Zhvillim
Ja kush do ta ndërtojë gjigantin “Kosova e re”

Në një njoftim që ka bërë publik të martën, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) lajmëroi se ka arritur marrëveshje me kompaninë Contour Global për ndërtimin e termocentralit të ri, të ashtuquajtur “Kosova e Re”. Megjithatë, detajet për këtë marrëveshje ende nuk dihen.
Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje me Bankën Botërore dhe kompaninë Contour Global për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” dhe pret që në ditët në vazhdim të formalizojë nënshkrimin e kontratës.
Gjatë vizitës së tij në SHBA, Blerand Stavileci, ministri Zhvillimit Ekonomik arriti marrëveshje me kompaninë amerikane, Contour Global rreth pikave për të cilat ka negociuar që një kohë.
Një kumtesë e shkurtër e MZHE-së thekson se negocimi i suksesshëm me Contour Global do të hapë rrugën për nënshkrimin e marrëveshjes me këtë kompani, të cilën e konsideron me status të ofertuesit të preferuar.
Kumtesa për shtyp nuk paraqet detaje tjera të marrëveshjes ndërsa KALLXO.com është në pritje të përgjigjeve nga kabineti i ministrit Stavileci, transmeton gazetaexpress.
“Gjatë ditëve në vazhdim do të formalizohen procedurat që mundësojnë nënshkrimin e marrëveshjes me kompaninë Contour Global për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese – TC Kosova e Re,” thuhet në kumtesën për shtyp të zyrës së informimit të ministrisë.
Roli i Bankës Botërore në këtë marrëveshje ka të bëjë me dhënien e huasë së saj, por që ende nuk dihet edhe në këtë pikë se sa do të investojë banka. KALLXO.com është në pritje të përgjigjeve nga Banka Botërore për përfshirjen e saj në projekt.
Kohë më parë, qeveria e Kosovës kishte theksuar se Contour Global kishte propozuar të investojë me fonde vetjake një të tretën e projektit, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohej nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe nga kreditorët e ndryshëm komercialë.
Po ashtu, qeveria e Kosovës ka paraparë që të ndërtohen dy blloqe me nga 300 megavat, dhe çmimi për ndërtimin e saj parashihej të arrijë deri në 1.4 miliardë euro.
Delegacioni i Kosovës do të qëndrojë në SHBA deri në fund të javës.
Qeveria e Kosovës e konsideron kompaninë Contour Global me status të ofertuesit të preferuar, me të cilën ka negociuar që nga shpallja e kompanisë si fituese e tenderit një burimor më 10 prill 2015.
“Pas një angazhimi shumë të madh dhe vizitës së fundit të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci në SHBA, së bashku me ekipet e MZHE-së, Bankës Botërore dhe kompanisë Contour Global, u arrit marrëveshja rreth pikave që ishin objekt i negociatave, të cilat hapin rrugën për nënshkrimin e marrëveshjes me të cilën, kompanisë amerikane do t’i jepet statusi i ofertuesit të preferuar,” thuhet në kumtesë.
Qeveria ishte kritikuar ashpër nga shoqëria civile për shfrytëzimin e procedurës së negociuar për këtë tender, me pranimin e vetëm një oferte, duke e shkelur kështu Ligjin për Prokurimin Publik.
Nga qeveria është kërkuar që tenderi për ndërtimin e “Kosova e Re” të jetë me procedura të hapura duke krijuar një konkurrencë të mirëfilltë ekonomike.
Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka kritikuar edhe kësaj radhe qeverinë e Kosovës për mungesë transparence dhe informacioni nga qeveria për qytetarët për këtë projekt.
“Negocimi i 1.4 miliardë euro të qytetarëve të Kosovës pa miratimin e Kuvendit të Kosovës dhe mungesa e transparencës për një vlerë kaq të madhe paraqet rrezik serioz për kredibilitetin dhe ligjshmërinë e këtij procesi,” thuhet në reagimin e organizatës.
KOSID thekson se që nga fillimi i këtij projekti ka pasur mjegulli të madhe duke mos informuar opinionin për kushtet e investimit dhe detajet e projektit.
Organizata ngre disa pyetje për kushtet e investimit duke specifikuar në koston e përgjithshme të investimit dhe se kush do ta financojë ndërtimin.
KOSID thotë se sipas Bankës Botërore, çmimi i energjisë elektrike pas ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” do të ketë rritje deri në 300 për qind.
“Një gjë e tillë do të jetë e papërballueshme për qytetarët e Kosovës, për të cilët edhe sot është barrë tejet e madhe çmimi i energjisë elektrike i cili ju faturohet. Një gjë të tillë e dëshmon edhe peticioni i qytetarëve kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike i cili u nënshkrua nga 33,000 qytetarë,” thotë KOSID.
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Shqiptarët falin namazin e Fitër Bajramit në Cyrih Besimtarët myslimanë shqiptarë kanë falur namazin e Fitër Bajramin në Sallën e Sporteve në Kloten, afër...
-
Reflektime mbi Ramazanin, angazhimi, traditat dhe mesazhet për besimtarët
-
Falet namazi i Fitër Bajramit në Lozanë
-
Hap dyert pika e re shkollore në Arbon të Kantonit të Thurgaut
-
Promovim libri nga studentët shqiptarë të Gjenevës dhe KSHGJ
Jeta në Zvicër
-
Fermerët përdorin pesticide të ndaluara: Qeveria federale forcon kontrollet Për të luftuar përdorimin e paligjshëm të pesticideve, qeveria federale do të financojë 1000 analiza laboratorike...
-
Qëndrimi në Bazel gjatë Eurovisionit do të kushtojë shumëfish më shumë
-
Rritet numri i mjekëve të huaj në Zvicër
-
Pakti i migracionit i BE-së kundërshtohet nga e majta dhe e djathta e Zvicrës
-
Referendumi për të frenuar lobimin politik në Zvicër