Bota

I zhdukur prej një shekulli, eshtrat e ushtarit gjerman gjenden në Maqedoni

Megjithatë duke iu falënderuar hulumtimeve të tyre është vërtetuar se Fischle e kishte humbur jetën në moshën 20-vjeçare në një betejë në fshatin Huma të Maqedonisë

Para njëqind vitesh ka përfunduar Lufta e Parë Botërore, periudhë kur 17 milionë njerëz e humbën jetën. Për të zbuluar diçka më tepër lidhur me të zhdukurit dhe të vrarët gjatë luftës, dy historianë gjermanë kanë filluar hulumtimet e tyre.

Përmes formave të ndryshme të kërkimit, duke përfshirë këtu internetin, arkivat dhe dokumente të ndryshme Holger Weiland dhe Robin Diez ia kanë filluar misionit. madje, ata kanë udhëtuar edhe në arenat e betejave origjinale, për t’i dëshmuar hetimet e tyre.

Me këtë rast, Robin Diez ka mundur të zbulojë 192 banorë të Metzingenit në Gjermani, të cilët janë llogaritur si të zhdukur, apo nuk janë kthyer asnjëherë më në vendlindjen e tyre, shkruan “SWP”, njofton Albinfo.ch.

Nga ana tjetër, Weiland ka zbuluar pothuajse të gjitha informatat e 190 viktimave të luftës nga Urach të cilat deri më tani kanë munguar.

Interesi i dy historianëve gjermanë i ka rrënjët në zbulimin e historisë së paraardhësve të tyre në familje, ndërsa iniciativa e tyre është zgjeruar shumë shpejt.

Në këtë mënyrë, ata kanë zbuluar edhe historinë e ushtarit gjerman Albert Fischle. I lindur më 31 dhjetor 1898 në Urach, që nga 30 maji i vitit 1918 ishte shpallur si i zhdukur. Megjithatë duke iu falënderuar hulumtimeve të tyre është vërtetuar se Fischle e kishte humbur jetën në moshën 20-vjeçare në një betejë në fshatin Huma të Maqedonisë.