Lajme

Itali: Fundoset anija, 41 emigrantë të vdekur

Më shumë se 40 persona janë vrarë pasi një anije me emigrantë u mbyt, thanë të mbijetuarit për mediat italiane. Mësohet se në bordin e anijes ndodheshin tre fëmijë.

Agjencia italiane e lajmeve ANSA dhe televizioni RAI cituan të mbijetuarit të cilët thanë se anija ishte nisur nga qyteti tunizian Sfax për në Itali, përcjell albinfo.ch.

Katër të mbijetuar u shpëtuan nga një anije malteze dhe u dërguan në Lampedusa nga roja bregdetare italiane dhe raportohet se ishin në gjendje shoku.

Të mbijetuarit, tre burra dhe një grua nga Bregu i Fildishtë dhe Guinea, thanë se në bord ishin 45 persona, përfshirë tre fëmijë.

Vetëm 15 persona kishin veshur jelekë sigurie, por ata gjithashtu u mbytën, thanë të mbijetuarit, shkruan DW.

Anija thuhet se u nis të enjten e kaluar dhe udhëtoi për rreth gjashtë orë para se të përmbysej nga një valë e madhe.

Sipas autoriteteve italiane, më shumë se 90 mijë persona kanë arritur në brigjet italiane pasi kanë kaluar Detin Mesdhe, përcjell albinfo.ch.

Kalimi i Mesdheut është një nga rrugët më të rrezikshme të emigrantëve në botë. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), pothuajse 28,000 njerëz janë zhdukur duke u përpjekur të kalojnë detin që nga viti 2014, shkruan DW.