Kuriozitete

Islanda, vendi i parë me ligjin e barazisë në paga për dy gjinitë

Islanda është një nga vendet që u jep më së shumti të drejta grave në të gjitha sferat.

Por, tashmë çështja e tyre është rregulluar edhe me ligj, që jo vetëm garanton mundësi të barabarta për gratë dhe burrat, por mbi të gjitha imponon pagën e barabartë për punë të njëjtë, përcjell albinfo.ch.

Ky ligj ka hyrë në fuqi më 1 janar 2018. Është detyra e qeverisë së koalicionit të udhëhequr nga kryeministrja Katrin Jakobsdottir që ta implementojë me efikasitet.

Kështu, burrë dhe grua që bëjnë të njëjtën punë, duhet të marrin të njëjtën pagë në kompanitë apo privatë me 25 punonjës e më shumë dhe sigurisht në çdo institucion publik.

Ky është ligji i parë i këtij lloji në botë dhe përbën një hap tjetër përpara të vendit që konsiderohet më feministi në planet. Me hyrjen në fuqi të ligjit të miratuar nga Parlamenti, gjysma e të cilit përbëhet nga gratë, autoritetet do të nisin kontrollet sistematike në kompani dhe institucione.

Kushdo punëdhënës që nuk respekton parimin e ri të pagës së barabartë për punë dhe kualifikim të njëjtë, do të gjobitet shumë rëndë.