Bota

Hyjnë në fuqi rregullat e reja të azilit në Gjermani

Me këtë mund të fillojë edhe kthimi masiv i planifikuar i azilkërkuesve të refuzuar

Kriza e refugjatëve po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi politike në Gjermani. Sepse në radhët e popullsisë ka rrezik që atmosfera të ndryshojë në disfavor të refugjatëve. Gjysma e të anketuarve nga Instituti i Demoskopisë në Allensbach ndërkohë janë të shqetësuar se si mund të përballohet vala e refugjatëve. Sipas sondazhit tek shumica e të anketuarve dominon droja për rreziqe nga ky zhvillim kundrejt shanseve.

Sic raporton DW këtë javë 200 kryetarë bashkish nga landi i Renanisë Veriore Vestfalisë, i prekur veçanërisht shumë prej valës së refugjatëve, iu drejtuan me një letër kancelares Merkel, duke i kërkuar asaj që ta kufizojë imigracionin në vend. Shqetësimin e bazës e ndiejnë edhe deputetët e Bundestagut në qarqet e tyre elektorale.

Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të konservatorëve (CDU/CSU) u shprehën kritika ndaj Berlinit.

Merkel tërheq vëmendjen për durim, sepse ajo do që ta ndryshojë rrënjësisht politikën kombëtare dhe europiane të azilit. Megjithatë, ajo nuk po avancon aq shpejt sa duhet tani në Evropë. Një model i qendrueshëm i shpërndarjes sipas kuotave të refugjatëve në vendet e BE-së nuk gjen mbështetjen e shumicës.

Të dielën  zhvillohet samiti i tretë i jashtëzakonshëm për krizën e refugjatëve në BE për t’u konsultuar mbi situatën në Ballkanin Perëndimor.

Madje edhe nga vetë vendi i konsideruar si model për çështjen e refugjatëve, Suedia, ndërkohë – edhe personalisht nga vet kryeministri Stefan Löfven – vjen mesazhi, se është arritur në limitet e kapaciteteve, siç shkruan gazeta “Handelsblatt”. Ngjashëm si në Gjermani edhe në Suedi herë pas here po u vihet zjarri strehimoreve të refugjatëve.

Planet për kufizimin apo luftimin e shkaqeve të migracionit në rajonet fqinjë të Europës, që Merkel i ka vendosur në agjendën e saj, janë një sfidë shumë më afagjatë, krahasuar me atë që do të ndërmarrë Merkel në Gjermani dhe në Evropë.

Kjo atmosferë është edhe arsyeja, përse paketa ligjore për ashpërsimin e së drejtës së azilit e miratuar me procedurë të përshpejtuar javën e kaluar në Bundestag (Parlamenti) dhe në Bundesrat (Këshilli Federal) do të hyjë në fuqi më parë qysh në fundjavë dhe jo më 1 nëntor, siç ishte planifikuar.

Në këtë paketë ligjore mungon vetëm nënshkrimi i presidentit dhe publikimi në fletoren zyrtare, tha një zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.

Duket pak si aksionizëm, por nga ana tjetër edhe një javë është një kohë që nuk duhet nënvleftësuar. Me sinjalin, se po bëhet diçka, synohet të qetësohet disi atmosfera.

Pikërisht për këtë u shpreh të premten në intervistë për ARD ministri pranë kancelarisë Peter Altmaier, i cili është koordinator i qeverisë për refugjatët. Zbatimi më i shpejtë i rregullave më të rrepta për azilin është një sinjal i mirë, tha Altmaier.

Me ndryshimet ligjore të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor shpallen vende të sigurta. Ende mijëra vetë nga këto vende – së fundi kryesisht nga Shqipëria – vërshojnë drejt Gjermanisë. Tash  e tutje këta nuk kanë më shanse për azil.

Paralelisht me këtë duhet të realizohet me konsekuencë kthimi i detyrueshëm i azilkërkuesve të refuzuar. 190 mijë azilkërkues të refuzuar jetojnë ndërkohë në Gjermani, prej tyre 140 mijë  me leje afatshkurtër qëndrimi, ndërsa 50 mijë të tjerë duhet të kthehen menjëherë në atdhe.

Tash e tutje azilkërkuesit mund të qëndrojnë më gjatë – jo më si deri më sot vetëm tre muaj, por deri në gjashtë muaj – në qendrat e pranimit fillestar, në mënyrë që pas shqyrtimit të kërkesës së tyre të realizohet nga këtu kthimi i menjëhershëm.

Kjo edhe për faktin se çdo vend në strehimoret e refugjatëve nevojitet për refugjatë të tjerë, të ashtuquajtur me perspektivë qendrimi.