Futboll
Ikja e Shaqirit shënon fundin e një epoke në futbollin zviceran
Albinfo.ch ka marrë mendimet e personaliteteve të njohura të komunitetit shqiptar të Zvicrës lidhur me ndarjen e Xherdan Shaqirit nga Nati
Xherdan Shaqiri muaj më parë i dha lamtumirën angazhimit të tij në kombëtaren zvicerane të futbollit. Në të njëjtën kohë ai shpalli kthimin, pas 12 vjetësh, në klubin ku kishte bërë hapat e parë të suksesit të tij futbollistik, në FC Basel.
Me rastin e ndarjes nga kombëtarja të Shaqirit dhe dy bashkëlojtarëve të tij, Sommer dhe Schär, “Nati” ka organizuar mbrëmë në St.Gallen për ta, një përcjellje madhështore. Ishte ky një rast për të bërë bilance dhe vlerësime rreth rolit të pazëvendësueshëm të tyre dhe sidomos të Shaqirit, në skuadrën përfaqësuese të Zvicrës, për të paktën 12 vite, sa ka bartur fanellën e saj.
Albinfo.ch në numrin më të ri të revistës së saj ka bërë pikërisht këtë, duke i shtuar edhe faktorin e rolit të madh pozitiv që Shaqiri me yjet tjerë të futbollit, si Xhaka, Mehmedi, Xhemali viteve të fundit por edhe Rama dhe Behrami pak më herët, kanë luajtur në afirmimin dhe integrimin e shqiptarëve në Zvicër.
Për këtë kemi marrë mendimet e disa sportistëve, politikanëve dhe artistëve të njohur shqiptarë të Zvicrës
Lorik Cana: Kontributi i Shaqirit, i jashtëzakonshëm
Xherdan Shaqiri nuk është vetëm thjesht një djalë i ri me origjinë nga Kosova, por edhe një zviceran, i cili me talentin e tij ka arritur majat e futbollit botëror, duke luajtur ne klubet më të mëdha të botës. Sigurisht kur kap majat në katër anët e botës, duke fituar kupat më të rëndësishme si ligën e kampionëve dhe një rrugëtim kaq të gjatë edhe me përfaqësuesen kombëtare të Zvicrës, është doemos një arritje e jashtëzakonshme.
Kontributi i tij jo vetëm për futbollin zviceran në Zvicër por në përgjithësi për sportin zviceran është i jashtëzakonshëm dhe i pamohueshëm. Ato janë fakte dhe numra, janë performanca, janë vite, të një sportisti që ka bërë të pamundurën që të prezantojë siç është më së miri vendin ku është rritur. Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm! Dhe kur përmendet Xherdani në këto 15 vjetët e fundit atëherë mund të themi se ka qenë lojtari kryesor bashkë me Granit Xhaken, të cilët janë emra që përfaqësojnë kombëtaren zvicerane, të cilën e kanë ndërtuar ndër vite duke marrë pjesë në çdo kompetiicion evropian apo botëror me Zvicrën duke u shndërruar në shtylla të ekipit kombëtar.
Meritat e tij janë të jashtëzakonshme edhe për komunitetin shqiptar që është shndërruar në njërin nga komunitetet më të rëndësishëm në Zvicër. Veç sukseseve në sferën ekonomike, shqiptarët me pasionin e tyre për sportin po shndërrohen në ambasadorë më të mirë të komunitetit shqiptar. Ata tregojnë që komuniteti mund të jetë një vlerë e shtuar e shoqërisë zvicerane prandaj mund themi se këta sportistë kanë treguar vlerat më të mira të identitetit tonë dhe në të njëjtën kohë kanë bërë që komuniteti shqiptar të jetë vlerë e shtuar e shoqërisë zvicerane.
Arnold Gjergjaj: Shembulli i Shaqirit, udhërrëfyes për të rinjtë tanë
Mendoj se Shaqiri ka lënë një impakt të jashtëzakonshëm për vete si sportist dhe si njeri. Është pjesë e historisë zvicerane dhe shqiptare që tregon se si duhet të jemi shembulli më i mirë për të rinjtë tanë, për të besuar në ëndrrat e tyre dhe për t`i arritur ato me shumë punë dhe mund.
Kontributi më i madh është kur ti i jep të gjitha për një ekip, për një qëllim të përbashkët. Mendoj se Shaqiri e ka dhënë shpirtin e tij për të ndihmuar ekipin e vet dhe për t`i thyer të gjitha stereotipat qe kanë ekzistuar në atë kohë për mërgimtarët. Kur do dhe lufton me shpirt, të gjitha arrihen në jetë.
Sa i përket ndikimit të Shaqirit në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Zvicër besoj se ne, sportistët që jetojmë dhe veprojmë në Zvicër kemi gjithmonë një ndikim më të madh, si për mirë ashtu dhe për keq. Prandaj, pikërisht për këtë arsye është ne kemi edhe një përgjegjësi të madhe që duhet ta tregojmë, për të mirën tonë.
Shaqiri ka qenë jashtëzakonisht besnik si shqiptar dhe ka ngritur nivelin e futbollit të Zvicrës në histori.
Fidan Aliti: Xherdani, në turnetë e mëdha ka përfaqësuar edhe Kosovën
“Xherdani ka arritur shumë në futboll, jo vetëm në atë të Zvicrës, po edhe jashtë Zvicrës. Ai na ka bërë krenarë të gjithëve shqiptarëve edhe besoj se për imazhin e shqiptarëve në Zvicër ka qenë shumë me rendësi që kishim një lojtar si Shaqiri. Të gjithë kanë treguar respekt ndaj tij dhe i kanë dëshiruar suksese Zvicrës.
Edhe pse ne me përfaqësuesen e Kosovës nuk kemi arritur të kualifikohemi, ka qenë gjithmonë një pjesë e Kosovës, që gjithmonë, në Evropian ose Botëror, me lojtarë si Xherdani, që na kanë përfaqësuar me krenari”.
(Fidan Aliti është një futbollist profesionist shqiptar i Kosovës që luan si qendërmbrojtës për përfaqësuesen kosovare të futbollit).
Përparim Avdili: Shaqiri, “Akullthyesi” i ngritjes së imazhit të shqiptarëve
Xherdan Shaqiri është padyshim futbollisti më i talentuar që ka pasur kombëtarja zvicerane. Përpos talentit, me të cilin ka shkruar histori për këtë vend, ai dhe me karakterin e tij gjithmonë ka qene në qendër të vëmendjes së publikut. Natyrisht që suksesi i ekipit vjen nga i gjithë ekipi përfshirë dhe trajnerin dhe stafin mbrapa. Mirëpo mund të thuhet lirshëm që pa golat e Shaqirit, Zvicra në shumë raste nuk do të ishte aty ku tani është: si një ndër ekipet më të respektuara të futbollit në botë.
Shqiptarët në kombëtaren zvicerane kanë meritat kryesore për fillimin e përmirësimit të imazhit të shqiptarëve në Zvicër. Filluar nga Milaim Rama, pastaj me gjeneratën e Xherdan Shaqirit e deri më sot, me gjeneratat më të reja. Më së voni aty edhe publiku i gjerë kuptoi që shqiptarët janë edhe të talentuar dhe punëtorë. Më pas, mbi këtë rrugë të shtruar vazhduan edhe sukseset tjera që filluan të transmetohen në publikun e gjerë, qoftë ato të biznesit, të kulturës apo edhe të politikës. Pra mund të thuhet që Xherdani dhe shokët e tij ishin akullthyesit, sidomos edhe për faktin se ata kurrë nuk e mohuan identitetin e tyre shqiptaro-zviceran.
Orhan Spahiu: Shaqiri, ndër më meritorët për imazhin e shqiptarëve në Zvicër
Roli i Xherdan Shaqirit si sportist është i jashtëzakonshëm. Jorastësisht ai ka luajtur për klube të klasit botëror, e që rangohen në toplistë të klubeve më të suksesshme.
Kontributi i tij për skuadrën e kombëtares së futbollit zviceran është shumë i madh. Bën pjesë në grupin e atyre lojtarëve që shpesh e ka vendosur ndeshjen me një aksion të vetëm, sidomos në momente të vështira të lojës, shih lojën kundër Polonisë me golin gërshërë, shih golin në minutat e fundit kundër Serbisë, golin kundër Skocisë në kampionatin e fundit evropian, ku nga një pozitë ku gjasat për një gol mund të jenë ndoshta 1%, ai shënon gol spektakular. 32 golat e tij për kombëtaren e tregojnë rëndësinë e tij shumë të madhe.
Mund te thuhet që është një nga ata që kanë sjellë te shikimi ndryshe i komunitetit tonë në Zvicër. Këtu kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme edhe futbollistët tjerë, si Milaim Rama, Granit Xhaka, Valon Behrami, Admir Mehmedi, Dzemaili etj. Të gjithë këta me prezencën mediale që kanë pasur për sportin, natyrisht e kanë pasur më lehtë të arrijnë një publik të gjerë, që e ka përshpejtuar procesin e ndryshimit të imazhit. Por kontribut shumë të madh kanë dhëne edhe pjesëtarët e tjerë të komunitetit tonë të cilët janë shumë të zellshëm dhe kontribuojnë çdo ditë si çdo qytetare tjetër i Zvicrës, duke filluar nga bukëpjekësit që na mundësojnë t’i shijojmë bukët e freskëta herët në mëngjes, për vazhduar te punëtorët e ndërtimtarisë që me duart e tyre çdo ditë e ndërtojnë dhe e mirëmbajnë Zvicrën, pa marrë parasysh motin. Natyrisht kontribut shumë të madh japin çdo ditë edhe ata e ato që janë në pozita të larta nëpër institucione shtetërore dhe ndërmarrje ekonomike private.
(Orhan Spahiu është kryetar i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës)
Shkodran Osmanaj: Shaqiri, frymëzim për gjeneratat
Mendoj që kontributi i Shaqirit për kombëtaren e Zvicrës është i padiskutueshëm. Vetëm nëse e shikojmë, prej kohës që Shaqiri luan për Zvicrën, kombëtarja e saj është kualifikuar në të gjitha turnetë dhe pothuajse e ka kaluar gjithmonë grupin. Shaqiri kishte impakt të madh në gjithë këtë dhe na bëri krenarë me golat e tij në të gjitha kompeticionet ku mori pjesë. Mendoj se ishte frymëzim për gjeneratën e tij, e po ashtu edhe për gjeneratat më të reja.
Meritat e Xherdanit për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Zvicër janë po ashtu të mëdha. Ai tregoi në fushë se ne si popull dimë të luftojmë dhe t`i fitojmë gjërat me djersë dhe meritë! Mendoj që Xherdani me shokë na ka liruar prej paragjykimeve që na kanë ngarkuar në të kaluarën. (Shkodran Osmanaj është kontrabasist).
Të ngjashme
Të tjera nga Futboll
E-Diaspora
-
Tubimet e partive në diasporë, ambasadori gjerman në Kosovë del me reagim Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar në lidhje me fushatat që po zhvillohen në...
-
Manifestim kulturor për festat e nëntorit, organizuar nga KMSHZ
-
LAPSH në Gjenevë, kërkon ndihmë për nxënësit e Shkollës Shqipe
-
Limaj në Gjermani tha se mbështetja e mërgimtarëve është forcë për Kosovën
-
Bedri Hamza takon mantelbardhët shqiptarë në Zvicër, i quan mjekë me përvojë të jashtëzakonshme
Jeta në Zvicër
-
Dy të tretat e zviceranëve të papunë gjejnë sërish punë Shumë njerëz që kanë shteruar përfitimet e tyre, gjejnë sërish punë. Por shanset nuk janë të...
-
Studimi që zbulon dallimet në kulturën ushqimore midis Zvicrës dhe fqinjëve
-
Migros Aare shfuqizon ditët e zbritjes për pensionistët
-
Libri “Masakrat në Kosovë 1998 – 1999”, një monument kundër harresës
-
Ku do të bjerë borë në Zvicër këtë javë