Shqipëria

Holanda, investitori i huaj kryesor në Shqipëri

Me gjithë rënien e investimeve, Holanda ende kryeson si investitori kryesor i huaj në Shqipëri

Shteti holandez ishte investitori më i madh i huaj në Shqipëri edhe për tremujorin e parë të këtij viti, përcjell albinfo.ch.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet holandeze kishin vlerën e 40 milionë eurove.

Megjithëse ngelet investitori kryesor, flukset e investimeve holandeze kanë rënë me 59% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një nga kompanitë e rëndësishme holandeze me prani në Shqipëri është Shell, por volumet e mëdha të investimeve holandeze lidhen kryesisht me faktin që Holanda është një nga juridiksionet ku regjistrohen kompani offshore, kryesisht shoqëri holding në këtë vend për kontrollin e filialeve të tyre ndërkombëtare.

Shembuj të tillë të rëndësishëm janë Stakraft apo Vodafone Group, që i zotërojnë investimet e tyre në Shqipëri nëpërmjet ndërmarrjeve të regjistruara në Holandë. Në vitet e fundit, në Holandë janë regjistruar edhe kompani që kanë përfituar kontrata të rëndësishme të PPP-ve në Shqipëri. Në këto raste, regjistrimi në Holandë ka si qëllim kryesisht fshehjen e aksionarëve apo përfituesve realë të këtyre kontratave. Investitori i dytë më i madh për tremujorin e parë të këtij viti ishte Franca, me 34 milionë euro, pothuajse katër herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në Shqipëri veprojnë disa kompani të rëndësishme me kapital francez, si ALEAT, Selenice Bitumi, por edhe disa sipërmarrje të investimit në energjinë e rinovueshme. Megjithatë, besohet se në vitet e fundit investimet franceze kanë ardhur nga disa kompani nënkontraktore të gazsjellësit TAP. Investitori i tretë më i madh i huaj në tremujorin e parë ishte Italia, me një shumë totale prej 29 milionë eurosh, në rritje me 21% krahasuar me një vit më parë. Ndërmarrjet italiane në Shqipëri janë të fokusuara sidomos në degët e shërbimeve. Në rritje për tremujorin e parë rezultuan edhe investimet turke, që arritën vlerën e 23 milionë eurove ose 15% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipërmarrja turke në Shqipëri është sidomos e përqendruar në disa kompani të mëdha të sektorëve strategjikë, si Banka Kombëtare Tregtare, Albtelecom, Kurum, Limak apo Ayen AS Energji. Në rritje me më shumë se tretë herë për tremujorin e parë 2021 ishin investimet austriake që arritën në 16 milionë euro, ndërsa rënia pësuan investimet zvicerane, që zbritën në 15 milionë euro, vlerë kjo sa një e treta e shënuar për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Investimet zvicerane në vitet e fundit kanë qenë të lidhura kryesisht me gazsjellësin TAP dhe përfundimi i punimeve ka sjellë rënie graduale të tyre. Sidoqoftë, për nga vlera totale e investimeve të matura si stok në fund të periudhës, Zvicra vazhdon të kryesojë me rreth 1.69 miliardë euro, e ndjekur nga Holanda me 1.47 miliardë euro dhe Kanadaja, me 1.16 miliardë euro.