Lajme

Historia e Urës së Kishës në Luzern

Historitë e disa urave evropiane datojnë para shumë shekujsh

Urat simbol dhe të bukura të Evropës përfshijnë të gjitha stilet, format dhe madhësitë. Ato janë prej druri, guri, hekuri ose çeliku. Kaskadat e luleve veshin anët e tyre.

Veprat e artit zbukurojnë disa prej tyre duke i ftuar vizitorët të shëtisin përgjatë lumit ndërsa shijojnë piktura dhe skulptura të nivelit botëror.

Ndërsa arsyeja e ekzistencës së tyre është që të sigurojnë një rrugë kalimi mbi ujë, këto ura kanë gjithashtu një histori magjepsëse që fshihet pas tyre. Ato kanë qenë vendi i betejave, zjarreve, bombardimeve dhe restaurimeve. Historitë e disa urave evropiane datojnë para shumë shekujsh, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

  1. Ura e Kishës, Luzern, Zvicër

Kjo urë e bukur është një atraksion turistik. Ura e Kishës dhe kulla e saj janë simbole të Luzernës dhe të Zvicrës. E njohur gjithashtu si Kapellbrücke, ajo është ndërtuar në shekullin e 14-të dhe është ura më e vjetër prej druri në Evropë.

E ndërtuar në qendër të qytetit, Ura diagonale e Kishës lidh brigjet veriore dhe jugore të lumit Reuss. Lule shumëngjyrëshe varen në anët e urës 700 metra të gjatë.

Ura e Kishës u përfshi nga një zjarr i madh në 1993. Vetëm kulla dhe skajet e urës shpëtuan. Populli zviceran, zemërthyer për shkatërrimin e thesarit të tyre kombëtar, mblodhi fonde dhe restauroi urën rreth një vit më vonë.

MatthiasKabel, Wikipedia
  1. Ura e Karlit, Pragë, Republika Çeke

Ura e Karlit ka qenë e vetmja lidhje midis Qytetit të Vjetër të Pragës dhe Kështjellës që ndodhet në anën tjetër të lumit. Është ura më e vjetër mbi lumin Vltava në Pragë. Sot, Ura e Karlit është një prej pikave më të vizituara në Pragë, kjo edhe për pamjet e mrekullueshme të qytetit që të ofron në të dyja anët e saj. Kur përmbytjet dëmtuan urën origjinale shumë kohë më parë, një urë e re u ndërtua në 1402. Më vonë ajo mori emrin në nder të Karlit IV, i cili mbikëqyri ndërtimin e saj.

Historia e Urës së Karlit përfshin përmbytje të shpeshta, beteja, prerje kokash dhe shenjtorë të shumtë. Midis 1683 dhe 1928, 30 statuja shenjtorësh u ndërtuan për të dekoruar urën, më e famshmja prej të cilave është statuja e Shenjtit John Nepomuk. Disa nga statujat e para kanë humbur me kalimin e kohës.

Ato që shihni sot janë kopjet e tyre, origjinalet ndodhen në një muze aty afër. Më shumë se sa përmbytjet dhe betejat, ura ka “vuajtur nga trafiku i vazhdueshëm i karrocave me kuaj” (dhe më vonë tramvajet, autobusët dhe makinat). Pas një restaurimi shumë të nevojshëm në 1978, i gjithë qarkullimi i automjeteve u ndalua.

  1. Ura e Vjetër, Heidelberg, Gjermani

E ndërtuar mbi lumin Neckar, ura me harqe është një nga shembujt e fundit të një ure klasike guri. Tetë urat e mëparshme mbi lumë, të gjitha të ndërtuara me dru, nuk i kanë rezistuar kohës. Kështu që në 1780, Princi Karl Theodor urdhëroi që të ndërtohej kjo urë e fortë.

Shumë ura në Gjermani u shkatërruan gjatë Luftës së Dytë Botërore, por Ura e Vjetër mbeti e padëmtuar. Kjo ndoshta për shkak se Aleatët planifikuan të shpëtonin Heidelbergun për ta përdorur si një bazë të pasluftës.