Lajme

Hungaria humb të drejtën për ndihmën 1 miliardë euro nga BE

Hungaria ka humbur të drejtën e saj për ndihmën e BE-së me vlerë rreth 1 miliardë euro – për shkak të shkeljeve të ligjit të së drejtës – pasi reformat duhej të ishin zbatuar deri në fund të vitit 2024, konfirmoi sot një zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Në mënyrë që fondet të liroheshin, vendit do t’i duhej të zbatonte reformat deri në fund të vitit 2024.

Fondet – me vlerë 1,04 miliardë euro – u caktuan për Hungarinë nga programet që synojnë mbështetjen e rajoneve strukturisht të dobëta.

Fondet u ngrinë në fund të vitit 2022 pasi Komisioni Evropian arriti në përfundimin se Hungaria kishte shpërfillur disa standarde dhe vlera themelore të BE-së.

Për të zbllokuar fondet, Hungarisë do t’i duhej të zbatonte reforma të mjaftueshme deri në fund të vitit, duke përfshirë ndryshimin e ligjeve për të parandaluar konfliktet e interesit dhe për të luftuar korrupsionin.

Hungaria i është drejtuar Kinës për mbështetje financiare. Në prill, Hungaria tërhoqi një hua prej 1 miliardë eurosh nga bankat shtetërore kineze – që u bë e ditur në korrik kur Qendra Hungareze për Borxhin Shtetëror (AKK) publikoi të dhëna kryesore.

Pavarësisht mbështetjes së Kinës, Orbán ende po përpiqet të zhbllokojë fondet e ngrira. Sipas Komisionit Evropian, gjithsej rreth 19 miliardë euro fonde të BE-së janë aktualisht të bllokuara për Hungarinë, duke përfshirë subvencione të mëtejshme dhe ndihmën për Covid-19.

Muajin e kaluar, Orbán kërcënoi se do të vendos veton ndaj buxhetit të ardhshëm 7-vjeçar të BE-së – nëse Brukseli nuk i zhbllokonte fondet. Bisedimet për buxhetin pritet të fillojnë në mesin e vitit 2025.

Nuk është hera e parë që Orbán bën një kërcënim të tillë, pasi fillimisht ai refuzoi të binte dakord për zgjatjen e sanksioneve ndaj Rusisë – afati i të cilave përfundonte në fund të janarit, në samitin e BE-së muajin e kaluar.

Në dhjetor 2023, megjithë kritikat e vazhdueshme për shkeljet e parimeve të ligjit të së drejtes në Hungari, Komisioni zhbllokoi ​​fondet e ngrira të BE-së që arrijnë në rreth 10 miliardë euro për vendin – një vendim që u kritikua nga disa anëtarë të Parlamentit Evropian.