Lajme

Hoteli në Austri gjobitet për mungesën e regjistrimit të pauzave të punonjësve

Një hotel në Austri është gjobitur me 2,217 euro nga Inspektorati i Punës për shkak të mosregjistrimit të detajuar të pauzave ditore të punëtorëve. Ilona Bugelnig, që drejton hotelin “Landhaus Moserhof” në Gumpoldskirchen që nga viti 2012, është përballur për herë të parë me një masë ndëshkuese, pavarësisht se deri tani nuk ka pasur asnjë problem ligjor, përcjell albinfo.ch.

Puna e punonjësve është fleksibile, ata mund të pushojnë kur të duan, por Inspektorati kërkonte që çdo pauzë, edhe ato më të vogla, të regjistroheshin. Bugelnig shpjegoi për gazetën “Heute” se momentet e pushimit janë private dhe se nuk kërkohet informacion mbi to.

Për t’u përshtatur me rregullat, ajo do të instalojë një sistem elektronik për regjistrimin e kohës dhe do t’i inkurajojë punonjësit të mbajnë shënime për pushimet e tyre, edhe pse kjo mund të jetë e lodhshme për ta.