Kosova

Insekti i zbuluar që gjendet vetëm në Kosovë

Potamophylax humoinsapiens është emri i llojit më të ri të insektit, i zbuluar në Bjeshkët e Sharrit në Kosovë nga profesori i Universitetit të Prishtinës, Halil Ibrahimi. Ky insekt ujor, i cili haset vetëm në Kosovë, është shumë i ndjeshëm ndaj ndotjes së mjedisit dhe luan rol kyç në ruajtjen e gjendjes së pastër të ujërave.

Për këtë fakt, është emërtuar edhe si i tillë. ‘Humoinsapiens’ vjen nga fjalët latine ‘humo’, që në shqip do të thotë ‘të varrosësh’, dhe ‘insapiens’ që do të thotë ‘i pamençur’ dhe sipas vetë zbuluesit të tij, profesorit të Universitetit të Prishtinës, Halil Ibrahimit, i referohet simbolikisht gjendjes së rënduar të ambientit.

Emërtimi i llojit tingëllon si Homo insapiens (njeriu i pamençur), i cili “kundërshton” emërtimin aktual shkencor të njeriut Homo sapiens (njeriu i mençur). Sipas profesorit Ibrahimi, njeriu, me veprimet e tij karshi mjedisit e ka shkatërruar atë dhe kjo ka çuar drejt zhdukjes shumë lloje të organizmave të gjallë. Si rrjedhojë e kësaj, profesori Ibrahimi edhe e sheh të nevojshme që, përmes këtij zbulimi, të adresojë këtë çështje jetike për mjedisin.
E rrugëtimi deri në arritjen e këtij zbulimi për profesorin Ibrahimi dhe bashkëpunëtorët e tij nga Departamenti i Biologjisë, ishte më shumë se një dekadësh. Këto detaje profesori i ndau me të pranishmit gjatë ligjëratës së mbajtur në rektoratin e Universitetit të Prishtinës. Ai foli edhe për metodën e zbulimit të këtij insekti, e cila është realizuar duke kombinuar taksonominë klasike të bazuar në morfologji me metodat moderne të biologjisë molekulare, si dhe për rëndësinë e këtij hulumtimi. “Hulumtimet e tilla janë të rëndësishme për të kuptuar proceset e funksionimit të ekosistemeve të lumenjve dhe atyre të ndërlidhura me to, si dhe proceseve të biodiversitetit dhe endemizmit”, tha ai.
Ibrahimi ka përshkruar gjatë viteve të fundit edhe disa lloje të tjera të insekteve nga Kosova, duke e prezantuar Kosovën  si një vatër të biodiversitetit për këtë grup insektesh. “I fundit ishte emërtuar Potamophylax coronavirus, për të tërhequr një paralele midis pandemisë së koronavirusit dhe një pandemie tjetër që po zhvillohej më në heshtje,  që njerëzit me veprimet e tyre kanë shkaktuar ndaj insekteve në lumenj nëpërmjet ndotjes”, njoftoi profesori.
Për punën e profesorit Ibrahimi dhe rëndësinë e këtij zbulimi foli rektori, prof. dr. Qerim Qerimi, transmeton albinfo.ch.

Ai theksoi se të tilla zbulime e bëjnë UP-në edhe më atraktive për përgatitjen e shkencëtarëve të rinj. “Studentët e kësaj fushe kanë shumë arsye të ndihen krenarë me rezultatin e profesorit të tyre.

Madje, edhe të tjerët që do të vijnë duhet të kuptojnë që zgjedhja e këtij institucioni, apo konkretisht kësaj fushe të studimit, paraqet një vlerë të veçantë, ndër të tjerash, sepse aty ju presin profesorë dhe studiues që janë seriozë dhe të krahasueshëm me profesorë kudo tjetër në Evropë dhe më gjerë”, theksoi rektori, para se t’ia dhuronte mirënjohjen e UP-së profesorit.

Nga profesori Halil Ibrahimi viteve të fundit janë përshkruar lloje të reja të insekteve, përveç në Kosovë, edhe nga vende të tjera të Ballkanit, në Afrikën Veriore dhe Lindje të Mesme.

Në Kosovë, numri i insekteve të zbuluara është rritur nga 20 në rreth 200 falë punës së profesorit Halil Ibrahimi dhe ekipit të tij.
Punimi shkencor i profesorit Halil Ibrahimi dhe ekipit të tij nga Universiteti i Prishtinës është botuar në revistën shkencore Biodiversity Data Journal.