Integrimi
I lindur në mërgim, Kristian Zefi ushtron pasionin e rrallë për etnografinë shqiptare
Kristiani ka hapur në fundjavën që shkoi, në Rothrist (AG) një ekspozitë në të cilën ka paraqitur një pjesë të koleksionit të tij të pasur etnografik
Burri me pamje impozante, me një shprehje fytyre që të jep përshtypjen e një njeriu me përvojë të gjatë jetësore dhe me vetëbesim, sillet dhe shpjegon me kompetencë të plotë në hapësirën ku janë ekspozuar artefakte të shumta etnografike. “Kjo është xhubleta e Pukës, kjo tjetra, e Malësisë së Madhe, kjo është punuar me fije ari prandaj tregon për një moshë pak më të re ndërsa tjetra është punim autokton dhe rrjedhimisht më i vjetër. Ky është jatagani, kjo këtu është pushka e punuar nga artizanët e Shkodrës…” . Dhe kështu shkon gjatë lista e përshkruar nga ai, e eksponateve të ekspozuara në këtë ambient.
Fjala është për Kristian Zefin, të riun që sapo ka mbushur 27 vjet dhe ka një pasion shumë të veçantë për moshën dhe formimin e tij: ai është koleksionues i gjësendeve të vjetra, stolive, veshmbathjeve, armëve etj., të cilat i kanë prodhuar dhe bartur ose përdorur paraardhësit tanë në shekujt e kaluar.
Kristiani ka hapur në fundjavën që shkoi, në Rothrist (AG) një ekspozitë në të cilën ka paraqitur një numër të madh artefaktesh, pjesë të koleksionit të tij të pasur etnografik.
I pyetur nga Albinfo.ch për fillet e këtij pasioni, z. Zefi thotë se gjithçka kishte filluar me dëshirën e tij, që si fëmijë, kishte për instrumentet popullore të traditës shqiptare. “Fillimisht jam mësuar t`u bie këtyre instrumenteve dhe me kohë, edhe t`i punoj ato (çifteli, sharki, Lahutë etj.). Pastaj me kohë, njëra gjë e tërheq tjetrën, sepse një çifteli ose sharki përplotësohej me veshjet kombëtare të veriut, dhe këto pastaj me gjësende tjera, karakteristike për kohën kur janë përdorur”, thotë i riu i lindur në Itali dhe i cili prej rreth katër vitesh jeton në Zvicër. Të gjitha i sqaron me një elokuencë të habitshme për një të ri me “begraund” të tillë. Timbri i këndshëm i të folmes së tij të Shkodrës kombinohet fare mirë me termat profesionalë, me të cilët ai përshkruan punën që bën.
“Nga prindërit kam trashëguar vetëm gjuhën dhe vetëdijen për prejardhjen kombëtare. Të gjitha të tjerat i kam realizuar vetë, me interesim dhe pasion”, thotë ai duke sqaruar se nuk po ndiqte ndonjë traditë familjare, me punën që bën.
Ekspozita e hapur në “Heimatmuseum” të qytezës Rothrist AG, është e para, jo vetëm e tij por edhe e shqiptarëve në përgjithësi, me këtë tematikë, në Zvicër, thekson Kristiani. “Kemi pasur shumë sfida, shumë vështirësi e lodhje por më në fund duket se gjithçka doli me sukses”, shprehet ai për albinfo.ch. Sigurisht, hapja e një ekspozite të tillë kushtëzohet edhe nga financat, sepse pasioni i të riut 27 vjeçar, sigurisht që nuk “shpaguhet” materialisht. Për këtë arsye ai ka pasur sukses t`i bindte disa ndërmarrës shqiptarë të Zvicrës që ta mbështesnin këtë mision të tij.
Ndryshe, të gjitha eksponatet, me fare pak përjashtime, ai i ka blerë dhe ato kanë kushtuar jo pak. “Kjo që po shihni këtu është fryt i punës sime dhe bashkëshortes, Gjesikës. Gjësendet e koelksionit i kemi blerë me paratë që kemi fituar nga puna jonë e rregullt sepse pasioni kushton shtrenjtë dhe nuk sjell mjete por sjell kënaqësinë, satisfaksionin artistik”, vazhdon ai.
Dhe me këtë rast ka një falënderim të madh për disa pjesë kostumesh kombëtare të ekspozuara këtu, që i ka dhuruar familja e Agron Bajramit të ndjerë. “I jam shumë mirënjohës Lirie Bajramit dhe familjes së saj, e cila ka vendosur të ma bëjë këtë dhuratë. Me këtë rast shpreh nderimin e thellë për punën e Agronit si kultivues i vlerave autoktone të popullit tonë, në Zvicër. Unë po bëj një punë të ngjashme dhe shpresoj, me rëndësi për ruajtjen e po këtyre vlerave, nga një aspekt tjetër, siç është etnografia”.
Nisur nga vështirësitë me të cilat është përballur për të hapur këtë ekspozitë, Kristian Zefit nuk “i ngutet” për të hapur ekspozitën e radhës. “Të shohim njëherë, si po pritet kjo aktualja, dhe në varësi nga kjo, po edhe nga gjetja e sponsorëve, kush e di, edhe mund të hapim ndonjë ekspozitë tjetër. Kjo do të ishte mirë të bëhej në ndonjë muze me kushte profesionale, në ndonjërin nga qytetet e mëdhenj të Zvicres, si Cyrihu, Bazeli ose Berna”, përfundon Kristiani.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve