Lajme

Eksportet zvicerane përballen me kosto të larta nga tarifat amerikane

Industria zvicerane e eksportit po përballet me sfida të mëdha si pasojë e tarifave të reja të importit të vendosura nga administrata e presidentit  amerikan, Donald Trump. Veçanërisht, sektori i teknologjisë mekanike, elektrike dhe metalike (MEM) është prekur nga tarifat 25% për çelikun dhe aluminin, duke rritur ndjeshëm kostot për kompanitë zvicerane, shkruan SRF.

Sipas të dhënave të Swissmem, eksportuesit zviceranë të teknologjisë paguajnë deri në 800 milionë CHF në taksa doganore shtesë çdo vit, vetëm për këto tarifa. Kjo ka sjellë një rritje të barrës administrative për bizneset, të cilat duhet të kalkulojnë saktësisht vlerën e përbërësve metalikë në produktet e tyre dhe të përgatisin dokumentacion të detajuar doganor. Përveç kësaj, autoritetet amerikane janë të mbingarkuara me procesimin e tarifave, duke krijuar vonesa dhe pasiguri për kompanitë eksportuese, transmeton albinfo.ch.

Një tjetër rrezik i madh vjen nga tarifat e mundshme për importin e automjeteve në SHBA, të cilat mund të prekin indirekt furnizuesit zviceranë të pjesëve të automjeteve. Kjo ka shkaktuar pasiguri në mesin e bizneseve, të cilat nuk janë të sigurta për të ardhmen e marrëdhënieve tregtare ndërkombëtare.

Ekspertët theksojnë se situata mbetet e paqartë dhe se masat kundërpërgjigjëse të partnerëve tregtarë të SHBA-së, si Bashkimi Evropian dhe Kina, mund të ndikojnë më tej në eksportet zvicerane, duke krijuar sfida të reja për industrinë, përcjell albinfo.ch.