Lajme

Hiqet dorë nga iniciativa për pushim 4 javësh “të lindjes” për etërit

Pasi që Parlamenti votoi pushimin dyjavësh, bartësit e iniciativës për pushime katërjavëshe të etërve të rinj hoqën dorë nga kjo iniciativë. Me një kusht!

Parlamenti i Zvicrës pak javë më parë vendosi me shumicë dërmuese votash për pushimet dyjavëshe me pagesë të etërve me rastin e lindjes së fëmijës.

Pas këtij zhvillimi, bartësit e iniciativës për pushime katërjavëshe të etërve të rinj hoqën dorë nga kjo iniciativë, shkruan srf.ch.

Por, ata vazhdojnë të synojnë një pushim më të gjatë, megjithëse iniciativa e përmendur tash nuk do të hidhet për votim para popullit.

Komiteti iniciues ka vendosur një kusht: Nëse do të miratohet realizimi i një referendumi të paralajmëruar kundër pushimit dyjavësh, atëherë ai (komiteti në fjalë) nuk do të heqë dorë nga iniciativa e vet katërjavëshe, transmeton albinfo.ch. Në një rast të tillë, iniciativa do të hidhej në votim popullor në nivel të vendit vitin e ardhshëm.

Aktualisht, baballarët me rastin e lindjes së fëmijës kanë të drejtë vetëm për një ditë pushimi me pagesë.