Ekspozita

Holandë: Vizita me makinë brenda muzeve

Duket se pandemia ka prekur shumë fusha të jetës dhe kjo ka ndikuar të ndryshohen shumë gjera. Fillimisht u bë i mundshëm shikimi i filmave nga makina, e tani pandemia ka sjellë një koncept të ri në botën e artit.

Adhuruesit e muzeve në Holandë mund të shohin veprat nga vetura e tyre. Gjatë një viti të zakonshëm, salla multi-funkisonale “Rotterdam Ahoy” në Holandë, mirëpret ngjarje të ndryshme. Majin e kaluar, sikur të mos kishte qenë pandemia, për shkak të Eurovizionit, salla do të ishte mbushur me muzikë.

Panairi me instrumente të muzikës klasike dhe një ngjarje që kishte në fokus portet dhe industrinë e transportit, po ashtu ishin planifikuar dhe pastaj anuluar, për shkak të virusit. Kështu, sallat mbetën të zbrazëta – derisa u bashkuan me muzeun e artit “Boijmans Van Beuningen” për të prezantuar një ekspozitë e cila mund të vizitohet vetëm me veturë elektrike.

Muzeu “Boijmans Ahoy DriveThru”, i cili u hap për publikun më 1 gusht, ishte një bashkëpunim i rastësishëm. Muzeu “Boijmans Van Beuningen” në Roterdam, kishte qenë duke pritur mundësinë për të paraqitur veprat e artit të cilat i posedon, e që shtrihen nga periudha mesjetare deri te veprat bashkëkohore.

Ndërtesa ku zë vend muzeu u është nënshtruar disa rinovime që nga viti 2019 dhe koleksioni ku janë rreth 150 mijë vepra, ishte ekspozuar ndërkohë nëpër ekspozita turistike nëpër shkolla dhe muze të tjerë derisa filloi pandemia.

Hapësira “Ahoy Rotterdam” është gati sa madhësia e dy fushave të futbollit. Prandaj, u bë e qartë gjatë fazës së planifikimit që vizitimi i ekspozitës përmes veturave do të ishte një mënyrë ideale për të vizituar një hapësirë kaq të madhe. Vetëm veturat elektrike mund të hyjnë brenda dhe ata të cilët nuk kanë vetura të tilla mund të huazojnë të njëjtën hapësirë. Më shumë se 750 vetura lejohen përgjatë një ditë.