Shkurt.ch

Italia bllokon pranimin e refugjatëve nga Zvicra

Zvicra detyrohet t`i strehojë edhe më tutje refugjatët, të cilët, në bazë të parimit të Dublinit duhet të ktheheshin në Itali

Pushimet verore të autoriteteve italiane kanë bërë që të bllokohet kthimi i refugjatëve afrikanë nga Zvicra në Itali. Kjo gjë ka sjellë Zvicrën në një situatë të tillë që të detyrohet t`i strehojë edhe më tutje refugjatët të cilët, në bazë të parimit të Dublinit duhet të ktheheshin në vendin e parë të pritjes. Në këtë rast, në Itali.

Për pasojë, Zvicra nuk mundet t`i vendosë në burgjet për riatdhesim (ose për kthim në Itali) ata që i plotësojnë kushtet për këtë. Kjo, për faktin e njëjtë, të pamundësisë së përcjelljes në Itali të refugjatëve më të vjetër nga burgjet e përmendura.

Siç shkruan sot gazeta “SonntagsZeitung”, Zyra Federale për Migracion është duke e nënçmuar këtë problem. Por zyra e përmendur, nga ana e saj thotë se praktika që po ndjek Italia është e patolerueshme.

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2011 nga Zvicra në Itali janë ktyher 1003 persona, ndërsa në fund të qershorit ishin duke pritur edhe 1000 raste të tilla.