Opinione

Ja përse duhet të marrim pjesë në zgjedhje

Me zgjedhjet në Kosovë nuk zgjidhen problemet brenda nate, por besohet se me zgjedhjen e kandidatëve të duhur mund të ndikohet shumë për një të ardhme më të drejtë e më të mirë të Kosovës

Dëgjoj shpeshherë të thuhet: “Ah, politika nuk më intereson!”. Por ky është gabimi i madh! Politika ka të bëjë me të gjithë ne. Me secilën nënë, secilin baba, secilin që paguan taksa dhe sigurime, secilin/ën qiramarrës/e ose qiradhënës/e, secilin/ën student/e, secilin/ën që varet nga ndihmat sociale dhe secilin/ën që kërkon punë ose që nuk gjen dot banesë. Prandaj politika është e rëndësishme!

Është me rëndësi që ne të gjithë të votojmë dhe të marrim pjesë në zgjedhje, sepse në një sistem si ky në Zvicër dhe ai në Kosovë, ne mund të mbikëqyrim se në cilin drejtim do të lëvizë sistemi ynë dhe shoqëria jonë.

Dhe po të mendosh se sa shumë është luftuar për të arritur këtë demokraci që ne sot e gëzojmë, do të duhej që votimi dhe pjesëmarrja në zgjedhje të bëhej detyrë e të gjithëve.

Pastaj është me rëndësi që të mos i besojmë vetëm marketingut të partive të ndryshme, por të marrim kohë dhe të informohemi vetë: “Cilat janë shqetësimet e mia personale dhe kush i përfaqëson ato më së miri?”. Edhe më e rëndësishme është t`i shtrojmë pyetjen vetes: “Me cilat vështirësi duhet të luftojë shoqëria ku jetoj unë  dhe cila parti ka idenë konkrete dhe kandidatë të besueshëm për t`i adresuar problemet dhe për t`i zgjidhur ato”.

Kur shikoj, para së gjithash në Kosovë, shoh se ka kaq shumë probleme dhe megjithatë ka shumë mundësi. Varfëri e madhe, shkallë e lartë e papunësisë, jetësim i mangët i barazisë në mes të burrit dhe gruas, sigurim i mangët shëndetësor dhe jetësor, mungesë politikash mjedisore dhe në këtë kontekst, mungesë investimi në energji alternative të ripërtërishme, që do të favorizonin shëndetin dhe ambientin. Po kështu mungon shfrytëzimi dhe ruajtja e duhur e burimeve ekzistuese, ndërsa shumë nga këto probleme janë shpesh të lidhura me korrupsionin ekzistues dhe me politikën që bëhet në favor të pasanikëve të pakët, në kurriz të shtresës së gjerë të popullit punonjës dhe të të varfërve.

Po kështu duhet qenë të vetëdishëm se shumica e popullatës përbëhet pikërisht nga këto shtresa, prandaj fokusi i politikës duhej të ishte para së gjithash te to, dhe jo te pakica e pasur.

Natyrisht, me zgjedhjet si këto që janë në prag në Kosovë nuk zgjidhen problemet brenda nate, por besohet se me zgjedhjen e kandidatëve të duhur, mund të ndikohet shumë për një të ardhme më të drejtë e më të mirë të Kosovës, pasi që një individ nuk mund ta ndikojë i vetëm gjithë politikën, por mbi bazën e sistemit politik, mund të trasohen shtigje në sektorë të ndryshëm dhe të drejtohet Parlamenti në drejtimin e duhur.

Prandaj: Ne e kemi në dorë të kontrollojmë se në cilin drejtim do të lëvizë qeveria dhe si do të zhvillohet shoqëria.

Pjesëmarrja në zgjedhje, detyrë e të gjithëve

 Është me rëndësi që ne të gjithë të votojmë dhe të marrim pjesë në zgjedhje, sepse në një sistem si ky në Zvicër dhe ai në Kosovë, ne mund të mbikëqyrim se në cilin drejtim do të lëvizë sistemi ynë dhe shoqëria jonë. Dhe po të mendosh se sa shumë është luftuar për të arritur këtë demokraci që ne sot e gëzojmë, do të duhej që votimi dhe pjesëmarrja në zgjedhje të bëhej detyrë e të gjithëve.