Futboll

Ish-mesfushori shqiptar i Zvicrës, Valon Behrami, analizon rënien e performacës së kombëtares

Gazeta zvicerane “20 Minuten” të dielën publikoi një analizë të Valon Behramit, ish-mesfushorit shqiptar të Zvicrës.

Ai foli për rënien e formës së Zvicrës dhe për gjërat që duhen të ndryshohen para ndeshjes që zhvillohet të martën ndaj Danimarkës në St. Gallen.

“Humbja ndaj Serbisë është e rëndë. Fazën hapëse të ndeshjes e kishim të mirë. Serbët kishin respekt për ne. Mund të vërehej kujdesi i tyre, përmbajtja. Kanë luajtur njëjtë ndaj Spanjës. Por ne kemi dështuar të shfrytëzojmë frikën e tyre. Nuk e kemi lexuar ndeshjen mirë”, ka shkruar Behrami.

Sipas tij, Serbia nuk u ka lënë shumë hapësirë lojtarëve të Zvicrës dhe për këtë arsye është dashur të luhej më shumë nga krahët.

Ish-mesfushori ka drejtuar gishtin nga Murat Yakini, duke thënë se plani i lojës duhet të jetë i qartë dhe i strukturuar.

“Urgjentisht duhet të paraqitemi më mirë. Serbia nuk e fitoi këtë ndeshje me ndonjë kryevepër taktike. As serbët nuk kishin plan të qartë në sulm, por ishin të disiplinuar në mbrojtje. Ajo që u ndihmoi të fitojnë ishte dëshira, mentaliteti, zjarri. Dhe, është pikërisht ky zjarr që mungoi te ne. Duket që pas Evropianit kemi humbur shpirtin që na bëri aq të fortë. E kam ndjenjën që nuk po i njohim problemet tona. Është lehtë të thuhet pas humbjes që ishin vetëm disa gjëra të vogla që kanë munguar. Nëse beson në këtë, bëhet edhe më e vështirë për të adresuar problemin e vërtetë”, ka shkruar tutje Behrami.

Ai thotë se helvetikët duhet të mësojnë nga gabimet e shfaqura në ndeshjen ndaj Serbisë.

“Ne kemi kualitet dhe lojtarët kanë potencial. Tani është te trajnerët që të gjejnë planin e duhur për lojë. Është detyrë e tyre të shtyjnë ekipin në drejtimin e duhur. Na duhet qartësi, disiplinë, shpirt luftarak dhe mbi të gjithë zjarri që na ka munguar së fundi. Një gol në kohën e duhur nuk do të bënte dëm”, vlerëson Behrami. /20minuten