Shkurt.ch

„Invazion“ i romëve në Valis

Ata kanë zbarkuar në pasurinë e një bujku lokal, për ta bërë një dasmë të madhe me 400 të ftuar!

77 makina me rimorkio (kampshtëpiza) janë “parkuar” në livadhin e bujkut Simon Turin, në Collombey-Muraz, në kantonin Valis. Fjala është për pjesëtarë të komunitetit rom dhe sinti, të cilët kanë ardhur aty nga Gjermania dhe nga Franca. Sipas asaj që kanë thënë vetë romët mysafirë, ata kanë zbarkuar aty për ta bërë një dasmë të madhe me 400 të ftuar.

Por, pronarit të livadhit, Simon Turin “i ka plasur filmi”. Ai nuk ka aspak mirëkuptim për dasmën e njerëzve të paftuar në pronën e tij. “Unë nuk mund të garantoj më për asgjë”, ka thënë ai për mediet zvicerane.

Ndërkaq policia bën të ditur se në hapësirën e uzurpuar, nuk ka asnjë kontainer mbeturinash dhe as wc mobile. “Është një rrëmujë e madhe. Gjithkah sheh jashtëqitje dhe mbeturina”, thotë Turin.

Pasi që prokuroria nuk kishte urdhëruar zbrazjen e menjëhershme të këtij kampi të egër, të martën ka përshkallëzuar situata. Turin së bashku me kolegët e tij kishte dashur ta bënte dëbimin e kampistëve. “Por, romët më kërcënuan: Nëse unë hy në kamp, ata do të ma mbysin familjen dhe do t`ia vënë zjarrin fshatit”, thotë ai.

Ndërkohë, sipas policisë, pronari i fushës dhe prijësi i klanit të romëve kanë arritur një ujdi, që “mysafirët” të paguajnë nga 10 franga në ditë dhe për makinë si dhe që ta përfundojnë “kampimin” të dielën.

Turin megjithatë ndjehet i mashtruar: “Fëmijët e mi kanë frikë ndërsa këta njerëz lejohen të vazhdojnë qëndrimin këtu. Kjo është paturpësi”.

Ai dhe bashkëfshatarët patrullojnë gjithë kohën rreth shtëpive të tyre ndërsa policia viziton çdo ditë kampin, duke u kujdesur për sigurinë.