Integrimi
“I vetëdijshëm për përgjegjësinë si deputeti i parë me rrënjë shqiptare në Parlamentin e Zvicrës”
Islam Alijaj: “Në të kaluarën më perceptonin kryesisht si aktivist për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, por prejardhja ime sigurisht që do të luajë një rol edhe më të rëndësishëm në punën time politike në të ardhmen”
Islam Alijaj është tashmë një emër i njohur në gjithë Zvicrën. Më së voni, pas zgjedhjes së tij deputet në Parlamentin Federal (Dhoma Nacionale), ai ka qenë subjekt i shumë lajmeve, debateve dhe opinioneve në mediat qendrore të Zvicrës, në lidhje me zgjedhjet e 22 tetorit. Dhe, janë disa arsye për të qenë kështu. Në radhë të parë, zgjedhja deputet e një politikani me aftësi të kufizuara (rëndë), është vetvetiu një sfidë për opinionin e këtushëm: Islami, përveç vështirësive për të lëvizur, ka vështirësi edhe në të folur… Arsyeja tjetër që e ka vendosur në shtyllat e gazetave është prejardhja e tij: Alijaj është i pari deputet i Zvicrës, me prejardhje shqiptare, por edhe ballkanike. Emri i tij “Islam” është po ashtu një “risi” që preokupon jo pak mediat, të cilat janë marrë me zgjedhjen e tij deputet.
Lidhur me këto që u thanë më lart dhe për sfidat para të cilave ndodhet deputeti i ri, Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me Islam Alijajn.
Albinfo.ch: Tani jeni zgjedhur deputet në Parlamentin e Zvicrës. Cilat ishin mendimet tuaja të para pasi mësuat për këtë? A ishit i lumtur në radhë të parë për zgjedhjen tuaj apo keni menduar edhe për përgjegjësinë që ju pret tani si deputet federal?
I.Alijaj: Isha i tronditur dhe shumë i lumtur. Në rastin tim nuk bëhet fjalë vetëm për këto zgjedhje, por për një rrugëtim të gjatë nga djaloshi me aftësi të kufizuara rëndë, nga Kosova, i cili ndoqi shkollën speciale në moshën 16-vjeçare, deri në Parlamentin Federal (Dhoma Nacionale). Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe mezi pres sfidën e re.
Albinfo.ch: Ju keni theksuar vazhdimisht se keni pasur “shansin më të keq” për t’u zgjedhur në poste politike në Zvicër, për shkak të origjinës suaj (kosovare), emrit tuaj “Islam” dhe handikapit tuaj fizik. Megjithatë, ju tashmë jeni zgjedhur në Parlamentin e vendit. Çfarë mendoni se ka kontribuar më shumë në zgjedhjen tuaj si deputet?
I.Alijaj: Kanë qenë shumë njerëz që më kanë mbështetur. Kandidatura ime u mbështet nga shumë njerëz që besonin se dikush si unë mund të zgjidhej. Përveç kësaj, agjencia Farner ka zhvilluar një fushatë zgjedhore shumë profesionale dhe ne e arritëm këtë, së bashku me ekipin tim fantastik.
Albinfo.ch: Ju jeni person me aftësi të kufizuara fizike dhe keni hyrë në politikë si person me aftësi të kufizuara për të mbrojtur interesat e personave me aftësi të kufizuara. Ndonjëherë mund të jetë zhgënjyese të luftosh për këtë ideal. Si i kapërceni këto sfida?
I.Alijaj: Aftësia e kufizuar është gjë e neveritshme. E them me gjithë mend këtë. Por jam i bindur se çdo njeri mund të zhvillojë potencialin e tij, sado i vogël që të jetë. Dhe fakti që unë u zgjodha, mund t`u tregoj shumë njerëzve që janë në një situatë të ngjashme, se: Është e mundur, së bashku ne mund të ndryshojmë diçka në lidhje me situatën tonë për të mirë.
Albinfo.ch: Pas zgjedhjes suaj, mediat kanë diskutuar edhe për aspektet teknike të punës suaj të ardhshme si deputet për shkak të aftësive tuaja të kufizuara. Si do ta zgjidhni këtë problem dhe a e shihni gatishmërinë e Parlamentit për t’ju ndihmuar në këtë drejtim?
I.Alijaj: Tashmë jam në kontakt me shërbimet parlamentare, të cilët po punojnë fort për të hequr barrierat e mundshme. Dhe, jam i bindur se do të gjejmë zgjidhje të mira për të gjitha sfidat.
Albinfo.ch: Lëvizja drejt gjithëpërfshirjes (Inklusion) ju ka bërë të njohur në gjithë Zvicrën. A mund të themi se kjo ju bëri edhe deputet federal? Ose: kujt i detyroheni më shumë për këtë sukses. A është kjo edhe baza tradicionale e socialdemokratëve apo është më shumë lëvizja e lartpërmendur, të cilës i dhatë jetë?
I.Alijaj: Është suksesi i të gjithë njerëzve që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim. Shumë njerëz – veçanërisht ata me aftësi të kufizuara – kanë shpresa të mëdha për këto zgjedhje. Dhe unë do të bëj gjithçka për të mos i zhgënjyer.
Albinfo.ch: A ka ndonjë temë tjetër, përveç gjithëpërfshirjes dhe të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, me të cilën do të merreni ju si deputet nacional?
I.Alijaj: Për mua, gjithëpërfshirja (Inklusion) nuk është temë, por perspektivë. Ajo prek fusha të ndryshme të politikave, nga transporti te arsimi e deri te tregu i punës. Shikuar nga ky aspekt, unë do të merrem edhe me tema të ndryshme.
Albinfo.ch: Çfarë roli shihni për veten tuaj si deputet nacional në drejtim të promovimit të integrimit, diversitetit dhe mundësive të barabarta brenda komunitetit shqiptar dhe në Zvicër në tërësi?
I.Alijaj: Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbaj si deputeti i parë nacional i Zvicrës me rrënjë shqiptare. Për shkak të aftësive të kufizuara, në të kaluarën më perceptonin kryesisht si aktivist për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, por prejardhja ime sigurisht që do të luajë një rol edhe më të rëndësishëm në punën time politike në të ardhmen.
Albinfo.ch: A mund të shpjegoni agjendën tuaj politike në lidhje me arsimin, politikën sociale dhe diversitetin kulturor në Zvicër?
I.Alijaj: Ne duhet t’u qasemi disa problematikave të ndryshme në politikën arsimore. Shkollave duhet t’u jepen më shumë burime dhe të mund të ndërtojnë struktura më gjithëpërfshirëse në mënyrë që më shumë fëmijë që kanë probleme të mos dërgohen në klasa speciale. Fëmijët me prejardhje migrante dhe gjithashtu me aftësi të kufizuara vendosen në klasa të tilla speciale më shpesh se fëmijët e tjerë. Kur bëhet fjalë për politikat sociale, ne gjithashtu duhet të sigurojmë që të gjithë njerëzit të mund të zhvillojnë potencialin e tyre. Sistemi ynë shoqëror nuk pasqyron më realitetin e sotëm të punës. Shumë njerëz nuk janë më në gjendje të realizojnë kursime për pension. Kjo është një temë aktuale, veçanërisht për punëtorët me prejardhje migrante. Kur bëhet fjalë për diversitetin kulturor, do të doja të fokusohesha kryesisht në edukimin politik. Në veçanti njerëzit tanë duhet të ndërgjegjësohen për privilegjet që kanë me pasaportën zvicerane. Këtu do të doja të avokoja për më shumë pjesëmarrje politike.
Albinfo.ch: Çfarë mesazhi do t’i dërgonit brezit të ri brenda komunitetit shqiptar në Zvicër, veçanërisht atyre që janë të interesuar për një karrierë politike?
I.Alijaj: Të përfshiheni! Përfshihuni nëpër parti – mundësisht në PS, e cila, natyrisht, bën shumë për komunitetin shqiptar – dhe dilni në zgjedhje!
E-Diaspora
-
Bënë shqiponjën në Beograd, gjykata cakton 30 ditë paraburgim dy shtetasve zviceranë Gjykata e Lartë në Beograd ka vendosur 30 ditë paraburgim për Bernard C., dhe Ganfranc V.,...
-
“Tomka dhe shokët e tij” shfaqet në Zvicër
-
Rama takon diasporën shqiptare në Selanik, pritet me protesta nga nacionalistët grekë
-
“Hendbolli na bashkon” u mbajt në St. Gallen
-
Ardon Jashari fiton trofeun e tij të parë në FC Brugge
Jeta në Zvicër
-
Qytetet zvicerane nuk arrijnë të ngadalësojnë zgjerimin e Airbnb Kjo është ajo që del nga një analizë, sipas së cilës në Zvicër, ndryshe nga, për...
-
Kritikohet politikani zviceran, pasi ‘përkrahu’ Trump-in për zgjedhjet në SHBA
-
Azilkërkuesit e rinj kanë më shumë gjasa të përfundojnë trajnimin se më parë
-
SBB nis fushatën për sigurinë në transportin publik
-
Një në pesë fëmijë zviceranë vuan nga abuzimi psikologjik në shtëpi