Shkurt.ch

Hidhet nga kati i tretë për t’i shpëtuar dëbimit nga Zvicra

Për të shmangur dëbimin nga Zvicra, një grua e re nga Eritrea u hodh nga kati i tretë në Estavayer-le-Lac të Kantonit Vaud

Zyra Federale për Migracion (BFM), kishte refuzuar kërkesën për azil të kësaj gruaje të re nga Eritrea. Ndërsa policia e Friburgut kishte shkuar në orët e hershme të mëngjesit për të marrë 21 vjeçaren, e cila do të duhej të ekstradohet me aeroplan për në Itali, njoftojnë “Blick” dhe “20 Minutes”.

Azilkërkuesja kishte refuzuar të braktiste Zvicrën. Në banesë e cila ndodhej në katin e tretë të ndërtesës, zyrtarët policor kishin gjetur dy njerëz duke fjetur.

Oficerët policor duke kërkuar në ballkon, kishin vërejtur se ajo ishte në një ballkon fqinj. Para se policia të arrinte ta kapte, ajo kishte kërcyer në lartësi prej rreth nëntë metrash për t’i shpëtuar policisë dhe për t’i shpëtuar dëbimit.

Gruaja kishte marrë lëndime të rënda dhe me helikopter të ndihmës së shpejtë “Rega” ishte transferuar në spitalin kantonal të Lozanës.