albinfo.ch
Integrimi
Isufi zotohet për zgjerimin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër
Asociacioni i Bizneseve Shqiptare në Zvicër do të udhëhiqet në mandatin e ardhshëm nga biznesmeni Qamil Isufi, i cili të dielën ka marrë besimin nga shumica e anëtarëve të Kuvendit, pasi kandidati tjetër, Naser Mustafa, ishte tërhequr nga kandidatura për shkaqe objektive
Mustafa, ushtrues detyre i pozitës së kryetarit, në Kuvendin e së dielës ka raportuar për punën e deritashme të këtij organizmi ekonomik të komunitetit të bizneseve shqiptare në Zvicër.
Ai ka numëruar aktivitetet e deritanishme të Rrjetit, duke potencuar edhe disa nga kontratat milionëshe të lidhura mes tyre. Pastaj ka treguar për organizimet dhe vizitat që i ka bërë Rrjeti, donacionet humanitare, si dhe për kontributet që kanë dhënë anëtarët e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare. Ka raportuar edhe për bashkëpunimin që solli, sipas tij, eksportimin e mallrave nga Kosova në Zvicër. “Në këtë rrugëtim 4-vjeçar, Rrjeti i Bizneseve ka ecur mirë. Ne sot në Zvicër mund të krenohemi që kemi filluar të njohim njëri-tjetrin. Kemi filluar të krijojmë një klimë të të bërit biznes, të unifikohemi dhe të bashkëpunojmë mes veti, duke shkëmbyer informata me shumë biznese”, ka deklaruar Mustafa.
Me të marrë besimin e anëtarëve biznesmenë, Isufi ka pranuar kritikat për numrin e vogël të anëtarëve të Rrjetit dhe është zotuar se do të punojë në masivizimin e këtij asociacioni biznesesh. “Pa qenë pak, nuk bëhemi kurrë shumë. Aq sa jemi këtu, po të kemi vullnet, mund të bëjmë shumë. Flitet për 5 mijë biznese shqiptare në Zvicër, dashtë e pa dashtë, ata janë anëtarë të Rrjetit. Dhe, ka shumë arsye pse të gjithë nuk janë anëtarë të Rrjetit… dhe është fatkeqësi që nuk janë pjesë jona”, ka deklaruar kryetari i sapozgjedhur i Rrjetit, Qamil Isufi, duke deklaruar se kjo organizatë nuk është e askujt, por është e të gjithëve dhe secili mund të japë kontributin e tij.
Kryetar nderi dhe njëri nga iniciatorët për krijimin e këtij asociacioni në Zvicër, Fehmi Fetahu, ka kërkuar nga kryetari i sapozgjedhur më shumë punë, e pak fjalë.
Kritika për numrin e vogël të anëtarëve të Rrjetit
Punimet e Kuvendit nuk kaluan pa kritika për punën e deritanishme 4-vjeçare të Asociacionit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër.
Madje, kishte kërkesa të tilla që të dorëhiqen të gjitha strukturat e deritanishme të Asociacionit të Bizneseve. Më kritik ishte arkitekti Ibrahim Sylaj, i cili tha se duhet të gjejnë mënyrën se si t’i bëjnë bashkë bizneset shqiptare në Zvicër. “As unë si anëtar, po as kryesia nuk ka legjitimitet që ta udhëheqë më tutje Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Zvicër. Rrjetin duhet ta udhëheqin anëtarë të firmave të reja që e kanë vullnetin dhe dëshirën për ta zgjeruar atë. Pas katër vjetëve ne takohemi me vetëm 100 anëtarë, apo edhe 200, po themi të regjistruar. Pse të mos jenë 2 mijë anëtarë të Asociacionit të Bizneseve. Fuqia e asociacionit është anëtarësimi i bizneseve dhe masivizimi i bizneseve shqiptare”, ka deklaruar Ibrahim Sylaj.
Edhe biznesmeni tjetër, Rexhep Berisha, është shprehur i pakënaqur me punën që ka bërë deri tani Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër. “Edhe pse është ndër rrjetet e para të bizneseve që është krijuar në Zvicër, megjithatë është më i dështuari në krahasim me rrjetet e tjera shqiptare nëpër botë. Fajin për këtë e ka kryesia që ka më shumë dështime sesa suksese. Në Zvicër ka aq shumë potencial të bizneseve shqiptare dhe ky potencial duhet të shfrytëzohet”, ka thënë Rexhep Berisha, afarist nga Bazeli.
Në këtë Kuvend të biznesmenëve shqiptarë ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Kosovës, Nazane Breca, i dërguari nga Ministria e Diasporës, këshilltari i lartë, Agim Kuleta, dhe Shukrije Ramadani nga Qendra Kulturore në Cyrih. “Rrjeti në Zvicër çdo ditë më shumë ia del të krijojë emër dhe të japë shembullin më të mirë se si duhet organizuar dhe si duhet punuar për të bashkuar idetë e tyre dhe veprimet, në mënyrë që të ndihmohet zhvillimi i Kosovës”, ka deklaruar diplomatja kosovare, Breca.
Agim Kuleta nga Ministria e Diasporës u ka thënë biznesmenëve se kanë kaluar fazën e parë të zhvillimit dhe pas këtij Kuvendi duhet të përballen me fazën tjetër që nënkupton konsolidimin dhe funksionalizimin e mëtutjeshëm të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër. Ai u ka kërkuar biznesmenëve që të hapin një zyrë dhe krijimin e një strukture administrative të Rrjetit të Bizneseve. “Rrjeti përbën dëshmi që në një hark kohor më pak se dy dekada njerëzit tanë kanë arritur që nga punëtorët në kompanitë zvicerane, të shndërrohen në udhëheqës e pronarë të kompanive të tyre në Zvicër”, tha Kuleta.
Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër është themeluar në vitin 2013, si organizatë e parë e pavarur jopolitike dhe joprofitabile, si urë lidhës e bizneseve të diasporës me vendlindjen.Tashmë funksionojnë 26 rrjete biznesesh të shqiptarëve në tërë botën.
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriQamil Isufi
- Prejardhja:Kosovë
- Vendi ku vepron:Zvicër
- Profesioni:Kryetari i Asociacionit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?