Kosova

Intervista e Thaçit nga Haga, vjen reagimi nga Edi Rama

Rama: Gjykimi në Hagë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit demokratik

 

Menjëherë pas intervistës së ish-presidentit të Kosovës nga Haga, ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përcjell albinfo.ch.

Rama përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se gjykim që sa më shumë vazhdon, aq më shumë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit themelor demokratik të “procesit të drejtë”.

“Dhe, me këtë intervistë të Presidentit të Republikës së Kosovës e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mikut tonë e vëllait tim, Hashim Thaçi, i cili ka folur për herë të parë qysh nga dita e kyçjes në burgun e Hagës, ku po zhvillohet një gjykim që sa më shumë vazhdon, aq më shumë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit themelor demokratik të “procesit të drejtë”, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve ju, në Shqipëri e në Kosovë”, ka shkruar Rama.

Në intervistën e publikuar, Thaçi ndër të tjera ka folur edhe për kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

I pyetur për marrëdhëniet e tij me kreun e qeverisë shqiptare, ndër të tjera, Thaçi ka rrëfyer edhe vizitën e Ramës te ai në Hagë. Ai tregoi se me Ramën kishte një bisedë të ngrohtë dhe vëllazërore, jashtë kontekstit politik dhe procesit gjyqësor.