Koronavirusi: çast pas çasti

Impakti ekonomik i koronavirusit në Zvicër

Zvicra renditet në vendin e dhjetë, me më shumë se 1 miliard dollarë eksporte të humbura, për shkak të ndërprerjeve të furnizimit nga Kina. Pasojat ekonomike për Zvicrën nga e gjithë kjo bllokadë globale vazhdojnë të rriten dhe janë vështirë për t’u matur

Tkurrja e thellë e aktivitetit ekonomik të Kinës gjatë muajit të kaluar për shkak të epidemisë së koronavirusit, ka dërguar valë shoku në të gjithë globin. Zvicra është një nga dhjetë vendet e para të ekspozuara ndaj ndërprerjeve të furnizimit kinez. Sipas një burimi te Kombeve te Bashkuara, deri më tani, kjo tkurrje e prodhimit kinez u ka kushtuar vendeve të tjera të botës dhe industrive të tyre më shumë se 50 miliardë dollarë (47.8 miliardë CHF).

Zvicra renditet në vendin e dhjetë, me më shumë se 1 miliard dollarë eksporte të humbura, për shkak të ndërprerjeve të furnizimit nga Kina.

Pasojat ekonomike për Zvicrën nga e gjithë kjo bllokadë globale vazhdojnë të rriten dhe janë vështirë për t’u matur.

Që nga e premtja, qeveria ka vënë 10 miliardë CHF (10.5 miliardë dollarë) në dispozicion të sektorit privat. Qëllimi kryesor është sigurimi i likuiditetit dhe pagesa e pagave.

Panairi i orëve Baselworld Watch dhe panairi i automjeteve në Gjenevë ishin ndër eventet e para që u anuluan. Një zyrtar kantonal në Gjenevë vlerësoi se panairi i anuluar i makinave do t’i kushtojë ekonomisë lokale rreth 250 milion CHF (262.8 milion dollarë).

Çdo të dytin frang, Zvicra e  fiton jashtë vendit

 

Para disa ditësh, Shtetet e Bashkuara te Amerikës i dhanë një grusht të fortë ekonomisë zvicerane, duke ndaluar te gjitha fluturimet drejt zonave te Schengenit. Shumë eksporte, te konsideruara si të «lehta», si p.sh, pjesë makinerish dhe produkte te ndryshme farmaceutike eksportoheshin me aeroplanë pasagjerësh.

SHBA është partneri i dytë më i madh tregtar i Zvicrës, pas Bashkimit Evropian. Vitin e kaluar, rreth 47.4 miliardë CHF mallra zvicerane u eksportuan përtej oqeanit Atlantik.

Cila industri është prekur më së shumti në Zvicër

Industria e turizmit parashikohet të ketë humbjet më të mëdha, duke pasur efekt indirekt edhe ne sektorë tjerë. Kjo, përveç linjave ajrore, ka ndikuar edhe te operatorët tjerë turistikë, hotelet, si dhe shërbyesit tjerë në këtë industri. Në mënyrë indirekte nga kjo krizë është prekur edhe industria e mediave, të të gjitha formave. Kjo vjen si pasojë se hapi i parë që kompanitë bëjnë në kohëra krize është të shkurtojnë buxhetin për reklama.

Turizmi Zviceran pret që numri i turistëve nga Azia të bjerë me 25% në tremujorin e dytë të vitit, si dhe një rënie prej 20% të mysafirëve amerikanë dhe një rënie prej 10% të mysafirëve nga Evropa. Për mars dhe prill 2020, operatorët zviceranë të hoteleve presin që qarkullimi të bjerë më shumë se 60%. Aeroporti i Cyrihut gjithashtu beson se biznesi do të bjerë me më shumë se 20% për shkak të virusit.

Shitoret me gjëra ushqimore dhe higjienike, janë duke u përballur me “blerje paniku”, dhe deri më tani ato kanë treguar stabilitet të madh krahas fluksit të madh të blerësve. Edhe eksperienca në Kinë ka treguar se furnizimi me artikujt ushqimorë nuk ka qenë problem i madh. Megjithatë, kjo mund të quhet fazë fitimprurëse afatshkurtër për ta. Pas një kohe, njerëzit do të ndalojnë blerjet, dhe do të kthehen t`i shpenzojnë stoqet në shtëpitë e tyre.

Fitimtarë në këso situate janë duke dalë shërbimet transmetuese si Netflix, Spotify, Sky, etj.

Si duhet të veprojnë kompanitë në situata të tilla

Dijetarë të ndryshëm kanë dhënë mendime të ndryshme se si të veprohet në gjendje të tilla krize. Megjithatë, në situata të tilla, duhet të pajtohemi me veprimet si në vijim:

E para dhe më e rëndësishmja është që të ndërmarrim masa për tu siguruar se shëndeti dhe jeta e punëtorëve të kompanisë, nuk do të rrezikohen përgjatë orarit të tyre të punës.

E dyta është që këtë periudhë ta njohim me të vërtetë si krizë, të deklarojmë se jemi në krizë, dhe më e rëndësishmja është të veprojmë si në kriza, shpejtë dhe me vendime konkrete.

Hap tjetër i rëndësishëm është që ne të fokusohemi në tri “K”-të, menaxhimin e kesh-it (cash), komunikimin, dhe kolaborimin ose bashkëpunimin.

Në shumicën e rasteve kompanitë bankrotojnë kur ato bëhen jo-likuide. Në rastin tonë, kompanitë duhet të jenë në gjendje të identifikojnë se cilat investime ato mund t`i stopojnë, si t`i zvogëlojnë shpenzimet, apo duhet të marrim hapa tjerë edhe më radikal, në mënyrë që ta mbrojnë sa më shumë kesh-in. Të gjitha këto për tu siguruar se kompania do të jetë mjaft likuide gjatë kësaj periudhe.

Në këtë kohë pasigurie, është shumë e rëndësishme të mbahet komunikim i vazhdueshëm me aksionarët, furnitorët, klientët, dhe të gjithë ata që në një formë apo tjetrën janë të ndërlidhur me aktivitetet e kompanise.

Në fund, këto situata janë te pa precedentë, dhe bashkëpunimi e koordinimi i aktiviteteve me furnizuesit, aksionarët dhe mbështetësit tjerë financiarë, si dhe me qeverinë në veçanti, janë shumë të rëndësishme dhe shpesh jetike për bizneset në këto faza.

Implikimet e faktorëve të tjerë nga jashtë, si dhe kapaciteti i kompanisë nga mbrenda, mund të kërkojnë hapa e vendime të tjera që jo domosdoshmërisht përkojnë me sugjerimet e lartshënuara.

  • Autori është ligjërues për ndërmarrësinë, në një fakultet zviceran. Editoriali është shkruar enkas për albinfo.ch