Integrimi
Hora e Arbëreshëvet tregon se “Shpirti i arbërit rron”
Vizitë bibliotekës “Zef Skiro”, muzeut “Kola Barbati", pjesëmarrje në meshën e mbajtur arbërisht nga Papas Jani Stassi, takim me kryetarin e Horës z. Rosario Petta...
Në vazhdën e vizitave nëpër vendbanime arbëreshe, për tri ditë, qëndrova në Sicili, ku pjesën më të madhe e kalova në qytetin Hora e Arbëreshëvet ose siç quhet ndryshe – Piana degli Albanesi.
Ka qenë ëndërr e kamotshme imja që ta vizitoja këtë vendbanim arbëresh, prandaj sot ndjehem mëse i plotësuar shpirtërisht. Është e pamundur të mësosh gjithë historinë e arbëreshëve të Horës për dy ditë, mirëpo me këtë qëndrim dyditor përmes vizitës së bibliotekës “Zef Skiro”, muzeut “Kola Barbati”, pjesëmarrjes në meshën e mbajtur arbërisht nga Papas Jani Stassi dhe bisedës me arbëreshë, siç ishin: kryetari i Horës z. Rosario Petta, Giorgio Cuccia, Salvatore di Chiara etj., sikur preka nga afër arbëreshët e Horës të vendosur këtu qysh nga viti 1488.
Kryetari i Bashkisë, z. Rosario Petta: do të ndërtojmë ura bashkëpunimi!
Një pritje e përzemërt na u bë nga kryetari i Bashkisë së Horës z. Rosario Petta dhe stafi i tij, në ndërtesën e Bashkisë. Zoti Petta shprehu kënaqësinë që shqiptarët e Kosovës, dhe jo vetëm po e vizitojnë Horën dhe vendet me arbëreshë në Sicili. Ai, madje, u shpreh i gatshëm për një bashkëpunim kulturor e ekonomik mes Kosovës e ngulimeve arbëreshe, me qëllim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore e, në veçanti, të gjuhës shqipe.
Kohë më parë Horën, respektivisht 50 ngulimet arbëreshe në Kalabri e Sicili i vizitoi gazetari e udhëpërshkruesi Rexhep Rifati, i cili sapo publikoi librin me titull “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim”. Me këtë rast, në emër të z. Rifati, kryetarit Petta ia dorëzova një ekzemplar të atij libri, të cilin ai e vlerësoi shumë.
Personi i duhur në vendin e duhur
Me një përkushtim të një bibliotekareje të specializuar Gjusi filloi prezantimin e librave të vjetër që flasin për letërsinë arbëreshe, të shkruar fillimisht në greqisht e pastaj të rishkruar anë arbërisht. Prezantoi edhe libra që ishin shkruar në Amerikë, siç qe libri i shkrimtarit Lumo Skendo me titull “Historia e shqiptarëve të Italisë”, botim i vitit 1921 në Njujork.
Një libër i veçantë ishte ai i Zef Skiroit “Te dheu i huaj” botuar në Palermo më 1940. Në bibliotekë kishte portrete dhe buste figurash të rëndësishme kombëtare arbëreshe që vazhdueshëm na motivojnë për kontributin letrar e shkencor që duhet bërë për kombin tonë, si: Papas G. Perrotta, Lekë Matrënga, Zef Skiroi etj.
Rreth dy orë shpjegimesh për bibliotekën dhe muzeun e qytetit nga përgjegjësja Gjusi Skiroi (Giusi Schiro) unë dhe bashkëshortja ime Nexhmija u njohëm në detaje për jetën shumëshekullore të arbëreshëve të Horës. “Jemi të lumtur që Hora ruajti shumë elemente etnike të kulturës shqiptare (arbëreshe) me gjithë veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare – ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin etj.”, shprehet Gjusi gjatë shpjegimit në muzeun e qytetit.
Një vend të rëndësishëm në muze kishte zënë veshja e femrës arbëreshe me të gjitha procedurat e punimeve artizanale. Gjusi, madje, krenohet për veshjet që ajo i trashëgoi nga gjyshja e saj e që me xhelozi e krenari i ruan në shtëpinë e vet. Ajo madje mori pjesë edhe në Seminarin ndërkombëtar të gjuhës e të letërsisë shqipe që përvjetshëm mbahet në Prishtinë.
Të rinjtë ikin e nuk kthehen…
Ndonëse Hora zyrtarisht ka 6.427 banorë, prifti i “Kishës së Shën Mërisë së Dhitrijës” e ndërtuar në vitin 1644, sipas planit të arkitektit Pietro Novelli, Papas Jani Pecoraro shprehet i brengosur për largimin e të rinjve nga Hora, duke folur për një numër të përgjysmuar të banorëve. Ai thotë se shumë të rinj shkojnë për t’u shkolluar në Veri të Italisë ose në vende të tjera të Evropës dhe mbesin atje përgjithmonë.
Shoqëruesi ynë Giorgio Cuccia, infermier në spitalin e qytetit është shumë empatik. Ai beson që arbëreshët do ta përballojnë edhe këtë sfidë të largimit të të rinjve nga Hora. Shi për këtë, ai kërkon një bashkëpunim më të madh me Shqipërinë dhe Kosovën në fushën e turizmit e të ekonomisë. ”Kjo do të na ndihmojë për ruajtjen e gjuhës dhe të traditës sonë, por edhe të mirëqenies”, thotë Gjergji, siç e quan ai vetën ndryshe. Madje, ai me krenari thotë se kur e pyet dikush për prejardhjen e tij, përgjigjet: “Unë më parë jam arbëresh e pastaj italian”.
Siç dihet, pra, banorët e Horës janë pasardhës të familjeve shqiptare, përfshirë këtu edhe fisnikët dhe të afërmit e Skënderbeut, që u vendosën në jug të Italisë gjatë pushtimeve të Perandorisë Osmane në Ballkan. Identiteti arbëror i Horës së Arbëreshëvet është i fortë. Këtu gjuha arbëreshe flitet nga tërë bashkësia dhe ajo përdoret në shkolla, në gazeta, në radio e në jetën e përditshme.
Shqipja (arbërishtja) kudo, krahas italishtes
Në bazë të ligjit ekzistues për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali, Bashkia përdor, në dokumentet zyrtare dygjuhësore, gjuhën shqipe dhe italiane për banorët e saj. Tashmë këtu jetojnë edhe shumë shqiptarë të tjerë, që erdhën gjatë emigracionit të fundit shqiptar përmes detit Jon dhe portit të Durrësit.
E vendosur në një lartësi mbidetare prej 740 metrash, Hora e Arbëreshëvet shtrihet në një pllajë malore dhe përfundon te liqeni, pranë. Kjo pozitë ia shton edhe më shumë vlerën turistike këtij qyteti piktoresk, ku lirshëm zhvillohen edhe veprimtari të tjera sportive, si: alpinizmi, çiklizmi, parashutizmi etj.
T’i kthehemi edhe njëherë historikut të qytetit. Pra, Hora e Arbëreshëvet u themelua më 30 gusht të vitit 1488 nga një grup shqiptarësh nga Himara. Në vitet 1482 – 1485 një sulm i perandorisë turko-osmane i kishte detyruar familjet e Arbërisë (kupto Shqipërisë) ta linin vendin dhe të iknin në anën tjetër të detit Adriatik, pra në Itali.
Në fillim kishin qenë të vendosur në kampet e përkohshme, diku afër qytetit të Palermos, deri rreth viteve 1486-1487. Në atë kohë ata i kishin kërkuar kardinalit Jan Borgia, argjipeshkvi i Muriallit (italisht: Monreale), të drejtën e qëndrimit të përhershëm në tokat e Merkut dhe Aydinglit, mbi malet sipër Palermos. Lëshimi zyrtar i tokave ishte dhënë te banorët në vitin 1488.
Siç mësojmë nga Vikipedia, më 1534 një valë tjetër e familjeve shqiptare ishte vendosur në katund. Ata ishin kryesisht arbërorë nga Kalaja veneciane e Koronit në rajonin e Moresë ose Peloponezit jugperëndimor në Greqi. Mbreti Johan II i Spanjës i lejoi zyrtarisht refugjatët të zënë vendin e tanishëm të tyre dhe të ruajnë fenë ortodokse.
Në fillim qyteti ishte quajtur Fusha e Argjipeshkvit” (italisht: “Piana dell’Arcivescovo”) ose latinisht: S.P.Q.A. (Senatus Populus Que Albanensis) apo N.P.A.C. (Nobilis Planæ Albanensium Civitas), si edhe thjeshtësisht “Civitas Nobilis Plana Albanensium”, më vonë, në shekulli XIX, ka mbetur vetëm italisht Piana dei Greci për ritin fetar bizantin, quajtur nga litint (italianët) “grek”, duke ruajtur emrin origjinal. Në vitin 1941 emri italisht, për dëshirën e intelektualëve dhe priftërinjve arbëreshë, u ndryshua në Piana degli Albanesi, në kohën kur Italia kishte pushtuar Shqipërinë në Luftën e Dytë Botërore. Arbëreshët, megjithatë, e kanë quajtur gjithmonë Hora e Arbëreshëvet. Hora në arbërisht ka kuptim qytet (nga greqishtja), sepse Hora e Arbëreshëvet është në fakt vendi më i madh i arbëreshëvet t’Italisë.
Gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë, arbëreshët e Horës së Arbëreshëvet, ishin pjesëmarrës aktivë në ngjarjet historike rajonale, kombëtare dhe për çështjen e rilindjes kombëtare shqiptare, duke e dhënë një kontribut të rëndësishëm për kulturën dhe letërsinë shqiptare, duke luajtur një rol të rëndësishëm për unitetin kombëtar italian dhe për pavarësinë e Shqipërisë.
Gjatë shekujve, prej më shumë se pesëqind vjet, arbëreshët, si pjesë e identitetit të tyre dhe në sajë të këmbënguljes së tyre dhe institucioneve të tyre kulturore, rrethanave sociale dhe ekonomike, ruajtën me kujdes dhe xhelozi rrënjët kulturore të tyre, si: gjuhën, ritin bizantin, kostumet, doket e zakonet duke qenë kështu një oazë e rëndësishme e kulturës lindore në tokën perëndimore.
Stema e Bashkisë
Emblema e qytetit të Horës së Arbëreshëvet është përshkruar edhe nga kuotat e kartës së bashkisë: Ajo është e qëndisur me fije mëndafshi në hije të ndryshme të verdhë; përshkruan shqiponjën shqiptare me krahë të hapur me kokat e kurorëzuara dhe mbuluara nga një yll me gjashtë cepe dhe tre kallinj në çdo kthetër.
Pjesa urbane e Horës është e pasur me ndërtesa të shumta dhe ka një interes të madh arkitekturor. Tabelat e rrugëve janë të dhëna në dy gjuhë (italisht – shqip).
Sikur edhe në shumë vende të tjera ku kanë emigruar shqiptarët, gjuha shqipe është në rrezik të përhershëm të zhdukjes së saj që sjell edhe asimilimin e shqiptarëve, prandaj në këtë drejtim kërkohet një bashkëpunim më i madh i shtetit amë, por edhe i Kosovës në këtë rast me vendbanimet arbëreshe në Itali, dhe jo vetëm.
(Teksti dhe fotot: Xhevdet Kallaba)
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?