Feja

Institucionalizimi i islamit në Zvicër është mendim/veprim i papjekur dhe vetëflijim

Bashkim Iseni shkruan: Nevoja e institucionalizimit të islamit në Zvicër. Përgjigje ime,  Nexhmije Mehmetaj

 

Thënia se “Debati mbi faktorin mysliman në Zvicër duhet të mbahet, por jo sikur të ishte një trup i huaj, sepse më shumë se një e treta e myslimanëve në fjalë janë zviceranë” nuk është e vërtetë,  pasi që nuk ka mbështetje në asnjë hulumtim shkencor. Si mund t’i fusni në thesin e myslimanëve të gjithë shqiptarët, kur pjesa dërmuese e tyre kurrë nuk kanë shkuar në xhami, kurrë nuk janë pagëzuar sipas riteve myslimane, kurrë nuk i kanë respektuar traditat islamike etj.

Në fakt ata që kanë nënshtetësi zvicerane nuk  “vrapojnë” fare pas fesë sepse janë të integruar në shoqërinë pritëse por, pikërisht mërgimtarët e pa integruar në Zvicër kanë rënë nën ndikimin e politikave të atdheut, janë bërë vegla të tyre.

Për fat të keq rrymat ideologjike fetare që janë krijuar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni gjë e cila ka rezultuar që mbi 400 persona nga Kosova të merrnin pjesë në organizatat terroriste sikurse që janë ISIS, Al Qaeda e Fronti Al Nusra, nga thirrja që u bëri i pari i Bashkësisë Islama në Prishtinë Naim Tërnava imamëve nëpër xhami për ta përkrahur “luftën e Shamit” dhe ai vet kurrë nuk u dënua prej askujt. Kurse të rinjtë shqiptarë ranë pre e një njeriu të shitur. Ideologjitë fetare islamike janë importuar këto vitet e fundit edhe në Zvicër dhe feja është bërë më tepër se një biznes që udhëhiqet nga  persona të caktuar për të nxjerr përfitime sa më të mëdha të cilët paguhen nga biznesmen antikombëtar si dhe nga Turqia e shtetet arabe.

Institucionalizimi i fesë myslimane në Zvicër është mendim/veprim i papjekur dhe vetëflijim.

Kur e keni shkruar këtë artikull a e keni pyetur veten, çka fitojnë shqiptarët nga institucionalizimi i islamit në Zvicër?

Shqiptarët në Zvicër duhet të mendohen mirë dhe të orientohen pro kulturës Evropiane së cilës edhe i takojmë dhe në harmoni e miqësi të përhershme me popullin zviceran.

Shqiptarët në Zvicër kanë nevojë për ide të shëndosha për të frymëzuar një organizim të shëndoshë kombëtar.

Brezi i ri shqiptar në Zvicër duhet t’i rreket shkollës dhe dijes, punës dhe zhvillimit kështu e siguron vetëdijen për një jetë të sigurt në vetvete e jo të mbetet shërbëtor i ndjenjave se dikush tjetër do t`ia rregullojë jetën.

Rinia shqiptare duhet të udhëzohet prej intelektualëve shqiptarë për një orientim të drejtë e jo të gabuar që disa shqiptarë ende nuk e kanë kuptuar se sa i rrezikshëm është fenomeni islamik radikal.

Rinia shqiptare duhet të frymëzohet për një vetëdije të shëndoshë për të ruajtur gjuhën shqipe dhe atdhedashurinë.

Duhet të udhëzohet të respektojë Kushtetutën dhe Ligjet e Zvicrës, këtu ku kemi ardhur për të punuar dhe për të siguruar kafshatën e bukës.

Shqiptarët nuk duhet të mburrën me fenë myslimane, sepse shqiptarët me dhunë u konvertuan në islam nga pushtimi i gjatë 500 vjeçar osman. Për këtë shkak sot jemi populli më i varfër dhe i prapambetur në Evropë.

Me mos institucionalizimin e islamit në Zvicër, shqiptarët nuk humbin asgjë kombëtare. Përkundrazi kultivimi i islamit prej shqiptarëve mund të krijojë një mërgatë  myslimane shqiptare, por kurrë një ngulim – bashkësi shqiptare evropiane.

Kur i ftoj prindërit shqiptarë nga Maqedonia që të regjistrojnë fëmijët në mësimin shqip disa prej tyre fjalën e parë më thonë ”ne jemi myslimanë pastaj vjen fjala shqiptarë”. Mjerisht shqiptarët po shndërrohen në myslimanë shqiptarë, duke zëvendësuar vëllazërinë e gjakut me atë të fesë.

Rrëshqitja ndaj fesë është një gjë e rrezikshme ndaj ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Andaj as që ka nevojë për debate të tilla!!! Sepse nuk është në interesin tonë kombëtar. Besimi /feja është e drejtë elementare e individit dhe atë mund ta gëzojë – praktikojë edhe në vatrën familjare.

Po të kishit idenë për institucionalizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe padyshim që do ta kishit përkrahjen e shumicës së shqiptarëve në Zvicër. Për rolin dhe rëndësinë e gjuhës amtare në suksesin shkollor te fëmijëve mërgimtarë dihet qysh moti.