shpenzoj shumë nëpër lokale, kënaqem në Kosovë. Çmimet për mua nuk janë të shtrenjta”,  tha Besarta.
Por, mënyra e shpenzimeve të parave të kosovarëve që jetojnë në diasporë, dallon mes gjeneratave të reja dhe atyre të vjetra.
Të rinjtë më tepër shpenzojnë në lokale, por personat më të moshuar, investojnë në patundshmëri dhe objekte banimi.
Mbi 70 për qind vetëm në sektorin e ndërtimtarisë, rritet kërkesa për blerje të banesave, thonë udhëheqës të Shoqatës së Ndërtimtarëve në Kosovë.
Kryetari i kësaj shoqate Brahim Selimaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se sektori i ndërtimit varet nga diaspora.
“Të vetmen shpresë qe Kosova e pret është nga mërgimtarët. Edhe sektorin e ndërtimit e ringjall diaspora. Me ndihmën e bashkatdhetarëve tanë, ndërtimtarët ia dalin të ekzistojnë. Pra, 70 për qind e blerjeve të objekteve të banimit janë nga kosovarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës“, tha Selimaj.
Se ekonomia e Kosovës ringjallet nga diaspora në muajt e verës, thonë edhe përfaqësues të komunitetit të bizneseve.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se gjatë kësaj periudhe rritet qarkullimi në të gjitha kategoritë e dyqaneve, rrjedhimisht edhe të hyrat në buxhetin e shtetit.
“Ekonomia e Kosovës mbi 30 për qind është e varur nga remitencat dhe diaspora, e që i ka dy sezona. Bizneset dhe operatorët e ndryshëm ekonomik e mirëpresin sezonin e verës dhe sezonin e vitit të ri, e që në këto dy raste, vijnë paratë e freskëta drejtpërdrejtë në ekonomitë familjare, tregtare dhe prodhuese. Kjo ndikon në rritjen e aktiviteteve dhe shitjeve të produkteve të ndryshme, në të hyrat e buxhetit, por që paraqitet edhe si infuzion për ekonominë e Kosovës”, tha Shahini për Radion Evropa e Lirë.
Përveç shpenzimeve që mërgimtarët bëjnë për pushime në Kosovë, numri më i madh i tyre gjatë tërë vitit dërgojnë mjete për familjarët.
Afër 300 euro në muaj, vlerësohet se qytetarët e Kosovës pranojnë remitenca nga diaspora.
Sipas të dhënave zyrtare, shuma e mjeteve të dërgesave të emigrantëve kosovarë që çdo vit hyjnë në Kosovë, është rreth 600 milionë euro.