Integrimi

Ikje rekorde e azilkërkuesve në ilegalitet

3324 veta nga kjo kategori kanë ikur në drejtim të panjohur, gjegjësisht veprimi i tyre në statistikat e azilit regjistrohet si “ikje e pakontrolluar"

Gjatë vitit të kaluar, janë “zhdukur” më shumë azilkërkues se kurrë ndonjëherë më parë. Plot 3324 veta nga kjo kategori kanë ikur në drejtim të panjohur, gjegjësisht veprimi i tyre në statistikat e azilit regjistrohet si “ikje e pakontrolluar”. Një vit më parë ky numër ka qenë 2720 ndërsa në vitin 2001 vetëm 41 veta kishin dalë në ilegalitet.

Arsyeja për zhdukjen e tillë është e qartë. Shumica e madhe e azilkërkuesve të ikur kanë pasur vendim për refuzim të kërkesës për azil. Ndërsa gjatë vitit 2012 ka pasur një rritje të madhe të vendimeve të tilla negative. Kuota e njohjes së azilit gjatë vitit të përmendur ka qenë 11.7% në mesin e 24941 kërkesave për azil. Ndërsa në vitin 2011, në kuadrin e 19467 rasteve të zgjidhura, statusi i azilit u është njohur 21 për qind të azilkërkuesve.

Ndërsa sipas Stefan Frey nga Flüchtlingshilfe Schweiz një arsye plotësuese për këtë rritje të ilegalëve është fakti se gjatë vitit të kaluar ka pasur një rritje të numrit të azilkërkuesve që praktikisht nuk kanë shanse të fitojnë azilin. Si shembull ai përmend personat nga vendet e “Pranverës arabe”, shumë prej të cilëve kanë ardhur në Zvicër pa ndonjë gjasë për azil.

Kështu listën e vendeve të prejardhjes të personave që kanë ikur në mënyrë të pakontrolluar Frey thotë se e kryesojnë azilkërkuesit e vendeve për të cilat kuota e pranimit të statusit ë azilit është më e vogël se 1 për qind.

Në krye të listës janë nigerianët me 757 raste, tunizianët me 407, algjerianët me 214, serbët me 79 dhe kosovarët me 70. Autoritetet nuk kanë njohuri për drejtimin nga kanë shkuar azilkërkuesit “e zhdukur”. Ndërsa Frey supozon se ata kryesisht gjejnë strehim te të afërmit dhe të njohurit e tyre. “Ata shkojnë të shumtën atje ku ekziston një diasporë më e madhe e vendit të tyre, në Zvicër ose jashtë saj. Është e mundur që ata provojnë të mbijetojnë duke punuar në të zezë ose duke kërkuar azil në vendet tjera.

Deputeti nacional nga partia e gjelbër Balthasar Glättli beson se shumica e azilkërkuesve të legalizuar në fakt kanë braktisur Zvicrën. Ai nuk e beson se mund të ekzistojë ndonjë rrjet që ndihmon refugjatët në rastin e daljes në ilegalitet. Ka vetëm raste të veçuara kur personat privatë ose kishat u ofrojnë strehim të përkohshëm  apo u japin para që të mund të kthehen në vendet prej nga kanë ardhur.