Zhvillim

Italianët premtojnë investime në energjinë solare

Disa përfaqësues të kompanive italiane kanë shprehur interesim për të investuar në sektorin energjisë solare në komunën e Mitrovicës.

Disa afaristë italianë kanë shfaqur interes që të investojnë në komunën e Mitrovicës në sistemin solar të energjisë, ndërsa kanë marrë edhe mbështetjen e kryetarit Agim Bahtiri për këto investime. Afaristët italianë kanë qëndruar të hënën në Mitrovicë për të parë nga afër kushtet që ofron kjo komunë. 

Gianni Drsisaldi, nga kompania Drisaldiassociati, i tha se janë duke analizuar mundësinë e investimeve në sektorin energjisë solare në qytetin e Mitrovicës. Ai theksoi se prodhimi i kësaj energjie është pjesë e së ardhmes dhe kanë interes që të fillojnë menjëherë në realizmin e planit të përcaktuar nga komuna e Mitrovicës.

“Ne kemi mësuar se komuna juaj, si prioritet ka edhe prodhimin e energjisë solare dhe për këtë kemi ardhur të bisedojmë me ju se cilat janë mundësitë reale për të investuar këtu. Dëshirojmë të dimë më shumë për legjislacionin, i cili është në fuqi, se si e rregullon këtë fushë, por edhe cilat janë kushtet që ne do të mund të prodhojmë rrymë, si dhe si do ta shesim atë”, tha ai.

Kryetari Bahtiri, siç thuhet në komunikatën për media, ka thënë se procedurat për përfitimin e këtij tenderi shkojnë sipas ofertave dhe oferta më e mirë fiton.

Ai theksoi se Mitrovica, jo vetëm në sektorin energjisë së ripërtërishme, por edhe në shumë sektorë tjerë ofron mundësi për investime, që janë të mirëseardhura.

“Ne mbështesim fuqishëm çdo investim të huaj, po ashtu edhe në sektorin e energjisë solare që konsideroj se është me rëndësi që prodhimi i kësaj energjie të filloj në Mitrovicë, pasi këtu janë kushtet shumë të mira, si pozita gjeografike, ashtu edhe klima”, tha Bahtiri,

Duke folur për mundësitë që ofron Mitrovica për prodhimin e energjisë solare, Blerim Baruti, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës, theksoi se pozita e reliefi në Mitrovicë janë më të përshtatshëm për prodhimin energjisë solare, se sa në Gjermani.

“Besoj që në këtë drejtim do të fokusohemi në bazë të një plani dhe më pas do të studiojmë mirë bazën ligjore dhe do të veprojmë në realizmin e projektit në tërësi”, theksoi drejtori Baruti, thuhet në komunikatën lëshuar nga Komuna e Mitrovicës.