Integrimi

„Ilirët “ nga Lozana bëjnë lobi për Kosovën

Ansambli „Ilirët “ ishte befasia e këndshme për publikun që përbëhej me mbi 80% pjesëmarrës nga bota diplomatike e Kombeve të Bashkuara

Për nderë të ambasadorëve të rinj dhe diplomatëve të tjerë që vendosen për të përfaqësuar shtetet e tyre përkatëse në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë,  Qendra e Pritjes së Gjenevës Ndërkombëtare (CAGI) në bashkëpunim me bankën UBS dhe partner të tjerë organizoi dje një ngjarje kulturore e cila kishte për qëllim që të prezantojë grupe muzikore nga të katër anët e globit. Në mesin e më shumë se 100 artistëve ishte i pranishëm në skenë edhe grupi „Ilirët  nga Lozana i cili i prezantoi publikut ndërkombëtar valle me motive kosovare dhe këngë shqipe nën ritmin e instrumenteve autoktone shqiptare.

„Ilirët“ u pritën në skenë me shumë duartrokitje. Befasia ishte e këndshme, meqë aty  ishin të pranishëm edhe shumë ambasadorë nga shtete të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. “`Ilirët` po bëjnë lobing për Kosovën”, tha Christian Dunant, drejtor i CAGI, duke u shprehur i kënaqur nga pjesëmarrja e grupeve të ndryshme kulturore. Muzika thotë ai “është gjuha më e mirë komunikuese në mes të popujve“.

Një ambient i tillë kishte për qëllim të njoftojë personalitetet ndërkombëtare me Gjenevën. Pikërisht, ngjarja është mbajtur në Sheshin Petit Saconex, jo larg ndërtesës së OKB-sënë të cilën nuk munguan as komercialistët e kësaj komune dhe qytetarët e saj.

albinfo.ch: Kajori Massé-Basu, kryetare e Rrethit të grave të Kombeve të Bashkuara, Mirishahe Limani Hiler, anëtare etj.

Më e kënaqura për suksesin e programit muzikor ishte Znj. Kajori Massé-Basu, kryetare e „Rrethit të grave të Kombeve të Bashkuara” e cila me një ekip shumë të përkushtuar kishte punuar në organizimin e tij. Po ashtu edhe për prezantimin e specialiteteve të ndryshme ushqimore të cilat ishin përgatitur nga duart e grave anëtare të këtij Rrethi, znj. Kajori është shprehur shumë e kënaqur. Ajo thekson se mjetet e grumbulluara do t’i shërbejnë Rrethit për të realizuar projektet që ka.

albinfo.ch: Afërdita e Shpejtim Krasniqi

Në mesin e të pranishmëve ishte kënaqësi kur individë të ngjyrave, gjuhëve e popujve të tjerë u afroheshin „Ilirëve“ duke i përshëndetur ata në gjuhën shqipe! Për kuriozitet, kur i pyetëm disa prej tyre se çfarë i lidhte ata me gjuhën tonë, ishte përgjigja që zgjonte kujtime për ta. „Ne e njohim Kosovën, kemi qenë atje“. Një pensionist nga Holanda rrëfente se ka punuar përgjegjës ne sektorin e shëndetësisë që nga viti 1999 e deri më 2004, të tjerë ishin ish zyrtarë të UNMIK-ut të cilët në një formë apo tjetër kishin qëndruar në Kosovë për më gjatë se 2 apo 3 vite dhe tani punojnë në OKB. Rastësia ishte e këndshme, na thanë ata, kur prezantuesi i programit po paralajmëronte në skenë një grup nga Kosova. „Ne sikur kishim një mall të ju shohim, ngase grupe të ngjashme kishim parë sa ishim në Kosovë, ku, pos vështirësive që kishte në atë kohë kishte edhe shumë të mira të cilat populli juaj ka ditur t’i ndajë me ne“.

Nuk ishte e rastit që „Ilirët“ ishin në skenë, siç nuk është e rastit as anëtarësia e znj. Limani Hiler në „Rrethin e Grave të Kombeve të Bashkuara“. Kjo e fundit kishte kënaqësinë e veçantë që gjatë mbrëmjes Kosova në një formë duartrokitej nga të pranishmit dhe pranohej ashtu siç ka qenë dikur në Iliri me „plis të bardhë e me jatagana“.

Prania e „Ilirëve“ krijoi jo vetëm atmosferë të këndshme muzikore, por edhe miq e partnerë të cilët premtuan se do t’i ftojnë në festa të tjera me karakter kombëtar e ndërkombëtar.