Shkurt.ch

I vërtetohet dënimi kosovarit: 16 vjet për tregti me drogë

Këtë dënim, që ia kishte dhënë Gjykata Penale Federale, e ka vërtetuar sot Gjykata Federale, si shkalla më e lartë gjyqësisë së Zvicrës

Me 16 vjet burg, një shqiptar nga Kosova, i dënuar si bos i drogës, është njëri ndër njerëzit me dënimet më të rënda të shqiptuara viteve të fundit në Zvicër për tregti me drogë.

Këtë dënim, që atij ia kishte dhënë  vitin e kaluar  Gjykata Penale Federale, e ka vërtetuar sot Gjykata Federale, si shkalla më e lartë gjyqësisë së Zvicrës. Ajo e ka bëtë plotfuqishëm të mërkurën dënimin e mëparshëm: 16 vjet heqje lirie.

Kosovari po mbahej në një burg të Lozanës që nga viti 2003. Ai kishte qenë kreu i njërës ndër bandat më të mëdha të drogës nga Evropa lindore. Banda kishte kontrabanduar kryesisht heroinë, ndërsa shuma e përgjithshme e drogës së tregtuar vlerësohej në mbi 297 kilogramë.

Në tetorin e vitit të kaluar, Gjykata Penale Federale në Bellinzonë e kishte shpallur atë fajtor  për bashkëpjesëmarrjen e tij në një organizatë kriminale. Veç kësaj atij i ngarkohej edhe shkelja e ligjit mbi lëndët narkotike.

Në bazë të një procesi të mëhershëm, të zhvilluar në vitin 2008, babai i kosovarit ishte liruar nga akuza për bashkëpjesëmarrje. Ndërsa vëllai i vogël i të parit qe dënuar me heqje lirie dy vjeçare, me kusht për pjesëmarrje në një organizatë kriminale.