Lajme

Ish-kancelarit Schröder i hiqen privilegjet për shkak të afërsisë së tij me Putinin

Opozita Demokristiane (CDU) do të kishte preferuar që politikanit socialdemokrat t'i hiqej edhe pensioni

Bundestagu (parlamenti federal) gjerman i ka hequr disa nga të drejtat e veçanta të ish-kancelarit Gerhard Schröder si ish-kryetar i qeverisë, transmeton albinfo.ch.

Kështu, Komisioni i Buxhetit ka vendosur të mbyllë zyrën e tij, mëson Agjencia Gjermane e Shtypit (DPA) nga burimet e komisionit në fjalë. Stafi i mbetur duhet të marrë përsipër detyra të tjera, sipas propozimit të koalicionit qeverisës, i cili ka arritur shumicën në komision.

Megjithatë, ish-kancelari ka ende të drejtë për pension dhe mbrojtje personale.

Opozita Demokristiane (CDU) do të kishte preferuar që politikanit socialdemokrat t’i hiqej edhe pensioni. Ndër të tjera, ajo akuzoi Shroderin për dëmtim të reputacionit ndërkombëtar të Gjermanisë.

Schröder është kritikuar ashpër për kontaktet e tij në Rusi, afërsinë e tij me presidentin rus Vladimir Putin dhe pozicionet e tij në kompanitë shtetërore ruse.

78-vjeçari ishte kancelar nga viti 1998 deri në vitin 2005, përcjell albinfo.ch Më pas ai mori detyra për kompaninë e gazsjellësit Nord Stream, Gazprom të Rusisë dhe kompaninë energjetike Rosneft, ndër të tjera.