Lajme

Industria hekurudhore sfidohet nga ndryshimet klimatike

Ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më shumë një sfidë e madhe për transportin hekurudhor.

Stuhitë, reshjet e borës, përmbytjet dhe zjarret po vënë në provë të vështirë rrjetet hekurudhore në gjithë Europën.

Vetëm në Austri, sipas së përditshmes austriake “Kronen Zeitung”, Railjets dhe trenat e tjerë të ÖBB u detyruan të ndalonin 1900 herë në vitin 2023, për shkak të kushteve të motit.

“Në vitet e fundit nuk kemi pasur aq shumë anulime udhëtimi të trenave për shkak të stuhive sa kemi pasur gushtin e kaluar”, deklaroi për shtypin austriak Bernhard Rieder, zëdhënësi i ÖBB-së.

“Vetëm përmbytjet në Tirol dhe Salzburg dhe rrëshqitjet masive të dheut pas stuhive sollën si rrjedhojë 716 ndalesa të paplanifikuara për shkak të motit.

Ai shtoi se rritja e temperaturave në rajonin e Alpeve po çon në një rritje të zjarreve të argjinaturës dhe pyjeve, deformime të binarëve dhe një rënie të pyjeve mbrojtëse për shkak të stresit të nxehtësisë.

“Ne po i shohim me shqetësim ndërprerjet e shkaktuara nga ngjarjet ekstreme të motit”, tha ai.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një këshilltar i qeverisë paralajmëroi se ndërprerjet e udhëtimeve do të përkeqësohen, për shkak të ndryshimeve klimatike, nëse rrjeti hekurudhor i vendit nuk merr më shumë fonde.

Në gusht të vitit të kaluar, Sir John Armitt theksoi se reshjet e mëdha kanë goditur udhëtimet me tren, me përmbytje dhe rrëshqitje të dheut.

Edhe valët e të nxehtit janë përgjegjëse për anulimet e shpeshta të udhëtimeve me tren, për shkak të problemeve me binarët e deformuar dhe linjave elektrike ajrore të rëna.

Binarët hekurudhorë janë projektuar për të rezistuar deri në njëfarë temperature, por mund të deformohen në kushte shumë të nxehta.

Nxehtësia mund të shkaktojë edhe uljen e linjave elektrike ajrore, të cilat mund të kapin pajisjet e trenave.

Si po përshtatet industria hekurudhore ndaj ndryshimeve klimatike?

Në Austri, linjat elektrike ajrore po përshtaten për të parandaluar mbinxehjen. Ndër të tjera, shinat po bëhen më rezistente ndaj nxehtësisë, duke vënë mbi to bojë të bardhë.

Shpatet në rrezik rrëshqitjeje po monitorohen edhe më shumë nga afër dhe po zgjerohet edhe vëzhgimi i kushteve meteorologjike.

Në Mbretërinë e Bashkuar është investuar më shumë në drenazhim dhe po përdoret teknologjia për të monitoruar në distancë temperaturat e shinave.

Pas vdekjes së tre personave në gusht 2020, kur një tren u ndesh me një rrëshqitje dheu në Aberdeenshire, Network Rail ka zhvilluar një software të ri për të parashikuar reshjet e papritura dhe të rrëmbyeshme.

Qendra operative e shoqërisë në Cardiff përdor sensorë nxehtësie dhe telekamera për të mbajtur në vëzhgim kushtet e hekurudhave në të gjithë rajonin.

Edhe pse kjo nuk i zgjidh ndërprerjet e shërbimit, do të thotë se siguria mund të përmirësohet duke vendosur kufizime të shpejtësisë dhe me ndërhyrjen e ekipeve të mirëmbajtjes, përcjell albinfo.ch.

Trenat europianë “tri-brid” mund të revolucionarizojnë transportin hekurudhor

Edhe industria hekurudhore po e kthen vëmendjen te rrënjët e problemit dhe po punon për të zvogëluar ndikimin e saj në ngrohjen globale.

Kompania italiane Hitachi Rail ka zhvilluar një tren inovator tri-brid.

Lokomotiva Masaccio mund të fuqizohet në tre mënyra: nëpërmjet linjave elektrike ajrore, nëpërmjet një motori hibrid me naftë ose me bateri.

Bateria revolucionare mund të rikarikohet kur treni është në lëvizje falë energjisë elektrike që vjen nga linjat ajrore. Gjithashtu mund të shfrytëzojë energjinë gjatë frenimit të trenit që ndalet.

Kjo bateri e cila mbron mjedisin mund të fuqizojë trenin, pa pasur nevojë për naftë, në segmente të shkurtra të linjës kur ka boshllëqe në elektrifikim.

Ajo mund të përdoret edhe gjatë mbërritjes apo nisjes së trenit nga stacionet, duke zvogëluar ndotjen akustike dhe atmosferike të një qyteti.

Trenat testohen në një dhomë klimatike të ndërtuar posaçërisht, e cila simulon temperatura nga -50 në +40°C për t’u siguruar që mund t’i rezistojnë ngjarjeve ekstreme të motit në të ardhmen.