Lajme

Inspektorati dhe Policia e Kosovës në aksion për të monitoruar zbatimin e masave anti-Covid

Inspektorati dhe Policia e Kosovës kanë dal në teren për të monitoruar zbatimin e masave anti-Covid të vendosura nga Qeveria.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se për të gjithë ata që kapen duke mos respektuar masat do t’iu vendoset shiriti mbyllës.

Ai iu ka bërë thirrje pjesëtarëve policorë që çdo operator ekonomik që ka përsëritur në vazhdimësi veprimet që nuk janë në përputhje me masat mbrojtëse, përveç gjobave, të mbyllen.

“Policia e Kosovës deri më tani ka bërë 11, 824 fletë-paraqitje të cilat i kemi dërguar tek inspektorët sanitarë dhe këto fletëparaqitje do të shndërrohen në gjoba. Kemi bërë 14, 101 vërejtje qytetarëve, të cilat janë vërejtje me shkrim, të cilat janë të evidentuara në data bazat tonë. Dhe konsideroj që dhe u bëj thirrje policëve të Kosovës që tani e tutje mos të lejojnë qytetarët e Kosovës të cilët nuk respektojnë vendimet e qeverisë, masat mbrojtëse dhe të sanksionojnë të gjithë. Po ashtu së bashku me inspektorët sanitarë që të shtojnë inspektimet në operatorë ekonomikë, në lokale, markete dhe autobusë”, ka deklaruar Qalaj, përcjell albinfo.ch.

Po ashtu Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se janë të detyruar të ashpërsojnë masat, si shkak i situatës aktuale me Covid-19.

Sipas tij, ditët e fundit sektori i gastronomisë nuk ka respektuar asnjë nga rekomandimet e institucioneve shëndetësore, për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

Prandaj në Prishtinë janë mbyllur disa lokale për shkak të mos respektimit të rekomandimeve të caktuara.