Kosova

Sa aplikacione nga diaspora janë pranuar për zgjedhjet lokale në Kosovë

 

Mësohet se mbi 3 mijë aplikacione janë pranuar për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për zgjedhjet e 17 tetorit, transmeton albinfo.ch.

Lajmin për këtë e ka dhënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. “Sipas të dhënave nga shërbimi votues, deri më 9 gusht, janë pranuar 3,207 aplikacione për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar 2,969, ndërsa 238 të tjera jo, pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike. Edhe për këto raste, shërbimi votues i ka njoftuar për dokumentet që duhet t’i dërgojnë në mënyrë që t’iu aprovohet kërkesa për regjistrim si votues jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi.

Po ashtu, ai shprehet se votuesit jashtë Kosovës mund të votojnë përmes postës nga 15 shtatori e deri më 15 tetor.

“Të gjithë aplikuesit që plotësojnë kriteret ligjore për t’u regjistruar si votues jashtë vendit mund të votojnë gjatë periudhës së votimit përmes postës, e cila fillon më 15 shtator, ndërsa fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 15 tetor 2021”, tha ai.