Jeta në Zvicër

Industria zvicerane këndellet pas tronditjes së frangut

Industria e Zvicrës e ka tejkaluar tronditjen e parë që pësoi pas heqjes së kursit minimal të euros, që e pati bërë Banka Nacionale e Zvicrës në mesin e muajit janar të këtij viti. Këtë shok e kanë tejkaluar si kompanitë e mëdha ashtu dhe të voglat dhe të mesmet. Te të tri grupet, falë shtimit të porosive, gjatë muajit prill ka pasur një këndellje.

Barometri për kompanitë e vogla dhe të mesme (KMU) është ngritur nga minus 1.28 pikë sa ishte në mars, në 0.68 në muajin prill, bën të ditur banka UBS nëbarometrin e saj KMU.

Po ashtu ngritje ka shënuar barometri edhe te kompanitë e mëdha. Indikatori te to nga minus 0.85 në muajin mars, është ngritur në minus 0.18. Me gjithë përmirësimin e dukshëm, indikatorët e përmendur janë ende larg nga mesatareve që kanë pasur me vite të tëra para ndërrimit të kursit të frangut. Atëbotë, KMU-të e kishin mesataren 0.13 ndërsa ndërmarrjet e mëdha, 0.15.