Lajme

I ri dhe pa ardhmëri!

Skenat e rebelimit që përsëritën në shumë vende të Maghrebit  janë mjaft  shqetësuese. Sidomos kur, me sa duket, qeveritë e këtyre vendeve nuk arrijnë të sigurojnë perspektiva të qarta profesionale për këto grupe studentësh.

Është fakt se këto shoqëri kanë një popullsi me moshë shumë të re – edhe pse numri i lindjeve është në rënie e sipër në dyzet vjetët e fundit.  Piramida e moshës të vendeve të Afrikës Veriore i përngjan një çadre, pak ca e ngushtuar në bazë.  Kjo e fundit është në kontrast me piramidën e shoqërive perëndimore, e cila duket sikur një bredh apo një tempull budistësh.

Kështu që  sfidat e Maghrebit,  i cili ka  një strukturë të popullsisë shumë të ngjashme me atë të shqiptarëve,  janë të një shkalle gjigante.

Arritja e flukseve masive të të rinjve që kërkojnë punë është një granatë me siguresë të tërhequr. Aq më tepër kur dihet se plakja e këtyre popullsive do të jetë shumë më e shpejtë se ajo e Evropës.

Mbetet nevoja urgjente për zhvillimin ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe zgjerimi i të drejtave politike.