Integrimi
Infermierja kosovare në Chur, shembull inspirues për të rinjtë
Në intervistën për albinfo.ch, Dritë Rushiti ka treguar rrugëtimin e saj që nga ardhja në Zvicër, deri tek vendimi për të kryer studimet Bachelor në infermieri
Ajo e la Kosovën në moshë shumë të re, për t´i dhënë një drejtim krejt ndryshe jetës së saj. Dritë Rushiti, nga Gjilani, kishte përfunduar vetëm shkollën e mesme të mjekësisë kur vendosi të lidhë kurorë me bashkëshortin e saj të tashëm, i cili jetonte në Zvicër.
Dëshira e Dritës për të punuar në fushë të shëndetësisë kishte lindur qëkur ajo kishte qenë fëmijë. Kjo ishte dhe arsyeja pse Drita ishte regjistruar në Shkollën e mesme të mjekësisë. Ajo donte që studimet t´i përfundonte në Kosovë dhe të vazhdonte punën në vendin e saj.
Megjithatë, dashuria bëri që ajo të ndryshonte planet. Shkuarja në Zvicër ishte e vështirë, por njëherësh hapi shumë dyer mundësish për Dritën.
Në intervistën për albinfo.ch, ajo ka treguar rrugëtimin e saj që nga ardhja në Zvicër, deri tek vendimi për të kryer studimet Bachelor në infermieri.
“Në 2006-ën isha akoma e re dhe kisha shpresë ta filloja Fakultetin e Mjekësisë në Zürich. Por, ishte shumë e vështirë të kyçem në atë drejtim nga shkaku i gjuhës gjermane, që në fillim nuk e mbizotëroja në nivelin e duhur. Megjithatë, pas rreth 3 muajve pata fatin të filloja një praktikë tek ordinanca e një mjeku të shëndetësisë familjare në St.Gallen. Aty më pas punova për 3 vite si Medizinische Praxis-Assistentin MPA deri në vitin 2009. Kjo më ndihmoi që ta përvetësoj mjaft mirë gjuhën gjermane”, rrëfen Drita.
Gjatë kohës sa punonte, Drita kishte mundësi të mbronte titullin e infermierisë, me ç`rast, pas një trajnimi 6-mujor absolvoi në „Paulus-Akademie“, në Zürich. Në vitin 2009 ajo mori licensën për infermieri (Diplomierte Pflegefachfrau HF). Kjo i hapi dyert Dritës në Spitalin e Graunbünden ku nisi punën si infermiere. Ndërkohë, ajo vazhdoi të ndiqte edhe kurse të ndryshme të gjuhës gjermane, deri kur mori edhe certifikatën nga Goethe Institut në nivelin C1.
Përfundimi i Bachelorit si nënë e dy fëmijëve
Edhepse me shumë angazhime, dëshira e Dritës për të studiuar nuk u shua kurrë. Ajo ishte nënë e dy fëmijëve kur nisi studimet Bachelor. Drita tregon se përkrahja e familjes së saj dhe e bashkëshortit bënë që të përfundonte studimet Bachelor të infermierisë.
„Në fillim studionte bashkëshorti im, në inxhinieri të ndërtimtarisë, kurse unë punoja që të integrohem duke mësuar gjuhën, dhe sigurisht ndihmoja financiarisht. Në vitin 2010 erdhi në jetë fëmija ynë i parë. Në atë kohë nuk isha gati për studime. Megjithatë, pas lindjes së vajzës, unë isha tashmë në moshën 32-vjeçare, falë ndihmës së prindërve të mi dhe të bashkëshortit, të cilët udhëtonin rregullisht në Zvicër, vendosa që të studioj. Mendova se, ose tani, ose kurrë“, thotë Drita.
Ky vendim i kishte peripecitë e veta. Drita duhej të gjente kohë për shkollën, por edhe për fëmijët dhe bashkëshortin.
„Shpesh nuk kisha kohë të mjaftueshme, më duhej të mësoja, por edhe të kaloja kohë me familje. Studimet i fillova në vitin 2018, vajza ishte 3 vjeçe dhe kishte nevojë për një përkushtim më intensiv. Kurse, djali fillonte shkollën fillore dhe kishte po ashtu nevojë për mbikëqyrje. Gjithashtu, edhe inkuadrimi në sistemin studimor në Zvicër ishte një sfidë e re dhe pak e mundimshme, deri sa u adaptova“, ka sqaruar Drita.
Puna e tanishme e Dritës si infermiere e IBD-së
Drita tani punon si asistente e endoskopisë dhe si infermiere e IBD-së. Ajo ka sqaruar detyrat e saj në Spitalin e Graunbünden.
„Si asistente e endoskopisë asistoj gjatë kontrolleve të ndryshme mjekësore që kryhen në repartin tonë, si p.sh: gastroskopi, kolonoskopi, bronkoskopi, endosonografie, ERCP (Endoscopic Retrograde Cholangiopancreatography), etj“, ka thënë ajo.
Ndërsa, Drita ka shtuar se si infermiere e IBD-së kryen konsulta me pacientët me sëmundje autoimune të traktit gastrointestinal, si p.sh: Morbus Crohn, Colotis Ulcerosa dhe Colitis Indeterminata.
„Detyrat e mia kryesore janë: Anamnesa, diagnostifikimi laboratorik, dokumentacioni, skriningu para terapive biologjike, aplikimi i terapive subkutane biologjike, monitorimi i terapive të ndryshme imunosupresive, mbledhja e të dhënave për analiza interne statistike si dhe për IBD Kohorte Studie (Sëiss IBD Cohort Study SIBDCS)“, ka sqaruar tutje ajo.
E ardhmja e Dritës, vullneti për të studiuar nuk shuhet
Dëshira e Dritës për t´u ngritur akademikisht nuk do të ndalet. Përkundër sfidave që i pati dikur, ajo tashmë e sheh veten të gatshme që të vazhdojë përpara me studimet Master.
„Në janar 2023 do t´i filloj studimet MAS (Master Advanced Studies) në drejtim Physician Associate Skills në ZHAW (Zürcher Hochschule für angeëandte Wissenschaft) dhe do të qëndroj në funksionin e ri si IBD- Nurse në Chur. Pritet një bashkëpunim me IBDnet Organizat në Zürich dhe SGG Organizat (Schweizerische Gesellschaft für die Gastroenterologie) për avancimin e këtij funksioni anë e mbanë Zvicrës“, ka thënë ajo.
Lidhja me Kosovën dhe projekti me QKUK-në në Prishtinë
Përkundër angazhimeve të shumta, Drita nuk lë pa përmendur Kosovën. Ajo thotë se ka familjen dhe shoqërinë atje, të cilët sigurohet t´i vizitojë 2-3 herë në vit.
Ndërsa, që nga viti 2019 ajo është angazhuar në një projekt me Klinikën e Gastroentorologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të cilin e ka iniciuar vet.
“Që nga viti 2019 kemi filluar një projekt bashkëpunimi me Klinikën e Gastroenterologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës QKUK, në kuadër të organizatës bamirëse Gastro Foundation, me seli në Gjermani. Organizimi i këtij projekti është nën udhhëqjen e PD Dr.med Mathias Breidert dhe Dr.med Patrick Mosler. Unë isha inicatore dhe tashmë pjesë e këtij projekti. Qëllimi i këtij projekti është avancimi dhe trajnimi i stafit të Gastroentorologjisë në Prishtinë, si dhe furnizimi i kësaj qendre me aparaturat e duhura”, ka thënë Drita.
Kur ka vullnet…
Dëshira e Dritës për të përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Kosovë nuk u realizua. Por, si një infermiere e zonja në Zvicër, ajo është inspirim për të rinjtë, të cilët duan të angazhohen për të studiuar dhe punuar në të njëjtën kohë. Drita tregon se kjo është e mundur kur njeriu ka vullnet për të arritur.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
LAPSH në Gjenevë, kërkon ndihmë për nxënësit e Shkollës Shqipe Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Gjenevë ka kërkuar ndihmë për nxënësit në...
-
Limaj në Gjermani tha se mbështetja e mërgimtarëve është forcë për Kosovën
-
Bedri Hamza takon mantelbardhët shqiptarë në Zvicër, i quan mjekë me përvojë të jashtëzakonshme
-
Prof.Dr. Cuculi, njeriu në mes të doktorit të zemrës dhe menaxherit
-
Jobsmentor.eu, platforma inovative që ndërton ura karriere mes Europës Lindore dhe Perëndimore
Jeta në Zvicër
-
Pak më pak se 30% e njerëzve të larguar nga Ukraina, arrijnë të punojnë në Zvicër Vetëm 29% e ukrainasve në Zvicër kanë një punë, një shifër ende larg objektivit prej 40%...
-
Vera zvicerane nuk do të ndjekë rregullat e BE-së
-
Kantonet zvicerane kanë vrarë 39 ujqër deri më tani këtë vjeshtë
-
Nga sot, ndalohet hyrja në fshatin zviceran, shkak kërcënimet nga rrëshqitja e dheut
-
Pagat zvicerane do të rriten në vitin 2025