Kosova

Ismaili: Do të jemi pranë nënave dhe fëmijëve, edhe përmes vizitave në shtëpi

Në Gjilan është mbajtur takimi i rregullt i infermiereve, të cilat realizojnë vizitat në shtëpi për nëna dhe fëmijë.

Në këtë takim mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili tha se ky projekt ka qenë një ndër të cilët e ka bindur se duhet të përkrahet dhe të rritet edhe më tutje.

“Unë do të jem i gatshëm të ofroj gjithë mbështetjen time që këto vizita në shtëpi për nëna dhe fëmijë të zhvillohen dhe të rriten akoma. Nënat dhe fëmijët nuk kanë askënd më shumë sesa ju. Prandaj, ne e vlerësojmë punën e palodhshme që ju e bëni dhe ndihmën që ua bëni nënave dhe fëmijëve, dhe kërkojmë nga ju që të mbani dinamikën për të ofruar këto shërbime”, tha ministri Ismaili.

Ai i siguroi infermieret dhe koordinatoret e vizitave në shtëpi se nuk do të jenë vetëm në ofrimin e këtyre shërbimeve. Gjatë këtij viti janë realizuar 7936 vizita në shtëpi. Këto vizita aktualisht zhvillohen në 14 komuna.