Kosova

Instituti i Vjenës: Ekonomia shqiptare, rritje me 6.4%

Institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare kanë përditësuar parashikimet e tyre me rritje sa i takon ecurisë së ekonomisë së vendit tonë.

Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, së fundmi është Instituti i Vjenës (WIIW) ai që raporton për rritje me ritme më të shpejta të ekonomisë shqiptare se sa parashikimet e fillimvitit.

Sipas ekspertëve të Vjenës, ekonomia e Shqipërisë do të rritet këtë vit me 6.4%, nga 4.5% që ishin pritshmëritë më herët në raportin e pranverës. FMN tashmë pret një rritje prej 7.8% dhe Banka Botërore prej 7.2%.

Rimëkëmbja e Shqipërisë në formë “V” sugjeron që ekonomia është përsëri në rrugën e duhur dhe do të mbetet e shëndoshë. Rritja e PBB-së do të përshpejtohet në 6.4% në 2021 dhe do të vijojë mbi 4.5% në një periudhë afatmesme, sugjerojnë ekspertët e Vjenës.

Ata pohuan se rritja u ndikua nga zhvillimet pozitive në sektorin e turizmit. “Sektori i turizmit ka pasur një vit mbresëlënës dhe po i afrohet nivelit të tij para pandemisë. Rritja do të udhëhiqet nga investimet dhe nga kërkesa optimiste e jashtme dhe e brendshme, por rreziqet negative do të rrjedhin nga tregjet ndërkombëtare dhe kërcënimet që vijnë nga zhvillimet pandemike”, analizojnë ekspertët.

Instituti i Vjenës pret që ekonomitë e 23 vendeve të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE), ku bën pjesë edhe Shqipëria, të rriten me 5.4% këtë vit. Prithsmëritë u rishikuan me rritje prej 1.2 pikë përqindjeje, krahasuar me pranverën. Vendet që do të kenë rritjen më të lartë janë Turqia (9.1%), Mali i Zi (8.4%) dhe Moldavia (8%), edhe pse dy vendet e fundit do rriten për shkak të bazës shumë të ulët.

Papunësia gjithashtu mbetet një problem në shumë vende, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, por në të njëjtën kohë, ka mungesa të fuqisë punëtore në ata sektorë që janë zgjeruar pas krizës.

Inflacioni në rritje po ndihet në mënyrë të ngjashme në CESEE. Aktualisht, në shumicën e vendeve të rajonit, normat e inflacionit janë 3% deri në 4% më të larta se në fillim të vitit. Megjithatë, inflacioni i lartë duhet të jetë një fenomen kalimtar. Aty ku përdoret euro, presioni inflacionist është përgjithësisht më i ulët./ Monitor