Kosova

Hoti: Vendimi për pagat përbën shkelje të ligjeve në fuqi

Vendimin për rritjen e pagave të Qeverisë e ka kritikuar edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se rritja e pagave duhet të bëhet vetëm me ligj, e jo me vendim, siç i ka quajtur ai arbitrar të Qeverisë.

Sipas Hotit, vendimi për pagat përbën shkelje të ligjeve në fuqi dhe paraqet konflikt të interesit. Hoti ka dhënë tri arsye pse vendimi i Qeverisë për rritje të pagave është kundërligjor.

“Rritja e pagave është e rregulluar me Ligjin për financat publike, ku caktohet si dhe sa rriten çdo vit. Çdo qasje tjetër është shkelje e këtij ligji. Ky vendim bie ndesh edhe me Ligjin e buxhetit për 2018, shkruan Albinfo.ch.

Është vetëm Kuvendi i Kosovës ai që ka autoritetin të ndajë buxhetin për destinime të caktuara.

Ky vendim bie ndesh edhe me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, siç e ka përcaktuar në vendimin e saj Agjencia Antikorrupsion, që është e thirrur të interpretojë Ligjin për konfliktin e interesit.

Nuk mund të marrë dikush një vendim që e prek atë dhe vetëm personalisht dhe njerëzit të afërm me të”, ka thënë Hoti.