Lajme
Inxhinierët shqiptarë në Zvicër në shërbim të vendlindjes
Më 19 tetor në Lozanë bëhet përurimi i Shoqatës së Inxhinierëve Shqiptarë të Zvicrës (Albanian Engineering of Switzerland)
E themeluar rreth një vit më parë, shoqata planifikon që më këtë datë të promovojë veten para opinionit zviceran, shqiptar e më gjerë.
Në një bisedë që albinfo.ch ka zhvilluar me kryetarin e Albanian Engineering of Switzerland (AES), hulumtuesin shkencor Rexhep Gashi, ai, themelimin e saj e shpjegon me pjekjen e kushteve për grumbullimin “nën një çati” të dijes së shqiptarëve në këtë fushë.
“Shoqata Albanian Engineering of Switzerland, është themeluar në vitin 2011.Duke pasur parasysh nivelin e lartë të studimeve të shumë shqiptarëve në Zvicër, arritjet e larta në shkencë dhe profesione teknologjike dhe nevojën e madhe të vendeve tona të origjinës për një zhvillim në këtë drejtim, ishte koha e duhur që të krijojmë këtë shoqatë profesionale”, thotë Gashi që është kryetar dhe iniciator kryesor i themelimit të saj.
Shqiptarët, sipas tij kanë arritur një pjekuri të lartë në këto drejtime. “Sot ata janë kuadër udhëheqës në shumë kompani por edhe profesorë shumë të respektuar në Zvicër, prandaj ishte koha e grumbullimit të kësaj diturie në një çati”.
Lidhur me profilin e anëtarëve të AES, kryetari i saj thotë se, ndonëse ata janë kryesisht inxhinierë, nuk përjashtohen edhe profilet tjera të përafërta. “Në përgjithësi janë inxhinierë, arkitektë të nivelit të lartë, por këtu nuk përjashtohen edhe teknikët e profesioneve të ndryshme si në mekanikë, elektroteknikë, elektronikë, prodhimtari industriale, plasturgji, specialistë të energjetikës etj”.
Të përkujtojmë se në përbërjen e saj, shoqata ka edhe njerëz me reputacion shkencor, siç është dhe kryetari, Rexhep Gashi, që punon në projekte madhore për një ambient më të pastër, si projektet e veturave pa ndotje, me bateri dhe Fuel Cell (hydrogen/Oxygjen), electrolyseur etj.
Në grupin udhëheqës të shoqatës AES bëjnë pjesë edhe nënkryetari Tefik Selmani, që është magjistër në ambalazh, udhëheqës i financave është Mentor Ilazi, inxhinier në energjetikë ndërsa sekretar Arafat Sahiti, inxhinier në mekanikë. “Komiteti drejtues përbëhet nga kuadro të larta, por një mbështetje e veçantë na vjen edhe nga specialistë dhe arkitektë të lëmenjve të ndryshëm, që janë antar të rregullt të AES”.
Për një vit ekzistimi, shoqata ka zhvilluar një numër aktivitetesh me qëllim konsolidimin, afirmimin dhe zgjerimin e saj.
“Në fillim kemi përpiluar një statut që definon në përpikëri aktivitetet tona duke respektuar ligjet në fuqi. Pastaj kemi mbajtur disa mbledhje në vende të ndryshme në Zvicër si në Lausanne, Fribourg, Zürich, Neuchatel, Yverdon, Bern. Qëllimi i këtyre takimeve ishte njoftimi i kuadrove të këtyre regjioneve me shoqatën tonë. Ishte kënaqësi që gjatë këtyre takimeve të njiheshim me shumë inxhinierë dhe arkitektë të cilët me kënaqësi të madhe u bënë anëtarë të rregullt të shoqatës sonë”, thotë Gashi.
Dyert e shoqatës janë të hapura edhe për ekspertë shqiptarë që jetojnë edhe në shtete tjera, jashtë Zvicrës. “Këtu nuk përjashtohen edhe kuadrot e lartë nga Gjermania, Franca dhe SHBA”.
Më tutje ai thotë se shoqata ka pasur takime të shumta me përfaqësues institucionesh të vendeve prej nga vijnë shqiptarët, nga të cilët në çdo rast, janë pritur mirë dhe kanë marrë premtime për mbështetje.
“Kemi pasur takim me ministrin e diasporës në Qeverinë e Kosovës, Ibrahim Makollin, dhe kërkesa e tij ishte që shoqata jonë të fuqizohet edhe në nivelin evropian dhe më gjerë. Makolli ka theksuar se fuqia intelektuale e Diasporës është më se e nevojshme për zhvillimin e Kosovës. Pastaj kemi pasur takime edhe me ambasadorët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë në Bernë. Ata na kanë uruar për këtë iniciativë dhe zotohen për një përkrahje të madhe të shoqatës sonë. Kemi pasur një takim në kryeministrinë e Kosovës, ku na është bërë gjithashtu një pritje shumë e mirë. Disa takime i kemi pasur edhe në kuadrin e Forumit Ekonomik që është mbajtur në Prishtinë”, vazhdon Gashi.
Ndërkaq, shoqata ka identifikuar edhe fushat ku mund të ndihmojë me ekspertizën e saj. “Gjatë qëndrimit tonë në Kosovë ne kemi identifikuar me përpikëri sektorët që kërkojnë ndihmën tonë. Në këtë drejtim ne besojmë fuqimisht se AES ka kapacitet të ofrojë ekspertë në lëmenj të ndryshëm. Një ekip i yni ka realizuar edhe një studim të tregut kosovar me fokus në fushat e ndryshme në teknologji. Gjthashtu para pak kohe një ekip i yni ka qëndruar edhe në Shkodër, për të filluar një projekt konkret në kuadër të binjakëzimit në mes të dy qyteteve Yverdon dhe Shkodër”.
Duke shpalosur qëllimet e AES, kryetari i saj thotë se “qëllimi i shoqatës është të ofrojë lidhje akademike, industriale, publike dhe sociale. Në këtë drejtim, strategjia jonë është të krijojmë një urë lidhëse në mes të Zvicrës, Evropës dhe vendeve tona ballkanike; të ofrojmë specialistë në lëmenjtë përkatës; të ndihmojmë trajnime të profesorëve dhe studentëve shqiptarë në Zvicër; të krijojmë një urë lidhëse në mes të kompanive zvicerane dhe shqiptare; të ndihmojmë kompanitë shqiptare në respektimin e normave EU dhe CH në fuqi. Kjo do të ndihmojë futjen në tregun evropian produkteve kosovare dhe shqiptare në përgjithësi. Qëllim tjetër yni është të ndihmojmë kompanitë zvicerane të investojnë në vendin tonë, pastaj të nxisim stimulimin e subvencioneve evropiane me projekte konkrete në vendet tona të origjinës.
Por të mos të harroj, shoqata jonë ndihmon edhe në aspektin social, në integrimin e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, përmes promovimit të shkencës së teknologjisë”.
Gashi më tutje thotë të kenë pasur edhe kërkesa të profesionistëve nga vendet e banuara me shqiptarë, për anëtarësim në AES. “Pas publikimit në Albinfo, të informacionit për inagurimin tonë, kemi pasur shumë kërkesa të kolegëve tanë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria për anëtarësim. Shpresojmë që në një të ardhme të afërt do të mbajmë ndonjë seminar në Kosovë me qëllim integrimin e tyre pa pasur nevojë të udhëtojnë, duke njohur problemet për viza që kanë aktualisht.
Gjithashtu ne jemi të kënaqur me kërkesat e shumë bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Zvicër dhe janë inxhinierë ose arkitektë të diplomuar por nuk kanë pasur mundësinë ta ushtrojnë profesionin e tyre. Ata tash janë anëtarë të rregullt të shoqatës sonë. Dhe shpresojmë që ndihma jonë nuk do të mungojë në orientimin e tyre në profesione teknike.
Por, si qëndron puna me studentët tanë në Zvicër. A ka mjaft prej tyre që zgjedhin drejtimet teknike për t`i studiuar? Kryetari i AES nuk është shumë i kënaqur në këtë drejtim, por sheh potencial të mirë që gjendja tüe ndryshojë për të mirë. “Aktualisht, numri i studentëve në shkencat teknike nuk është edhe i kënaqshëm. Shpresojmë që shoqata jonë do t`i stimulojë fëmijët shqiptarë që të studiojnë shkencat teknike në Zvicër. Sepse ata kanë një fat të madh të jetojnë në një vend ku universiteti numër 1 në Evropë është EPFL, një tempull i dijes dhe i kërkimeve shkencore”.
Në fund, Rexhep Gashi thotë se gjithçka për mbrëmjen inauguruese të shoqatës është gati. “Kemi bërë të gjitha përgatitjet tona, kemi konfimimin e shumë personaliteteve të larta për pjesëmarrje. Fjala është për ministra nga Kosova, ambasadorë në Zvicër por edhe figura të larta të politikës dhe të biznesit zviceran.
Inagurimi do të mbahet më 19 tetor 2012, në Rolex Center EPFL, Lausanne. Fillon saktësisht në ora 17h. Gashi shfrytëzon nga rasti që në emër të AES tua urojë gjithë shqiptarëve, 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Profili i kryetarit të AES, Rexhep GashiRexhep Gashi është i lindur në Drenoc të Rahovecit, shkollën e mesme e ka kryer në vendlindje, universitetin, drejtimin e makinerisë dhe studimet post-universitare (Biomass) në EPFL në Lausanne. Ai mban titullin MBA në kuadër të Fakultetit Ekonomik HEC dhe fakultetit teknik EPFL. Në kuadër të këtyre studimeve ka përfunduar me sukses edhe shkollimin në Shangai të Kinës (China Europe International Business School (CEIBS).Ka punuar shumë vite në kërkime shkencore për një veturë pa ndotje (Fuel Cell apo bateri lithium). Është autor i disa zbulimeve (patenteve) siç janë: “Electrical steering system for vehicle”, “Kinematic Chain for an Electric Propulsion Vehicle”, “Vehicle ground connection comprising a wheel and a suspension integrated therein”, “ Machine electrique à refroidissement par liquide” etj,Aktualisht udhëheq sektorin e mekanikës tek Belenos Clean Power LTD.
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor