Lajme
Ish-ushtari i KFOR-it austriak dërgon ndihma për Kosovën
Andreas dhe gruaja e tij Claudia ndihmojnë pa dallim race, ngjyre, feje apo grupi, ata ndihmojnë ku ka nevojë për ndihmë
Çifti simpatik austriak, Andreas dhe Claudia Jungwirth, vijnë nga qyteza e Molln-it në Austrinë e Epërme. Ata vlejnë tashmë për shumë njerëz në Kosovë si ndihmës dhe përkrahës të palodhur. Kontaktin e parë me Kosovën Andreas e ka pasur në vitin 2003, duke qenë herë pas here i stacionuar si oficer i forcave të KFOR-it deri në vitin 2011, gjithsej për tre vjet. Gjatë kësaj periudhe ai është ndeshur me projektet e para të ndihmave humanitare në kuadër të CIMIC (Civilian Military Cooperation) të organizuara nga ushtria, duke i menaxhuar ato.
Andreas ka një personalitet shumë interesant, ëndrrat dhe hobet e tij të shumta transmetojnë ndjenjën e pozitivitetit dhe të ekuilibrit. Tregon për veten se bën muzikë dhe shpesh ka debutuar me një grup të vogël në kampin ushtarak. Pasioni i tij për muzikën ia ka ngrohur zemrën dhe e ka ndihmuar për të gjetur rrugën përtej ushtrisë te ndihma humanitare. Mbi të gjitha, ne jemi njerëz! Këtë fakt na e vërtetojnë Andreas dhe gruaja e tij, Claudia, në një shembull të mirëfilltë humanizmi. Ata ndihmojnë pa dallim race, ngjyre, feje apo grupi, ata ndihmojnë ku ka nevojë për ndihmë.
Si filloi gjithçka…
Në momentin e parë kur ka arritur në Kosovë, Andreas e ka ndjerë veten menjëherë shumë mirë pasi çdo gjë atje, sidomos malet, fushat dhe arat e shumta janë të ngjashme me Austrinë e Epërme (Oberösterreich). Ai kujton: “Në fillim më irritoi disi trafiku, pasi mu duk sikur nuk ekzistonte asnjë rregull rrugor. Sigurisht dhe shtëpitë e shkatërruara nga lufta të jepnin një ndjesi të çuditshme dhe kaotike. Ishte mikpritja e kosovarëve ajo që më dha ndjenjën sikur të isha në “shtëpinë time”, thotë Andreas për revistën „albinfo.at“
Vendimtare për t´iu përkushtuar ndihmës humanitare ishte aktiviteti dhe gatishmëria e tij gjatë shërbimit të parë ushtarak në Kosovë në vitin 2003. Nga 2015 e këtej i është bashkangjitur projektit të tij edhe profesioni i bashkëshortes Claudia, e cila është infermiere, duke sjellë kështu përvojën e saj në fushën mjeko-sociale.
Andreas na tregon më tej: “Njerëzit pas luftës janë të frustruar, ata nuk shohin perspektivë rozë për të ardhmen. Çdo familje mundohet të mbijetojë, në shumë raste e arrijnë këtë gjë kur kanë një emigrant në një vend të BE-së i cili u dërgon para”,- por prapë ka shumë të cilët luftojnë me varfërinë dhe mjerimin“, thekson ai.
Andreas dhe Claudia udhëtojnë çdo vit për në Kosovë duke dërguar ndihma humanitare, që nga viti 2014. Këto 18 vjet ata kanë gjetur shumë miq, por gjithsesi atyre u duhet të tregohen të kujdesshëm për të mos lejuar abuzime.
Një rrugë e gjatë për t´ia arritur qëllimit
Fillimisht projektet kanë qenë të vogla, duke u fokusuar në ndihma apo pako ushqimore, dru për ngrohje, ilaçe dhe proteza për invalidë dhe njerëz me aftësi të kufizuara. Me kohën janë zgjeruar fushat e ndihmave duke shtuar dhe renovime ndërtimore shtëpish dhe shkollash.
“Vitet e para unë dhe bashkëshortja i kemi paguar shpenzimet nga xhepi ynë, në mënyrë që paratë e dhuruara të investoheshin 1:1 në projekte. Me kohë kemi marrë mbështetje edhe nga kompani rajonale në Molln. Ato na ndihmojnë ku të munden, psh. makinën e udhëtimit na e sponsorizon një kompani automobilistike, ndërkohë që për qëndrimin tonë në Kosovë përgjigjet kryetari i komunës së Suharekës”, tregon Andreas për revistën albinfo.at.
Udhëtimet zgjasin diku 8 deri në 10 ditë, gjatë kësaj kohe bëhet edhe zgjedhja e familjeve të cilave do t`u jepen ndihma. Kjo ndodh në prezencën e organizatave në vend dhe të përkthyesve profesionalë. Në vitin 2011 ishin vetëm 10 familje të përfshira në ndihma, tashmë ka kaluar numri i tyre mbi 80 në vizitën e fundit.
Donacionet vijnë kryesisht nga familjarë, miq, dhe kompani. Ato vijnë nga kudo, nga Gjermania, Zvicra, Austria, Kosova deri dhe nga Kina. Në vitin 2019 u mbajt për këtë arsye një program muzikor në qytetin e Molln-it.
Në këtë pikë duhet theksuar se nuk kemi të bëjmë me një organizatë, por me iniciativën private të çiftit Jungwirth, i cili i menaxhon projektet në kohën e tij të lirë apo gjatë pushimeve. Qëllimi është që çdo cent të financohet në projekte. Gjithashtu duhet thënë se çdo gjë e investuar blihet brenda për brenda Kosovës, për të mbështetur kompanitë rajonale dhe ekonominë atje.
Me rritjen e tërheqjes së vëmendjes, inkurajimit si dhe mbështetjes financiare pakove humanitare u janë bashkangjitur këto tri shtylla ndihme: organizata “Duart plot mëshirë” në Pejë, organizata “HandiKos” në Suharekë dhe shkolla në fshatin Marmull në Gjakovë. Vitin e fundit është finalizuar rindërtimi i çatisë së shkollës me mbështetjen e donatorëve privatë, Bashkisë së Austrisë së Epërme dhe KFOR-it kanadez.
Projekti “Ndihma humanitare për Kosovën 2021”
Për vitin 2021 do të vazhdojnë ndihmat për Kosovën. Pikërisht në këtë kohë është edhe më e nevojshme t‘u qëndrohet afër njerëzve të prekur nga varfëria, pasi efektet pandemike kanë ndikuar në rritjen e nevojtarëve.
Projektet e mëdha të këtij viti janë: rinovimi i fasadës së shkollës në fshatin Marmull me një shifër prej 10.000 euro. (Filllimi i punimeve është planifikuar përgjatë pushimeve verore 2021); 7 ton paletë ngrohje për organizatën “HandiKos” me vlerë 1.000 € deri në korrik. Çdo shumë tjetër e mbledhur do të shpenzohet për ilaçe nëpërmjet organizatës “Duart plot Mëshirë”. Mbledhja e donacioneve ka filluar.
“Ëndrra ime dhe e bashkëshortes është të ndërtohet një kënd lojërash për fëmijë 6-10 vjeç afër shkollës fillore “Marmull”, shprehet Andreas.
Në Kosovë ka ende varfëri të thellë
Edhe pse për çiftin Jungwirth, Kosova është një vend që e duan, aq më ashpër shprehin ata se vendi ka probleme të mëdha që duhen luftuar. Përparime janë bërë për sa u përket rrugëve dhe rrjetit elektrik, por fakti që emigrantët kanë ndërtuar e ndërtojnë mijëra shtëpi, duke ndjellë kështu smirë dhe zili në popull, nuk është diçka pozitive sipas Jungwirth. Në verë ata vijnë dhe ekspozojnë makinat e tyre luksoze, kjo nuk ka asnjë efekt pozitiv për të luftuar varfërinë.
Një problem tjetër shumë i madh janë plehrat kudo në vend. “Kjo ka si rrjedhojë ndotjen e ujit të pijshëm. Urgjente për Kosovën janë sigurimet shëndetësore për të gjithë popullin, gjithashtu një adaptim i relacionit çmime-rroga, si dhe rritje të pensioneve. Këto dy të fundit janë dhe arsyet pse rinia emigron në shtete të tjera”, thotë kështu Andreas.
Invalidët dhe njerëzit me aftësi të kufizuara janë ndër më të prekurit, ata jetojnë shpesh në kushte çnjerëzore, ka momente kur të mbushen sytë me lot pa e kuptuar as vete.
Gjithsesi qëllimi i mirë dhe shpresa për të ndihmuar bën të harrohen dhe skenat e mjerimit: “Ne takojmë dhe shohim shpesh familjet ku gjendja vazhdon të jetë e mjerueshme. Papunësia vazhdon të jetë në shkallë tejet të lartë. Unë tani jam 58, ndërsa gruaja 53 vjeç, ne duam të vazhdojmë me ndihmat deri sa të dalim në pension (pra me 65 vjeç). Kjo varet më shumë edhe nga gatishmëria dhe zemra e donatorëve për të mbështetur projektet, pa ata kjo gjë s‘do të ishte e mundur”.
Mundësi kontakti:
Facebook Andreas Jungwirth me PM
E-Mail: [email protected]
Mundësi për donacion: mbas kontaktit të parë dhe përzgjedhjes.
Box
Luksi i emigrantëve nuk ndihmon për të luftuar varfërinë
Përparime janë bërë për sa u përket rrugëve dhe rrjetit elektrik, por fakti që emigrantët kanë ndërtuar e ndërtojnë mijëra shtëpi, duke ndjellë kështu smirë dhe zili në popull, nuk është diçka pozitive, sipas Jungwirth. Në verë ata vijnë dhe ekspozojnë makinat e tyre luksoze, kjo nuk ka asnjë efekt pozitiv për të luftuar varfërinë.
Box:
„… nuk besoja dot se vetëm 700 kilometra linjë ajrore larg nga Austria të shihja një mjerim të tillë dhe njerëz që vegjetojnë“, shprehet Andreas më zë të ulët.
box
„Ëndrra ime dhe e bashkëshortes është të ndërtohet një kënd lojërash për fëmijë të moshave 6-10 vjeçare afër shkollës fillore në fshatin Marmull, komuna e Gjakovës“, tregon Andreas.
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës