Zhvillim
Institucionet lavdërojnë klimën për investime, Diaspora, skeptike
Në Konsullatën e Kosovës në Cyrih, afaristët shqiptare në Zvicër zhvilluan debat me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, lidhur me klimën për investime në Kosovë
Kohëve të fundit janë shpeshtuar takimet që institucionet e Kosovës i organizojnë me mërgimtarët, me qëllim nxitjen e tyre për të investuar në Kosovë. Një takim i tillë me përfaqësues biznesesh shqiptare në Zvicër është mbajtur të premten më 31 maj në ambientet e Konsullatës së Kosovës në Cyrih. Organizatore kësaj here ka qenë Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes konsullatës në Cyrih.
Ajo që binte në sy në këtë takim ishte prania e madhe e pronarëve të bizneseve serioze, të interesuar për mundësitë e investimit në Kosovë. Në mesin e tyre kishte edhe një shtresë afaristësh të brezit të ri, të shkolluar dhe të trajnuar në Zvicër.
Ndërsa, për t`i informuar ata, nga institucionet kosovare kishte ardhur një ekip i përbërë nga njerëz përgjegjës të segmenteve që lidhen me investimet. Nga Ministria e Jashtme ishte Agron Maloku, drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ekonomik Ndërkombëtar dhe Blerim Xhemajli, zyrtar i lartë për organizata ekonomike ndërkombëtare. Administrata Tatimore e Kosovës përfaqësohej nga Sakip Imeri, drejtor i Shërbimit dhe Edukimit të tatimpaguesve ndërsa si përfaqësues i Doganave të Kosovës kishte ardhur Fahri Gashi.
Duke e hapur takimin, konsulli i Kosovës në Cyrih, Sali Sefa ka shprehur falënderimin e institucioneve kosovare ndaj mërgimtarëve, të cilët siç ka thënë ai, kanë dhënë kontributin e tyre të madh në të gjitha fazat që ka kaluar Kosova. Por, ka nënvizuar Sefa, pas luftës, mërgimtarët e kanë parë veten pakashumë të anashkaluar nga institucionet dhe shoqëria. Mërgata e sotme ka një strukturë të ndryshuar, me shumë kuadro të përgatitura në universitetet e këtushme dhe ka akumuluar përvojë në ekonomitë e zhvilluara si ajo e Zvicrës. Kështu, ajo tash mund të japë kontribut edhe më të çmuar për vendin e prejardhjes, ka thënë konsulli Sali Sefa.
Ndërsa Mustafë Xhemajli, ministër këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Bernë, duke bërë fjalë për aktivitetet e ambasadës në planin ekonomik, ka bërë të ditur se janë duke u bërë përgatitjet për themelimin e Odës Ekonomike Zvicerane-Kosovare. Kjo odë, e cila sipas Xhemailit, është iniciuar nga afaristë zviceranë, paraqet edhe një mundësi shtesë për thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Zvicër dhe për promovimin e investimeve në Kosovë.
Me fjalë miradije për kontributin e diasporës, u janë drejtuar pjesëmarrësve edhe folësit nga Kosova, të cilët pastaj, secili nga fusha e tij e përgjegjësisë, kanë prezantuar politikat e institucioneve përgjegjëse për tërheqjen e investimeve në Kosovë.
Kosova, vend me klimë të mirë për investime
Kështu, sipas Agron Malokut, drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ekonomik Ndërkomëtar në Ministrinë e Jashtme, investimet në Kosovë, së paku sa i përket strukturës ligjore, sistemit bankar etj. janë të stimuluara nga shteti dhe gëzojnë siguri maksimale. Si avantazhe për investitorët kosovarë që vinë nga jashtë, ai ka përmendur edhe qasjen e lirë në tregjet si CEFTA, BE etj. Ai ka theksuar nevojën që mërgata të shfrytëzojë e para lehtësimet që, sipas tij, i ofron Kosova për investime.
Duke folur në emër të ATK-së, si drejtor i Shërbimit dhe Edukimit të tatimpaguesve në këtë agjenci, Sakip Imeri ka shpalosur gjerësisht sistemin tatimor të Kosovës, që sipas tij është modern dhe “nuk trashëgon asgjë nga ish sistemi i paraluftës”. Imeri ka përkujtuar ngritjen në radhitje që ka shënuar së fundi Kosova në raportet ndërkombëtare, sa i përket klimës për investime. Në këtë kuptim ai ka thirrur mërgatën të investojë më shumë në Kosovë. “Tash nuk jemi këtu siç jeni mësuar më parë, për të ju kërkuar para por për të ju prezantuar mundësinë që ju vetë të fitoni” ka thënë veç tjerash Imeri.
Sipas përfaqësuesit të Doganave të Kosovës, Fahri Gashit, sistemi i doganave në Kosovë është duke funksionuar shumë mirë, gjë që e tregon fakti se doganat janë kontribuesi më i madh i buxhetit të Kosovës. Gashi ka shkoqitur edhe hollësitë e funksionimit të sistemit doganor, tatimit mbi vlerën e shtuar, lehtësirat që ofron ky sistem doganor, krahasimin e tij me sistemet e vendeve fqinje dhe më gjerë, etj.
A është korrupsioni i institucioneve vetëm perceptim?
Marrë në përgjithësi, folësit kanë mbrojtur qëndrimin se në Kosovë vepron një sistem funksional dhe i krahasueshëm e madje shpeshherë superior me regjionin e më gjerë, dhe për një klimë atraktive për të investuar në Kosovë. Madje, sipas tyre edhe opinioni i krijuar për korrupsionin në stil të gjerë të institucioneve kosovare, është kryesisht perceptim dhe më shumë mbështetet në thashetheme.
Por, siç doli nga një debat i gjallë që u zhvillua në mes të mysafirëve nga Prishtina dhe investitorëve potencialë të pranishëm në këtë takim, gjendja në terren nuk paraqitet kaq idilike. Kështu, disa nga pjesëmarrësit në debat drejtuan kritika konkrete ndaj institucioneve, sidomos në lidhje me doganimin, zhdoganimin dhe pagesën e TVSH-së. Ata u ankuan për një qasje demotivuese të doganave ndaj përpjekjeve të tyre për të sjellë në Kosovë makineri të ndryshme ose mallra të tjera. Ankesa pati edhe rreth trajtimit të padrejtë që sipas tyre u bëhet nga doganat atyre që dërgojnë ndihma humanitare në Kosovë.
Investitori i njohur dhe njëherësh kryetar i Asociacionit të Afaristëve Shqiptarë në Zvicër, Fehmi Fetahu, duke folur nga përvoja e tij, tha se nuk është përballur me kërkesën për korruptim, por as nuk ka gëzuar mbështetje konkrete të institucioneve. Ndërsa pronari i një ndërmarreje të transportit, Pashk Mërturi u ankua për, siç u shpreh ai, detyrimin për pagesa të dyfishta të doganës. Fatlum Isufi, nga ana tjetër, një i ri, pronar i një garazhi të automjeteve tha se është detyruar të tërhiqej nga plani që kishte pasur për të shitur automjete në Kosovë. E gjithë kjo për shkakun se dogana i kishin caktuar një taksë të papërballueshme dhe shumë më të lartë se që e praktikojnë shtetet tjera për makinat e importuara. Me kritika për ekzistimin e korrupsionit në shkallë të lartë dhe për krim të organizuar u shpreh edhe Nazmi Jakurti, këshilltar i kryetarit të asociacionit të afaristëve shqiptarë.
Duke dëgjuar ankesat dhe kritikat, përfaqësuesit e institucioneve u sugjeruan atyre që mendojnë se u janë bërë padrejtësi, që ankesat t`ua drejtojnë me shkrim institucioneve konkrete, që eventualisht ua kanë shkelur ndonjë të drejtë. Sipas tyre, këto ankesa do të shqyrtohen dhe ankuesit do të marrin një përgjigje. Por, siç u dëgjua nga disa debatues, ata, edhe kur kanë bërë ankesa të tilla, të shumtën e rasteve nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet përkatëse.
box
Disa investitorë, nga frika e konkurrencës, nxijnë imazhin e Kosovës?
“Imazhin për klimën jo të mirë për investime e përhapin edhe një pjesë e investitorëve të jashtëm që realisht janë duke pasur fitim të mirë nga investimet e tyre. Ata, thjesht, duke dashur ta largojnë konkurrencën, shprehen krijojnë qëllimisht imazh negativ për klimën e investimeve në Kosovë”, tha Sakip Imeri, drejtor i Shërbimit dhe Edukimit të tatimpaguesve në ATK.
Blerim Shabani
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Ka shkatërruar Ferrarin e tij, 43 muaj burg dhe 6 vjet dëbim për kosovarin U ankua kundër dënimit me 43 muaj burg por iu shqiptua edhe masa e dëbimit për...
-
Avni Gallapeni, një krijues me vizion që lidh artin me industrinë
-
Zamfina Rexhaj vjen me një libër dygjuhësor me poezi
-
Kosova, gati për turneun “Yellow Cup” në Winterthur të Zvicrës
-
Pritjet nëpër pika kufitare, 2 orë për të dalë në Merdarë e Muçibabë
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Bëhet apel për kujdes nga faqet jozyrtare për ngjitësin e autostradës 2025 Vinjeta e autostradës ekziston në formë elektronike që nga gushti 2023. Në janar, faqet e internetit...
-
Një jetë pa media sociale: së shpejti një realitet për të rinjtë?
-
Shoqata e Fermerëve është alarmuar, si “janë” fermerët zviceranë?
-
Shiu i rrezikshëm ngrirës drejt Zvicrës
-
2602 franga për 14 metra katrorë, mega-çmimi për mini-apartament në Cyrih